Në datën 26 shtator Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri (NRC) organizuan në Tiranë aktivitetin “Fuqizimi i llogaridhënies, transparencës dhe qendrueshmërisë së organizatave të shoqërisë civile – Kodi i Standardeve për OSHC”. Të ftuar në këtë event ishin dhe përfaqësues të organizatave në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe nga organizata ndërkombëtare të cilët ndanë përvojën e tyre në nivelin rajonal dhe global, mbi praktikat dhe mekanizmat që përmirësojnë standardin e funksionimit të organizatave të shoqërisë civile.
Krijimi i një shtegu të një mekanizmi vetë-rregullues dhe rritja e standardit të funksionimit të OSHC-ve dhe transparenca e tyre ishin fokusi i këtij aktiviteti që mblodhi rreth 55 përfaqësues të OSHC-ve, agjencive ndërkombëtare dhe donatorëve në Shqipëri.
Znj. Juli Hoxha, Drejtor i Partnerëve Shqipëri, Znj. Rocio Moreno Lopez, Drejtor i Organizatës “Accountable Now”, Znj. Ilina Neshikj, Drejtore Ekzekutive e Rrjeti për Zhvillimin e Shoqërisë Civile në Ballkan (BCSDN) dhe Znj. Aleksandra Savevska, Menaxhere e Projektit në Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar ishin folësit kryesorë të këtij aktiviteti, duke sjellë një larmi përvojash, mekanizmash të përdorur dhe perspektivat lokale, rajonale dhe ndërkombëtare në këtë drejtim.
Ky takim do të jetë i pari i një serie aktivitetesh që Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile do të ndërmarrë me qëllim diskutimin, krijimin dhe vendosjen e një mekanizmi vetë-rregullues për sektorin, me qëllim rritjen e standardit të funksionimit të OShC-ve, cilësinë e veprimtarisë së tyre dhe rritjen e transparencës.