In News

Tryezë mbi “Monitorimi i Mjedisit Mundësues për Shoqërinë Civile Raporti për Shqipërinë 2018”

Partnerët Shqipëri dhe Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile organizuan në Maj 2019 një tryezë për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve paraprake të “Matricës së Monitorimit të Mjedisit Mundësues për Shoqërinë Civile – Raporti për Shqipërinë 2018”. Takimi shërbeu si një forum diskutimi i fokusuar në një analizë të ndryshimeve të ndodhura gjatë periudhës janar 2018 – shkurt 2019 mbi kuadrin ligjor dhe praktik që ndikon veprimtarinë e sektorit. Të pranishëm në këtë tryezë ishin Zj. Alketa Knuti, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përfaqësues të Agjensisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve donatore në vend.

Disa nga gjetjet kryesore të Raportit të Monitorimit 2018 janë si më poshtë:

Procedura dhe formate të ngarkuara të raportimit në shtet, si dhe zbatim i dobët i proceseve të konsultimit mbi projektligjet dhe politikat, veçanërisht në nivelin e qeverisjes qendrore.

Udhërrëfyesi për Hartimin e Politikave dhe Masave për një Mjedis Mundësues për Shoqërinë Civile 2015-2018, rezultoi të jetë zbatuar vetëm në masën 20% të veprimeve, ndërsa plani i ri i veprimit 2018-2022 ende nuk është miratuar.

Këshilli Kombëtar për Zhvillimin e Shoqërisë Civile vazhdon përpjekjet megjithëse pa shumë rezultat, për ndërtimin e dialogut konstruktiv dhe efektiv në avancimin e axhendës së shoqërisë civile.

Paketa ligjore e hartuar për Ndërmarrjet Sociale nuk është në përputhje me direktivat e BE-së dhe praktikat më të mira Evropiane. Ajo paraqet disa kufizime dhe mekanizma të kontrollit shtetëror për OShC-të që rrjedhin nga statusi i NS-së.

Për më shumë gjetje dhe rekomandime, lexoni raportin e plotë.