Search
Close this search box.

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, përgjatë 2022!

Kemi kënaqësinë të ndajmë me ju një përmbledhje të rezultateve të punës së Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, përgjatë 2022.

Ky vit ka sjellë risi në programe dhe aktivitete në shërbim të sektorit, duke krijuar një portofol shërbimesh më të larmishëm në përgjigje të nevojave të tij.

Prej 2019 e në vazhdim, Qendra ka konsoliduar rolin e saj si një platformë informimi dhe shërbimesh për shoqërinë civile në nivel kombëtar e lokal, në mbështetje të fuqizimit të kapaciteteve të saj, dialogut të politikave dhe përpjekjeve advokuese për një mjedis mundësues. 

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Evropiane në Shqipëri (EMA), me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

 

Qendra Kombëtare Burimore në Shifra, 2022 Download
Programi i Qendrës 2022-2025                              Download

Thirrje për aplikime në programin e trajnimit dhe mentorimit “Diversifikimi i Burimeve të Financimit për OSHC-të! Gjenerimi i të ardhurave nga shërbimet me pagesë dhe shitja e produkteve”

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, hap thirrjen për shprehje interesi për programin e trajnimit dhe mentorimit “Diversifikimi i Burimeve të Financimit për OSHC-të! Gjenerimi i të ardhurave nga shërbimet me pagesë dhe shitja e produkteve”.

Programi synon rritjen e qendrueshmërisë financiare të OSHC-ve, nëpërmjet zhvillimit të strategjive dhe planeve në ngritjen e fondeve dhe gjenerimin e të ardhurave nga produkte dhe/ose shërbime konkrete me pagesë.

Programi do të ndihmojë organizatat për të kuptuar gatishmërinë e tyre në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve me pagesë, për të analizuar kapacitetin organizativ dhe mundësitë që ofron tregu vendas, rajonal e më gjerë, si dhe për të vënë në zbatim planet e biznesit dhe strategjitë e marketingut.

Programi konsiston në:

– Zhvillimin e katër trajnimeve një ditore në çështje lidhur me shërbimet me pagesë, analizën organizative dhe të tregut, zhvillimin e planit të biznesit dhe strategjisë së marketingut si dhe zbatimin e një strategjie shërbimi me pagesë relevante dhe të shëndetshme;

– Ndjekjen e një programi katër mujor mentorimi për secilën prej organizatave pjesëmarrëse, për të zhvilluar konkretisht e vënë në zbatim strategjitë e sipërpërmendura;

– Sesione online këshillimi me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë; dhe

– Pjesëmarrjen në takime të përbashkëta OSHC-biznese të cilat do të kontribuojnë për njohjen e punës së organizatave të shoqërisë civile dhe prezantimin me shërbimet dhe produktet e tyre, identifikimin e mundësive konkrete të partneritetit në ofrimin e këtyre shërbimeve dhe krijimin e urave të bashkëpunimit mes dy sektorëve.

Procesi i aplikimit dhe përzgjedhjes së pjesëmarrësve

Programi është i hapur për organizata të shoqërisë civile nga i gjithë vendi.

Organizatat pjesëmarrëse do të përzgjidhen përmes një procesi konkurrues.

Qendra Kombëtare Burimore do t’u ofrojë mundësinë për të përfituar nga ky program dhjetë organizatave, të gatshme për diversifikuar burimet e financimit përmes shërbimeve me pagesë, në funksion të rritjes së qendrueshmërisë së tyre.

OSHC-të e  interesuara janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar Pyetësorin dhe një Letër motivimi ku të shprehet qartë interesi për pjesëmarrjen dhe plani për vënien në zbatim të njohurive dhe aftësive të fituara.

Dërgoni me email pyetësorin e plotësuar dhe letrën e motivimit në adresën info@resourcecentre.al brenda datës 31 mars 2023!

 

Forma e Aplikimit/Pyetësori Download
Skip to content