• Rruga e Elbasanit, PARK GATE, kati 10te, Ap. 73, Tirana
  • +355 4 2254881
  • info@resourcecentre.al

Fiskalizimi-Procesi i zbatimit

Çfarë është fiskalizimi?

Fiskalizimi është një tërësi masash që përdoren për të zvogëluar evazionin fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë. Në procesin e fiskalizimit, të gjitha transaksionet (faturat) raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore. Për efekt të identifikimit dhe gjurmimit të çdo transaksioni, çdo fature i jepet numri identifikues i veçantë i faturës (NIVF).

A janë OJF-të subjekt i fiskalizimit?

Në zbatim të Ligjit Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 3, datë 20.01.2020, subjekt i fiskalizimit të faturës do të jenë:

  1. të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë faturë, sipas këtij Ligji dhe legjislacionit në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar;
  2. organet publike;
  3. bankat, institucionet financiare jobankare dhe subjekte të tjera, që ofrojnë shërbime pagesash të faturave elektronike.

OJF-të janë subjekt i ligjit Ligjit Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” si në rolin e pranuesit të faturave ashtu dhe në rolin e lëshuesit të faturave. Për OJF-të që nuk kryejnë aktivitet ekonomik, (nuk lëshojnë fatura tatimore), detyrimi lind vetëm për regjistrim në Platformën Qendrore të Faturave/  Portali Self-Care.

Cilat janë hapat kryesorë për një OJF në përmbushje të kërkesave të procesit të Fiskalizimit?

  1. OJF-të duhet të regjistrohen në Platformën Qendrore të Faturave/ Portali Self-Care i aksesueshëm në e-albania dhe të deklarojnë të dhënat e kërkuara nga platforma.
  2. OJF-të duhet të aplikojnë për tu pajisur me certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit nga AKSHI dhe më pas ta ngarkojnë atë në portalin Self- Care.
  3. OJF-të duhet të sigurojnë kushtet për përdorimin e zgjidhjes software-ike.

Cilat janë të dhënat që duhet të deklarohen në Platformën Qendrore të Faturave / Portali Self-Care nga një organizatë jofitimprurëse?

  1. Vendndodhjet e ushtrimit të aktivitetit
  2. Upload-imi i Certifikatës Elektronike për projektin e fiskalizimit
  3. Operatorët që do të lëshojnë faturat elektronike
  4. Regjistrimi i paisjes elektronike të faturimit
  5. Regjistrimi i prodhuesit dhe mirëmbajtjes së zgjidhjes sotware-ike

Organizatat jofitimprurëse të cilat nuk lëshojnë fatura tatimore, duhet të kryejnë vetëm dy hapat e para.

Paisja me certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit nga AKSHI nëpërmjet portalit e-albania

Pavarësisht lëshimit apo jo të faturave tatimore nga organizatat jofitimprurëse, sipas ligjit të Fiskalizmit do të duhen të pajisen me Certifikatë Elektronike. Kjo certifikatë digjitale është e lidhur në mënyrë unike me organizatën jofitimprurëse si entitet. Aplikimi për certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit mundësohet përmes portalit e-albania.

Hapat e aplikimit
– Identifikohuni si biznes në portalin e-Albania;

– Zgjidhni shërbimin “Aplikim për certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit”;

– Klikoni butonin “Përdor”;

– Plotësoni të dhënat e kërkuara në formularin përkatës elektronik;

– Klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit;

– Kërkesa do të dërgohet në Drejtorinë e Sigurisë e-Gov, sektori i fushës së PKI-së dhe do të procedohet nga specialistët e fushës së Infrastrukturës dhe Çelësave Publikë;

– Certifikata Elektronike do t’ju dërgohet në adresën e emailit që keni plotësuar gjatë regjistrimit të biznesit në portalin e-Albania.

*Kujdes- sigurohuni që adresa e-mail e regjistruar në portal të jetë e aksesueshme në mënyrë të sigurtë nga ana juaj.

Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është 3 ditë pune.

Periudha e vlefshmërisë së certifkatës është 1 vit nga koha e gjenerimit të certificatës.

Kostot për këtë shërbim është 4000 Lekë (Shkarkoni faturën)

Pajisja me zgjidhje software-ike për OJF-të

Çdo organizatë jofitimprurëse që lëshon fatura tatimore, duke filluar nga:

  • data 1 korrik, 2021 për të gjitha transaksione PA para në dorë
  • dhe nga data 1 shtator, 2021 për të gjitha transaksionet ME para në dorë

do të duhet t`i lëshojë ato nëpërmjet sistemit online të Fiskalizimit, pavarësisht regjimit të tyre fiskal ( me TVSH apo pa TVSH).

Të gjitha organizatat jofitimprurëse të cilat nuk lëshojnë fatura tatimore, nuk e kanë detyrim pajisjen me zgjidhje software-ike. Këto organizata, pranimin e faturave të fiskalizuara mund ta kryejnë nëpërmjet portalit Self-Care-it.

Organizatat jofitimprurëse që lëshojnë fatura për transaksione ME ose PA para në dorë, mund të lëshojnë fatura dhe të kryejnë procedurën e fiskalizimit përmes përdorimit të platformës qendrore të faturave/ Self-Care, nëse përmbushin kriteret e mëposhtme:

  1. a) Nuk janë subjekt i TVSH;
  2. b) Nuk kanë asnjë shkelje të konstatuar në lidhje me moslëshimin e faturës në 3 vitet e fundit;
  3. c) Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit;
  4. d) Ka vetëm një të punësuar/vetëpunësuar.

Organizata të cilat lëshojnë fatura tatimore dhe nuk i plotësojnë kushtet e mësipërme do të duhet të pajiset me një zgjidhje software-ike nga subjekte të certifikuara nga Drejtoria e Tatimeve.

Kujdes: zgjedhja e kompanisë që ofron zgjidhje softwar-ike duhet të bëhët bazuar nga lloji i transaksionit që  organizatat do të kryejnë, ME para apo  PA para në dorë.

Këtu mund të gjeni listën e subjekteve të certifikuara nga Drejtoria e Tatimeve Lista web e kompanive (tatime.gov.al)

Si mund të verifikohen nëse janë të fiskalizuara faturat fiskale të lëshura?

Të gjithë blerësit ose marrësit e faturave mund të verifikojnë nëse fatura e tyre është fiskalizuar dhe dërguar në Administratën Tatimore, brenda 60 ditëve nga data e faturës. Verifikimi kryhet përmes platformës qendrore të faturës ose përmes një aplikacioni të veçantë duke skanuar kodin QR në faturë. Gjithashtu, mund të verifikohet edhe në zyrën e Administratës Tatimore.
Nëse blerësi është një person i tatueshëm, ai mund të verifikojë nga platforma qendrore e faturës nëse fatura është fiskalizuar, pasi fatura duhet të jetë regjistruar në librin e tij të blerjes.

Nëse fatura nuk përmban NIVF në momentin e lëshimit, atëherë do të thotë që ajo nuk është fiskalizuar para lëshimit.

Ku mund të drejtohem për pyetje dhe sqarime rreth fiskalizimit?

Për pyetje dhe paqartësi në lidhje me procesin e fiskalizimit, mund të shkruani në adresën Fiskalizimi.Helpdesk@tatime.gov.al.