Mbështetje për rrjetet e OShC-ve

Edhe në këtë vit të dytë të veprimtarisë së saj Qendra ka vijuar me ofrimin e mbështetjes për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të rrjeteve, koalicioneve si dhe grupimeve formale dhe informale të OShCve, nëpërmjet programit të asistencës teknike. Pas një thirrje të hapur për shprehje interesi, lançuar në korrik 2020, 4 rrjete u përzgjodhën për t`u asistuar në çuarjen më tej të kauzave të tyre, duke ju dhënë prioritet kryesisht rrjeteve të rinj.
Rrjeti Kombëtar i Klimës– krijuar rishtazi, nga 9 organizata dhe grupe aktivistësh të rinj, me qëllim advokimin mbi çështjen e Ndryshimeve Klimatike në Shqipëri. Si një strukturë e re, puna në kuadër të programit të asistencës është fokusuar fillimisht në konsolidimin e brendshëm të rrjetit nëpërmjet hartimit të një Plani Strategjik për dy vitet e ardhshme. Evidentimi i objektivat strategjik të rrjetit, fushave programatike si dhe organizimin e brendshëm të anëtarëve në detyra dhe përgjegjësi janë vetëm disa nga shtyllat kryesore të zhvilluara deri tani në këtë Plan. Në vijim, puna me rrjetin do të ndalet në rritjen e kapaciteteve të rrjetit në hartimin dhe zbatimin e fushatave advokuese dhe lobuese, për dy prej çështjeve prioritare te evidentuara në Planin Strategjik.
Rrjeti i Profesionistëve të Rinj- krijuar në fillim të 2020, nga një grup profesionistësh të fushave te ndryshme dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, me qëllim fuqizimin e profesionistëve të rinj dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën ekonomike, politike dhe sociale të vendit. Edhe me këtë rrjet, mbështetja e Qendrës është fokusuar në rritjen dhe konsolidimin e brendshmëm të rrjetit, identifikimin e prioriteteve dhe rritjen e kapaciteteve të tij në advokim dhe lobim.

