Search
Close this search box.

Opinion Ligjor mbi Ndryshimin e Projektligjit “Për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin Nr. 9917, Datë 19.5.2008, “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit”, të Ndryshuar”

Opinion Ligjor mbi Ndryshimin e Projektligjit “Për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin Nr. 9917, Datë 19.5.2008, “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit”, të Ndryshuar”

Mbi ndryshimin në nenin 8, pika 3 të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, të ndryshuar.”

1. Objekti i opinionit

Ky opinion ligjor ka për objekt vlerësimin e amendimit të propozuar në nenin 8, pika 3 të projektligjit, i cili parashikon që pas togfjalëshit “organizata jofitimprurëse” të shtohet fraza “të konsideruara me rrezik të lartë”. Kjo shtesë synon përputhjen me Rekomandimin 8 të Financial Action Task Force (FATF).

2. Korniza ligjore dhe standardet ndërkombëtare

Rekomandimi 8 i FATF kërkon që shtetet të identifikojnë dhe të mbrojnë organizatat jofitimprurëse që janë më të ndjeshme ndaj abuzimit për financim terrorizmi. FATF thekson qartë se masat duhet të jenë të bazuara në rrezik dhe proporcionale, pa stigmatizuar të gjithë sektorin jofitimprurës. Në interpretimin zyrtar të FATF përdoret termi “non-profit organisations that are vulnerable to terrorist abuse”, dhe jo “high-risk organisations”.

Përdorimi i termit “të konsideruara me rrezik të lartë” paraqet disa problematika: a) mungon një përkufizim ligjor se kush i përcakton dhe mbi çfarë baze konsiderohen të tilla; b) krijon rrezik për interpretim subjektiv nga autoritetet; dhe c) përmban konotacion negativ që mund të dëmtojë reputacionin e organizatave që futen në këtë kategori. Në praktikë, kjo mund të perceptohet si etiketim i padrejtë dhe jo si masë parandaluese proporcionale.

3. Analiza terminologjike dhe përputhshmëria me FATF

Ndryshimi i propozuar nuk përputhet plotësisht me filozofinë e FATF. FATF kërkon identifikimin e organizatave me “potencial për t’u abuzuar”, pra atyre që për shkak të natyrës së tyre, mënyrës së financimit apo fushëveprimit, janë të ekspozuara ndaj rrezikut të abuzimit, pa qenë vetvetiu “me rrezik të lartë”. Dallimi është thelbësor, sepse termi “rrezik i lartë” përmban ngarkesë vlerësuese dhe ndëshkuese, ndërsa “’potencial për t’u abuzuar” është neutral dhe përputhet me parimin e proporcionalitetit.

4. Pasojat praktike dhe reputacionale

Përdorimi i termit “rrezik i lartë” mund të ketë pasoja reputacionale për organizatat jofitimprurëse, duke ndikuar në marrëdhëniet me donatorët, partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetin. Në mungesë të një mekanizmi transparent për kategorizim dhe të drejtë ankimi, kjo mund të cenojë lirinë e organizimit dhe parimet kushtetuese të proporcionalitetit dhe sigurisë juridike.

5. Vlerësimi i përputhshmërisë me Rekomandimin 8 të FATF

Ndryshimi i propozuar përmirëson qasjen ligjore duke theksuar vlerësimin sipas rrezikut, por mbetet formal dhe jo thelbësisht në përputhje me kërkesat e Rekomandimit 8. FATF kërkon që masa të tilla të mbështeten në Vlerësimin Kombëtar të Rrezikut dhe të jenë të përcaktuara sipas rezultateve të tij, gjë që mungon në formulimin aktual.

Konkluzione dhe Rekomandime

Në përfundim, ndryshimi në nenin 8, pika 3 përbën një hap pozitiv drejt përputhjes me standardet ndërkombëtare, por kërkon saktësim terminologjik dhe metodologjik për të qenë në harmoni me filozofinë dhe udhëzimet e FATF. Përdorimi i termit “rrezik i lartë” duhet të zëvendësohet me terminologji më të kujdesshme, në përputhje me parimet e proporcionalitetit, transparencës dhe mbrojtjes së reputacionit të sektorit jofitimprurës.

Në këtë kuadër, rekomandohen këto ndryshime:

  1. Rishikim i terminologjisë
    Të zëvendësohet fraza “të konsideruara me rrezik të lartë” me formulimin:
    “…organizata jofitimprurëse me potencial të lartë për t’u abuzuar për qëllime financimi terrorizmi, sipas rezultateve të vlerësimit kombëtar të rrezikut.”
    Ky version reflekton gjuhën e FATF, shmang konotacionet negative dhe ruan neutralitetin ligjor.
  2. Përcaktim i autoritetit përgjegjës dhe bazës metodologjike
    Në ligj ose në një akt nënligjor të përcaktohet qartë se kush është organi kompetent që klasifikon OJF-të sipas rrezikut, dhe mbi cilat kritere të vlerësimit të rrezikut (në përputhje me Nenin 23/1 për Vlerësimin Kombëtar të Rrezikut në projekt-ligj).
  3. Përcaktim i lidhjes eksplicite me Vlerësimin Kombëtar të Rrezikut (NRA)
    Teksti ligjor duhet të bëjë referencë të drejtpërdrejtë që kategorizimi i OJF-ve si “me potencial për abuzim” bazohet në rezultatet e NRA-së, në mënyrë që të shmanget subjektiviteti dhe të sigurohet koherencë ndërinstitucionale.
  4. Krijimi i mekanizmave të transparencës dhe ankimit
    OJF-të duhet të kenë të drejtë të informohen mbi arsyet e klasifikimit të tyre dhe të kenë mundësi për ankim administrativ apo rishikim periodik të statusit.
  5. Miratimi i akteve nënligjore shpjeguese dhe përdorimi i bazës ekzistuese metodologjike
    Të parashikohet miratimi i një udhëzimi të posaçëm ose vendimi të Këshillit të Ministrave që saktëson kriteret e vlerësimit, procedurat e monitorimit dhe mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve mbikëqyrëse dhe sektorit jofitimprurës. Në këtë kuadër, vlen të theksohet se metodologjia e parë e vlerësimit të rrezikut për sektorin jofitimprurës është hartuar nga Partners Albania në bashkëpunim me Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kjo metodologji është njohur dhe cituar edhe si pjesë e Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut të fundit dhe përbën një bazë solide për adoptim zyrtar, duke qenë e ndërtuar sipas përkufizimeve të FATF mbi kuptimin e sektorit jofitimprurës në kuadër të AML/CTF.
  6. Sigurimi i proporcionalitetit dhe mbrojtjes së reputacionit të sektorit
    Masa të tilla duhet të zbatohen vetëm në mënyrë proporcionale dhe me kujdes reputacional, për të mos ndikuar negativisht në besueshmërinë dhe misionin e organizatave me qëllime të ligjshme.
Skip to content