Search
Close this search box.

Komente lidhur me projektligjin për “Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve”

Tiranë, 7 tetor 2025

Komente lidhur me projektligjin për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve:

  1. Projektligji i ri nuk përcakton shprehimisht shfuqizimin e Ligjit Nr. 60/2016, gjë që krijon pasiguri ligjore dhe mundësi për mbivendosje kompetencash ndërmjet dispozitave të reja dhe atyre ekzisuese.
  2. Mungojnë dispozita kalimtare për strukturat ekzistuese të sinjalizimit, çka mund të sjellë ndërprerje në zbatimin praktik të mekanizmave aktualë.
  3. Projektligji i referohet ILDKPKI-së si organ i pavarur, por pa përcaktuar garanci konkrete për pavarësinë funksionale dhe buxhetore, siç kërkohet nga Direktiva e BE-së, për aq kohë sa institucioni mbetet financiarisht i varur nga qeveria.
  4. Nuk është sqaruar bashkëpunimi me organet e tjera të zbatimit të ligjit (SPAK, ILD, Prokuroria), duke rrezikuar mbivendosje ose mungesë koordinimi në hetimet administrative dhe penale.
  5. Afatet e përcaktuara (7 ditë për marrje njoftimi dhe 3 muaj për përgjigje) bien ndesh me afatet standarde të Kodit të Procedurave Administrative (30 ditë për trajtim çështjeje). Ky ligj mund të shkaktojë paqartësi në rast ankimimi ose apelimi.
  6. Dispozitat për mbrojtjen nga hakmarrja nuk janë të harmonizuara me mekanizmat ekzistues të rivendosjes në punë apo dëmshpërblimit sipas Kodit të Punës.
  7. Nuk është përcaktuar qartë nëse ILDKPKI apo Inspektorati i Punës ka kompetencën për të ndërhyrë dhe mbrojtur sinjalizuesit në rastet e penalizimit të padrejtë në vendin e punës, duke lënë vakum institucional.
  8. Projektligji nuk përcakton detyrimin për referimin e menjëhershëm të rasteve me elementë penalë pranë SPAK-ut ose Prokurorisë, gjë që krijon vakum në bashkëpunim ndërinstitucional, vonesa në veprim dhe ulje të efikasitetit të mekanizmit të sinjalizimit.
  9. Mungon garancia që sinjalizuesit nuk do të ndiqen penalisht për ‘kallëzim të rremë’ (neni 300 i Kodit Penal) kur veprojnë me mirëbesim.
  10. Projektligji nuk i bën referencë të qartë Ligjit Nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Rregullores së Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), ndonëse trajton të dhëna të ndjeshme për individët. Përcaktimi eksplicit i lidhjes me këto akte është thelbësor për të siguruar harmonizim me standardet evropiane, mbrojtje efektive të konfidencialitetit dhe siguri juridike në trajtimin e informacionit të sinjalizuesve.
  11. Parashikimi i afatit 5‑vjeçar për ruajtjen e të dhënave është joproporcional dhe në kundërshtim me parimin e kufizimit të qëllimit sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave. Shumica e shteteve anëtare të BE-së parashikojnë 2 deri në 3 vjet, dhe ruajtja e të dhënave për një kohë të gjatë pas përfundimit të hetimit administrative, përbën risk.
  12. Shumat e gjobave 50,000 – 500,000 Lekë (përaf. 520 – 5,200 EUR) janë të ulëta për të pasur efekt ndëshkues dhe parandalues. Në praktikën e vendeve të BE-së, masat administrative shkojnë 600,000 apo edhe 900,000 Euro, në rastet e hakmarrjes apo zbulimit të identitetit te sinjalizuesit. Projektligji gjithashtu nuk bën dallim midis subjekteve publike dhe private me qarkullim të madh financiar, personave fizikë dhe juridikë. Mungojnë parashikimet për rastet e përsëritura si dhe masat shtesë disiplinore për zyrtarët publikë përgjegjës.
  13. Nuk përcaktohet nëse sanksionet do të vendosen nga ILDKPKI apo një organ tjetër (p.sh. Inspektorati i Punës), duke krijuar pasiguri procedurale.
  14. Projektligji nuk përcakton se cila është gjykata kompetente për shqyrtimin e ankesave, çka mund të çojë në interpretime të ndryshme.
  15. Termi “vullnetar” duhet të reflektohet edhe në nenin 3, pika 2, për të harmonizuar fushën e zbatimit.
  16. Duhet përcaktuar organi përgjegjës (p.sh. ILDKPKI) për zhvillimin e trajnimeve të njësive përgjegjëse.
  17. Sygjerohet shtimi i një neni të veçantë që ngarkon ILDKPKI me detyrimin për të ndërmarrë masa të rregullta për ndërgjegjësim dhe trajnime në fushën e sinjalizimit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve. Ky nen mund të përfshijë:
    • organizimin e trajnimeve periodike për punonjës publikë dhe privatë;
    • zhvillimin e fushatave informuese dhe publikimeve udhëzuese për publikun;
    • përgatitjen e raporteve vjetore publike mbi zbatimin e ligjit.
  1. Sygjerohet një dispozitë pas nenit 26 “Kundërvajtje dhe masa administrative” që parashikon masa disiplinore ndaj personave përgjegjës për shkeljen e konfidencialitetit ose ushtrimin e veprimeve hakmarrëse ndaj sinjalizuesve. Dispozita duhet të përcaktojë që:
    • përveç gjobave, zyrtarët publikë përballen me masa disiplinore sipas ligjit për nëpunësin civil;
    • ILDKPKI ka detyrimin të njoftojë institucionin përkatës për nisjen e procedurës disiplinore;
    • masat disiplinore nuk përjashtojnë sanksionet administrative.

 

Skip to content