In News

Anëtarësisë së Kodit të Standardeve për OJFtë në Shqipëri i bashkohen anëtarë të rinj!

Anëtarësia e Kodit vazhdon të zgjerohet me anëtarë të rinj! Muajtë e fundit, Qendra psiko – sociale “Vatra”, COSV në Shqipëri, Forumi i Gruas Elbasan, Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën – (SHKEJ) dhe Fondacionit “Fryma e Dashurisë” – Diakonia Agapes, kanë shprehur vullnetin e tyre për t’u anëtarësuar në Kodin e Standardeve për OJF-të dhe për të zhvilluar veprimtarinë e tyre sipas parimeve dhe angazhimeve të Kodit.

Kodi i Standardeve për OJF-të në Shqipëri është një mekanizëm vetërregullues i cili synon të rrisë efektivitetin e punës së tyre si dhe besimin tek mbështetësit, përfituesit dhe grupe të tjera të interesit, nëpërmjet zbatimit të praktikave të mirëqeverisjes së sektorit si dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Kodi është një tërësi parimesh dhe angazhimesh mbi mënyrën se si organizatat zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

Ai është një mjet për të ndërtuar organizata më të forta dhe më efektive në sektorin jofitimprurës duke krijuar një bazë mbi të cilën praktikat e drejtimit dhe manaxhimit vlerësohen dhe përmirësohen. Kodi i udhëheq OJF-të në një proces edukimi dhe ndryshimi, drejt standardeve më të larta, duke zhvilluar kështu besimin tek palët e interesuara dhe duke rritur legjitimitetin dhe besueshmërinë e OJF-ve.

Anëtarësia e Kodit të Standardeve, deri në këtë moment, përbëhet nga 21 organizata jofitimprurëse të cilat kanë kaluar në procesin e vlerësimit të përmbushjes së standardeve, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në Kodin e Standardeve për OJF-të. Më shumë informacion mbi procesin e Anëtarësimit lexoni këtu

Bëhuni dhe Ju anëtarë të Kodit! Procesi i anëtarësimit është i hapur në çdo kohë! Dërgoni shprehjen e interesit dhe dokumentacionin e nevojshëm në platformën standards4npo.al! Për më shumë informacion dhe pyetje na shkruani në info@resourcecentre.al