Search
Close this search box.

Komente dhe Rekomandime mbi Projektligjin “Për Vullnetarizmin”

KOMENTE DHE REKOMANDIME MBI PROJEKT LIGJIN “PËR VULLNETARIZMIN” 

  1. Terminologjia dhe konceptualizimi i gabuar i vullnetarizmit si marrëdhënie pune

Projektligji vijon të përkufizojë vullnetarizmin në mënyrë të pasaktë, duke përdorur një gjuhë që e barazon atë me marrëdhëniet e punës. Kjo qasje bie ndesh me natyrën thelbësisht jo-formale dhe qytetare të angazhimit vullnetar. Në mënyrë të veçantë, neni 19, pika 3, përcakton se “marrëdhëniet që lindin nga kontrata e vullnetarizmit, në mungesë të një rregullimi të posaçëm në këtë ligj, rregullohen nga dispozitat përkatëse të Kodit të Punës dhe akteve nënligjore në zbatim të tij”, duke përforcuar më tej konvergimin e papërshtatshëm me një kuadër që është i dizenjuar për marrëdhëniet kontraktuale punëdhënës-punëmarrës.

Ky formulim krijon pasiguri ligjore për organizatat ofruese dhe vullnetarët, si dhe rrezikon që vullnetarizmi të trajtohet de facto si punësim informal, me pasoja të mundshme edhe në aspektin e tatimeve, sigurimeve dhe inspektimeve nga autoritetet përkatëse.

Për më tepër, kjo bie ndesh me parimet e pranuara ndërkombëtare për vullnetarizmin. Sipas rekomandimeve të Këshillit të Evropës për promovimin e vullnetarizmit, shtetet anëtare duhet të përcaktojnë qartë se marrëdhënia e vullnetarizmit nuk është marrëdhënie pune, duke ruajtur dallimin thelbësor midis një akti të lirë qytetar dhe një angazhimi të bazuar në kompensim financiar. Po ashtu, Karta për Vullnetarizmin e BE-së (EU Volunteering Charter) thekson se vullnetarizmi nuk është as punë, as alternativë ndaj punës, por një akt solidariteti dhe pjesëmarrjeje aktive.

Rekomandim: Të hiqet çdo referencë ndaj marrëdhënieve të punës nga projektligji dhe të përshtatet kuadri ligjor me natyrën dhe parimet thelbësore të vullnetarizmit. Në rastet kur nevojiten dispozita ndihmëse, ato duhet të jenë specifike për vullnetarizmin, duke respektuar karakterin e tij jo për përfitim dhe jo të detyrueshëm.

  1. Mungesa e dispozitave për vullnetarizmin masiv

Projektligji nuk përfshin parashikime për vullnetarizmin masiv, një formë e rëndësishme mobilizimi qytetar në raste si fatkeqësi natyrore, kriza apo fushata të mëdha shoqërore. Në vende të tjera evropiane, legjislacioni për vullnetarizmin përfshin dispozita të posaçme për këto situata, të ndërlidhura me ligje për emergjencat civile.

Rekomandim: Të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së një neni të veçantë për vullnetarizmin masiv, në përputhje me ligjet ekzistuese për emergjencat, që të mundësojë një kornizë të qartë bashkëpunimi, përgjegjësie dhe mbrojtjeje për vullnetarët e angazhuar në këto raste.

  1. Sigurimi i vullnetarëve

Projektligji ngarkon organizatat jofitimprurëse me detyrimin për të siguruar vullnetarët kundër aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale, por nuk garanton një mekanizëm të qartë, funksional dhe të qëndrueshëm, mbështetës për këtë detyrim. Edhe pse parashikohet mundësia e kompensimit nga shteti, kjo lidhet me një akt nënligjor, duke lënë të paqartë procedurat, kriteret dhe qasjen në këtë kompensim.

Kjo situatë krijon pasiguri dhe barrë financiare sidomos për organizatat e vogla dhe lokale, të cilat nuk kanë kapacitet të përballojnë paraprakisht këto kosto, por është gjithashtu sfiduese edhe për organizatat më të mëdha, në kushtet kur sektori po përballet gjithnjë e më shumë me burime të limituara financimi. Mungesa e një skeme të qartë rimbursimi përbën pengesë reale për zhvillimin e mëtejshëm të vullnetarizmit.

Rekomandim: Projektligji duhet të parashikojë një mekanizëm të qartë dhe të qëndrueshëm shtetëror për mbulimin e sigurimeve për vullnetarët, përmes një skeme publike, fondi të dedikuar ose mbështetjeje financiare për OJF-të. Kjo do të mundësonte akses më të drejtë, do të hiqte pasigurinë mbi kompensimin dhe do të inkurajonte përhapjen e vullnetarizmit në vend, në përputhje me praktikat e mira evropiane.

  1. Nevoja për përjashtim të qartë të qëllimeve politike, fetare apo ekstremiste

Në nenin 18, pika 2, shkronja b e projektligjit parashikon që institucionet publike mund të organizojnë apo të mbështesin vullnetarizmin “për qëllime edukative dhe qytetare”. Megjithatë, formulimi aktual është i paqartë dhe hap mundësi interpretimi të gjerë, duke mos përjashtuar në mënyrë eksplicite përdorimin e vullnetarizmit për qëllime politike, fetare, propagandistike apo ekstremiste.

Praktikat e mira ndërkombëtare dhe aktet ndërkombëtare që rregullojnë pjesëmarrjen qytetare dhe vullnetarizmin theksojnë nevojën për të mbrojtur hapësirën qytetare nga politizimi apo ekstremizmi. Përfshirja e një klauzole të qartë për përjashtimin e këtyre qëllimeve ndihmon në ruajtjen e natyrës jopolitike dhe gjithëpërfshirëse të vullnetarizmit.

Rekomandim: Sugjerojmë që në përmbajtjen e ligjit të shtohet një klauzolë e qartë që përcakton se vullnetarizmi nuk mund të përdoret për qëllime politike, fetare, propagandistike apo ekstremiste, si dhe të bëhet një riformulim i nenit 18 për të shmangur çdo hapësirë interpretuese që mund të çojë në keqpërdorim. Kjo do të garantonte ruajtjen e karakterit të pastër qytetar, solidar dhe edukativ të vullnetarizmit në Shqipëri.

  1. Rregullimi i rimbursimit të shpenzimeve

Projektligji (neni 14) parashikon që rimbursimi i shpenzimeve për vullnetarët nuk duhet të tejkalojë 30% të pagës minimale në shkallë vendi. Ky kufizim i përcaktuar numerikisht nuk reflekton larmishmërinë e nevojave që lindin nga angazhimet e ndryshme vullnetare, veçanërisht kur ato përfshijnë transport, ushqim, akomodim, mjete pune ose pjesëmarrje në aktivitete jashtë vendbanimit.

Në praktikat e shteteve anëtare të BE-së, rimbursimi i shpenzimeve trajtohet si një masë mbështetëse që nuk duhet të përbëjë përfitim financiar, por që siguron mbulimin e kostove reale dhe të justifikuara të lidhura me shërbimin vullnetar.

Rekomandim: Propozojmë që projektligji të mos vendosë një përqindje fikse, por të përcaktojë si parim që rimbursimi i shpenzimeve të jetë i lidhur me kosto reale, në funksion të mbështetjes së vullnetarit.

  1. Regjistri i vullnetarëve

Projektligji parashikon krijimin e një Regjistri Elektronik për Vullnetarizmin, i cili do të administrohet nga institucioni përgjegjës për punësimin. Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë të dhënash specifike do të përfshihen, si do të garantohet mbrojtja e të dhënave personale dhe në çfarë forme do të realizohet raportimi nga organizatat. Pa sqarime të detajuara mbi përmbajtjen, frekuencën dhe mënyrën e raportimit, ekziston rreziku që ky sistem të kthehet në një detyrim administrativ shtesë, veçanërisht për organizatat me kapacitete të kufizuara.

Rekomandim: Regjistri duhet të mbetet një mjet funksional për evidentim dhe analizë, jo një mekanizëm kontrolli administrativ. Ligji duhet të përcaktojë qartë natyrën dhe nivelin e të dhënave që do të mblidhen, duke respektuar parimet e proporcionalitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Raportimi nga organizatat duhet të jetë periodik, i thjeshtuar dhe i harmonizuar me praktikat e vendeve të BE-së, duke synuar reduktimin e barrës administrative. Regjistri mund të fokusohet tek ofruesit e vullnetarizmit, dhe jo tek vetë vullnetarët, duke garantuar kështu mbledhjen e të dhënave të përgjithshme dhe jo personale, dhe lejuar mbledhjen e informacionit të nevojshëm për vullnetarizmin në vend.

  1. Libreza e vullnetarit

Projektligji parashikon një “librezë elektronike” për vullnetarët, që do të lëshohet nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë. Megjithëse synon të dokumentojë kontributin vullnetar, qëllimi, përdorimi praktik dhe lidhja e saj me regjistrin mbeten të paqartë. Ekziston rreziku që kjo të shtojë procedura burokratike pa ofruar vlerë reale për vullnetarët apo organizatat. Kjo qasje përforcon një rol të panevojshëm burokratik dhe centralizues të shtetit në një fushë që karakterizohet nga fleksibilitet dhe veprimtari e organizuar në nivel komunitar ose joformal. Përvoja në vendet e Bashkimit Evropian nuk njeh mekanizma të centralizuar për të dokumentuar vullnetarët individualë. Në vend të kësaj, shpesh aplikohen forma të thjeshta verifikimi përmes kontratave, deklaratave apo vërtetimeve nga vetë ofruesit e vullnetarizmit. Në disa raste, vendet përdorin dhe mjete për njohjen e kompetencave të fituara nga vullnetarët (p.sh. pasaportat e kompetencave), por këto nuk janë të lëshuara nga institucione shtetërore, as të detyrueshme, dhe nuk kanë funksion administrativ.

Rekomandim: Lëshimi dhe menaxhimi i librezës së vullnetarit nuk duhet të jetë i centralizuar nga shteti, siç parashikohet në projektligj. Mund të shqyrtohet opsioni që lëshimi i saj të jetë vullnetar dhe jo i detyrueshëm, si dhe të lejohet lëshimi i saj nga vetë ofruesit e vullnetarizmit. Ligji duhet të shmangë çdo element që mund të frenojë përfshirjen e lirë të qytetarëve në vullnetarizëm.

  1. Dispozitat ndëshkuese: në kundërshtim me frymën nxitëse të ligjit për vullnetarizmin

Projektligji parashikon masa ndëshkuese për subjektet që nuk zbatojnë detyrimet e përcaktuara, përfshirë gjoba që variojnë nga 20,000 në 50,000 lekë. Këto dispozita nuk përputhen me natyrën e ligjeve për vullnetarizmin në vendet e BE-së, ku qasja është orientuese, edukative dhe jo ndëshkuese.

Ligjet për vullnetarizmin në shumicën e vendeve evropiane synojnë të krijojnë një kuadër mbështetës dhe nxitës për aktorët që kontribuojnë në mënyrë vullnetare në shoqëri. Përkundrazi, dispozitat ndëshkuese të këtij projektligji mund të kenë efekt frenues, duke rritur ndjeshëm barrën administrative për organizatat jofitimprurëse dhe duke penguar zhvillimin e një kulture të gjallë të vullnetarizmit.

Në veçanti, projektligji parashikon gjoba për mosregjistrim ose mospërmbushje të detyrimeve procedurale, të cilat shpesh janë rezultat i mungesës së burimeve apo kapaciteteve dhe jo keqbesimi apo abuzimi.

Rekomandim: Sugjerojmë heqjen e dispozitave ndëshkuese financiare dhe zëvendësimin e tyre me mekanizma nxitës dhe edukues si: asistenca teknike për organizatat, monitorimi i lehtësuar dhe fushata informuese mbi zbatimin e ligjit. Kjo qasje do të ndihmonte në ndërtimin e një ambienti të favorshëm për zhvillimin e vullnetarizmit, në përputhje me standardet evropiane dhe realitetin shqiptar.

  1. Përafrimi me legjislacionin aktual

Për të siguruar një zbatim të plotë dhe efektiv të ligjit të ri për vullnetarizmin, është e domosdoshme që miratimi i tij të shoqërohet me përditësime përkatëse në akte të tjera ligjore që lidhen me fusha të ndërthurura, si:

  • Ligji për të huajt, për të rregulluar qartë statusin e vullnetarëve ndërkombëtarë në Shqipëri, përfshirë lejet e qëndrimit dhe kriteret e angazhimit;
  • Ligji për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, për të përcaktuar mundësinë e mbulimit të vullnetarëve që angazhohen për periudha të gjata ose në fusha me rrezik specifik, pa cenuar parimet e vullnetarizmit; etj.

Rekomandim: Të ndërmerren masa për harmonizimin e ligjit për vullnetarizmin me legjislacionin ekzistues për të shmangur boshllëqe ligjore, paqartësi në zbatim apo trajtim të pabarabartë të vullnetarëve vendas dhe ndërkombëtarë.

Skip to content