Tiranë, 7 tetor 2025
Komente lidhur me projektligjin për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve:
- Projektligji i ri nuk përcakton shprehimisht shfuqizimin e Ligjit Nr. 60/2016, gjë që krijon pasiguri ligjore dhe mundësi për mbivendosje kompetencash ndërmjet dispozitave të reja dhe atyre ekzisuese.
- Mungojnë dispozita kalimtare për strukturat ekzistuese të sinjalizimit, çka mund të sjellë ndërprerje në zbatimin praktik të mekanizmave aktualë.
- Projektligji i referohet ILDKPKI-së si organ i pavarur, por pa përcaktuar garanci konkrete për pavarësinë funksionale dhe buxhetore, siç kërkohet nga Direktiva e BE-së, për aq kohë sa institucioni mbetet financiarisht i varur nga qeveria.
- Nuk është sqaruar bashkëpunimi me organet e tjera të zbatimit të ligjit (SPAK, ILD, Prokuroria), duke rrezikuar mbivendosje ose mungesë koordinimi në hetimet administrative dhe penale.
- Afatet e përcaktuara (7 ditë për marrje njoftimi dhe 3 muaj për përgjigje) bien ndesh me afatet standarde të Kodit të Procedurave Administrative (30 ditë për trajtim çështjeje). Ky ligj mund të shkaktojë paqartësi në rast ankimimi ose apelimi.
- Dispozitat për mbrojtjen nga hakmarrja nuk janë të harmonizuara me mekanizmat ekzistues të rivendosjes në punë apo dëmshpërblimit sipas Kodit të Punës.
- Nuk është përcaktuar qartë nëse ILDKPKI apo Inspektorati i Punës ka kompetencën për të ndërhyrë dhe mbrojtur sinjalizuesit në rastet e penalizimit të padrejtë në vendin e punës, duke lënë vakum institucional.
- Projektligji nuk përcakton detyrimin për referimin e menjëhershëm të rasteve me elementë penalë pranë SPAK-ut ose Prokurorisë, gjë që krijon vakum në bashkëpunim ndërinstitucional, vonesa në veprim dhe ulje të efikasitetit të mekanizmit të sinjalizimit.
- Mungon garancia që sinjalizuesit nuk do të ndiqen penalisht për ‘kallëzim të rremë’ (neni 300 i Kodit Penal) kur veprojnë me mirëbesim.
- Projektligji nuk i bën referencë të qartë Ligjit Nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Rregullores së Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), ndonëse trajton të dhëna të ndjeshme për individët. Përcaktimi eksplicit i lidhjes me këto akte është thelbësor për të siguruar harmonizim me standardet evropiane, mbrojtje efektive të konfidencialitetit dhe siguri juridike në trajtimin e informacionit të sinjalizuesve.
- Parashikimi i afatit 5‑vjeçar për ruajtjen e të dhënave është joproporcional dhe në kundërshtim me parimin e kufizimit të qëllimit sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave. Shumica e shteteve anëtare të BE-së parashikojnë 2 deri në 3 vjet, dhe ruajtja e të dhënave për një kohë të gjatë pas përfundimit të hetimit administrative, përbën risk.
- Shumat e gjobave 50,000 – 500,000 Lekë (përaf. 520 – 5,200 EUR) janë të ulëta për të pasur efekt ndëshkues dhe parandalues. Në praktikën e vendeve të BE-së, masat administrative shkojnë 600,000 apo edhe 900,000 Euro, në rastet e hakmarrjes apo zbulimit të identitetit te sinjalizuesit. Projektligji gjithashtu nuk bën dallim midis subjekteve publike dhe private me qarkullim të madh financiar, personave fizikë dhe juridikë. Mungojnë parashikimet për rastet e përsëritura si dhe masat shtesë disiplinore për zyrtarët publikë përgjegjës.
- Nuk përcaktohet nëse sanksionet do të vendosen nga ILDKPKI apo një organ tjetër (p.sh. Inspektorati i Punës), duke krijuar pasiguri procedurale.
- Projektligji nuk përcakton se cila është gjykata kompetente për shqyrtimin e ankesave, çka mund të çojë në interpretime të ndryshme.
- Termi “vullnetar” duhet të reflektohet edhe në nenin 3, pika 2, për të harmonizuar fushën e zbatimit.
- Duhet përcaktuar organi përgjegjës (p.sh. ILDKPKI) për zhvillimin e trajnimeve të njësive përgjegjëse.
- Sygjerohet shtimi i një neni të veçantë që ngarkon ILDKPKI me detyrimin për të ndërmarrë masa të rregullta për ndërgjegjësim dhe trajnime në fushën e sinjalizimit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve. Ky nen mund të përfshijë:
- organizimin e trajnimeve periodike për punonjës publikë dhe privatë;
- zhvillimin e fushatave informuese dhe publikimeve udhëzuese për publikun;
- përgatitjen e raporteve vjetore publike mbi zbatimin e ligjit.
- Sygjerohet një dispozitë pas nenit 26 “Kundërvajtje dhe masa administrative” që parashikon masa disiplinore ndaj personave përgjegjës për shkeljen e konfidencialitetit ose ushtrimin e veprimeve hakmarrëse ndaj sinjalizuesve. Dispozita duhet të përcaktojë që:
- përveç gjobave, zyrtarët publikë përballen me masa disiplinore sipas ligjit për nëpunësin civil;
- ILDKPKI ka detyrimin të njoftojë institucionin përkatës për nisjen e procedurës disiplinore;
- masat disiplinore nuk përjashtojnë sanksionet administrative.