PASQYRAT FINANCIARE DHE STANDARDET E KONTABILITETIT PËR OJF-TË
PASQYRAT FINANCIARE DHE STANDARDET E KONTABILITETIT PËR OJF-TE
Bazuar në Ligjin nr.25/2018, datë 10.05.2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, pjesët përbërëse të pasqyrave financiare për OJF-të janë:
- pasqyra e pozicionit financiar;
- pasqyra e aktiviteteve;
- pasqyra e fluksit të mjeteve monetare;
- shënimet shpjeguese.
OJF-të që kanë shifrën e aktivit ose shifrën e të ardhurave më të madhe se 5 milion lekë, zbatojnë kontabilitetin me të drejta dhe detyrime të konstatuar dhe ndërtojnë të gjitha pasqyrat financiare sipas paragrafit 25 të “Standardit Kombëtar të Kontabilitetit të Organizatave Jo Fitimprurëse”. OJF-të të cilat nuk plotësojnë këtë kriter zbatojnë kontabilitetin mbi baza monetare dhe ndërtojnë vetëm pasqyrën e fluksit të mjeteve monetare të shoqëruar me shënimet shpjeguese lidhur me llojin e aktiviteteve apo shërbimeve që ofrojnë.
Sipas Ligjit nr.10 091, datë 5.3.2009 “Për Auditimin ligjor, Organizimin e Profesionit të Ekspertit Kontabël të Regjistruar dhe të Kontabilistit të Miratuar”, i ndryshuar[2], OJF-të nuk bëjnë pjesë tek subjektet që detyrohen shprehimisht të kryejnë auditim ligjor të pasqyrave financiare vjetore.
Duke filluar nga 1 Janari 2019, me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, të gjitha OJF-të që tejkalojnë vlerën 30 milion lekë në shifrën e aktivit ose të ardhurave në pasqyrat financiare, kanë detyrim të publikojnë pasqyrat financiare në faqen e tyre zyrtare të internetit.