• Rruga e Elbasanit, PARK GATE, kati 10te, Ap. 73, Tirana
  • +355 4 2254881
  • info@resourcecentre.al

AKTIVITETI EKONOMIK I OJF-ve

A munden OJF-të të kryejnë aktivitet ekonomik? Nëse po, a ka limit?

OJF-të  si pjesë e veprimtarisë së tyre, mund të kryejnë aktivitet ekonomik. Aktiviteti ekonomik NUK duhet të jetë aktiviteti primar i OJF-ve (aktiviteti jo-ekonomik duhet të mbizotërojë). Të ardhurat vjetore nga aktiviteti ekonomik nuk duhet të kalojnë 20% të të ardhurave totale vjetore të OJF-së.

Lexoni për më shumë:
→ Ligji Nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”  i ndryshuar.
→ VKM Nr. 953, datë 29.12.2014 për dispozitat zbatuese të Ligjit Nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Nëse një OJF kryen aktivitet ekonomik, a duhet të lëshojë faturë tatimore?

Si çdo entitet tjetër që kryen veprimtari ekonomike, OJF-të konsiderohen “person i tatueshëm” dhe si i tillë ka detyrimin për lëshimin e faturave tatimore në rast se kryejnë aktivitet ekonomik.

Lexoni për më shumë:
→ Udhëzim Nr.24, datë 02.09.2008 i ndryshuar, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Kur lind detyrimi i OJF-së për t’u pajisur me kasë fiskale?

Nëse OJF-ja kryen qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës por me para në dorë, i lind detyrimi për të instaluar dhe për të përdorur sistemin fiskal nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale (kasa fiskale), për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin në mënyrë të detyrueshme të kuponit tatimor.

Lexoni për më shumë:
→ Udhëzim Nr.24, datë 02.09.2008 i ndryshuar, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

A kanë të drejtë OJF-të të marrin pjesë në tendera publikë?

OJF-të, si çdo subjekt tjetër juridik, kanë të drejtë të marrin pjesë në proceset e tenderimit dhe prokurimit të granteve, kontraktimit dhe të shitblerjeve nga ana e organeve shtetërore të shërbimeve publike, të mallrave dhe të pasurive publike, si dhe të transferimit të shërbimeve publike dhe pasurive përkatëse nga sektori publik tek organizatat jofitimprurëse.

A janë OJF-të subjekti i ligjit për TVSH-në dhe nëse po, a u rimbursohet TVSH-ja?

Nëse qarkullimi vjetor ekonomik i OJF-së tejkalon kufirin e regjistrimit në TVSH prej 2 milionë lekë, atëherë OJF-ja, si çdo person tjetër i tatueshëm duhet të regjistrohet dhe të deklarojë TVSH-në.

Ashtu si çdo subjekt i tatueshëm, OJF-ve u lind e drejta për të kërkuar rimbursimin e TVSH-së për aktivitetin e tyre ekonomik, nëse plotësojnë njëkohësisht kriteret e parashikuara në ligjin e TVSH-së:

  • ka tepricë kreditore të TVSH-së për tre muaj rresht;
  • shuma e TVSH-së së kërkuar duhet të tejkalojë 400,000 Lek.

Lexoni për më shumë:
→ Ligji Nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”  i ndryshuar.

Kur janë OJF-të të përjashtuara nga TVSH-ja?

OJF-të kanë të drejtë të përfitojnë nga përjashtimi i TVSH-së për disa aktivitete ekonomike që konsiderohen si “aktivitete me interes të publikut”. Për të përfituar përjashtimin nga TVSH-ja për këto lloj aktivitetesh, OJF-të duhet të plotësojnë tre kriteret si më poshtë vijon:

  • Organet vendimmarrëse të OJF-ve nuk duhet të kenë interesa të lidhura drejtpërdrejt me veprimtarinë e organizatës;
  • Aktiviteti jo-ekonomik i organizatës duhet të mbizotërojë në mënyrë të dukshme në raport me pjesën tjetër të aktiviteteve. Aktiviteti ekonomik nuk mund të kalojë 20% të të ardhurave vjetore të organizatës jofitimprurëse;
  • Produktet apo shërbimet e ofruara nga OJF-të nuk duhet të konkurrojnë me sektorin fitimprurës. OJF-të që plotësojnë këto kritere duhet të paraqesin një kërkesë së bashku me listën e dokumenteve të kërkuara pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse për përjashtimin nga TVSH-ja. Vendimi për përjashtimin nga TVSH-ja miratohet dhe firmoset nga Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore, për një periudhë tre vjeçare, me të drejtë ripërtëritje.

Lexoni për më shumë:
→ VKM Nr. 953, datë 29.12.2014 Për dispozitat zbatuese të ligjit Nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

A janë grantet të përjashtuara nga TVSH-ja?

Çdo OJF që përfiton pagesa si grante nga donatorë për qëllime të veprimtarisë jofitimprurëse të organizatës, në përputhje me ligjin për OJF-të dhe si kundërvlerë e këtyre pagesave të përfituara nuk i kryen donatorëve një furnizim malli ose shërbimi, por pagesat e përfituara i përdor për të realizuar qëllimin e veprimtarisë se saj jofitimprurëse, atëherë këto shuma të përfituara nuk janë në fushën e  zbatimit të TVSH-së.

Lexoni për më shumë:
→ Ligji Nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”  i ndryshuar.