• Rruga e Elbasanit, PARK GATE, kati 10te, Ap. 73, Tirana
  • +355 4 2254881
  • info@resourcecentre.al

PASQYRAT FINANCIARE DHE STANDARDET E KONTABILITETIT PËR OJF-të

Kush janë përbërësit e pasqyrave financiare?

Bazuar në Ligjin Nr. 25/2018, datë 10.05.2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” , pjesët përbërëse të pasqyrave financiare për OJF-të janë:

  • pasqyra e pozicionit financiar;
  • pasqyra e aktiviteteve;
  • pasqyra e fluksit të mjeteve monetare;
  • shënimet shpjeguese

A ka diferencim në raportim midis OJF-ve të vogla dhe të mëdha?

OJF-të që kanë shifrën e aktivit ose shifrën e të ardhurave më të madhe se 5 milion lekë, zbatojnë kontabilitetin me të drejta dhe detyrime të konstatuar dhe ndërtojnë të gjitha pasqyrat financiare sipas paragrafit 25 të “Standardit Kombëtar të Kontabilitetit të Organizatave Jo Fitimprurëse”. OJF-të të cilat nuk plotësojnë këtë kriter zbatojnë kontabilitetin mbi baza monetare dhe ndërtojnë vetëm pasqyrën e fluksit të mjeteve monetare të shoqëruar me shënimet shpjeguese lidhur me llojin e aktiviteteve apo shërbimeve që ofrojnë.

A është e detyrueshme për një OJF të kryejë auditim ligjor të pasqyrave financiare vjetore nga ekspertë kontabël apo shoqëri audituese?

Sipas Ligjit Nr.10 091, datë 5.3.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar” , OJF-të nuk bëjnë pjesë tek subjektet që detyrohen të kryejnë auditim ligjor të pasqyrave financiare vjetore.

A kanë detyrim ligjor OJF-të për publikimin e pasqyrave financiare?

Prej 1 Janarit 2019, me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, të gjitha OJF-të që tejkalojnë vlerën 30 milion lekë në shifrën e aktivit ose të ardhurave në pasqyrat  financiare, kanë detyrim të publikojnë pasqyrat financiare në faqen e tyre zyrtare të internetit.