Search
Close this search box.

THEMELIMI DHE REGJISTRIMI I OJF-VE

THEMELIMI DHE REGJISTRIMI I OJF-VE OJF-TE

Bazuar në nenin 46 të Ligjit nr.8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikohet së kushdo ka të drejtën për t’u organizuar në mënyrë kolektive për çdo qëllim të ligjshëm, dhe se regjistrimi i organizatave dhe shoqatave bëhet sipas procedurës së parashikuar me ligj në gjykatë. Organizatat ose shoqatat që ndjekin qëllime antikushtetuese janë të ndaluara sipas ligjit.

Po kështu, bazuar në nenin 4 të Ligjit nr.8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, i ndryshuar, çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, ka të drejtë të themelojë një organizatë jofitimprurëse, të jetë anëtar i saj ose të marrë pjesë në organet drejtuese ose në personelin administrativ të organizatës jofitimprurëse.

Tre janë format e organizimit të një OJF-je: Shoqatat, Fondacionet, Qendrat veprimtaria e të cilave zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga shteti.

Lexoni për më shumë:
“Për organizatat jofitimprurëse”

Ndërmarrja Sociale nuk mund të konsiderohet si një formë e veçantë organizimi për OJF-të. Ndërmarrjet Sociale organizohen dhe funksionojnë sipas Ligjit nr.65/2016, datë 09.06.2016 “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”, dhe njohja e statusit të ndërmarrjes sociale, për një subjekt krijuar dhe regjistruar si OJF, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet sociale.

Bazuar në Ligjin nr.80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, aktet për regjistrimin fillestar të organizatave jofitimprurëse janë: Kërkesa për regjistrimin fillestar të plotësuar më të gjitha të dhënat e detyrueshme; Statuti dhe akti i themelimit; Akti për përcaktimin e përfaqësuesit ligjor të organizatës jofitimprurëse, nëse nuk përfshihet në aktet e mësipërme. Për fondacionet që themelohen në bazë të një akti testamentar, bashkë me kërkesën për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, depozitohet testamenti dhe statuti në rastet kur është hartuar dhe miratuar nga ekzekutori i testamentit. Degët e organizatave jofitimprurëse të huaja, përveç përmbushjes së kërkesave të tjera të legjislacionit në fuqi, regjistrohen duke depozituar kërkesën për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, si dhe: aktin e themelimit e statutin e organizatës jofitimprurëse të huaj, kur këto janë dy dokumente të veçanta ose, në mungesë, aktin ekuivalent të krijimit sipas legjislacionit të huaj, si dhe tekstin e plotë të tyre me ndryshimet e mëpasshme; dokumentacionin që vërteton regjistrimin e organizatës jofitimprurëse të huaj në juridiksionin e huaj; dokumentacionin që vërteton gjendjen aktuale të organizatës jofitimprurëse të huaj, të lëshuar brenda një afati jo më shumë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga data e paraqitjes së kërkesës, me të dhënat e regjistrimit dhe të përfaqësimit, përfshirë informacionin nëse është në proces likuidimi apo falimentimi; vendimin ose aktet e tjera të organit kompetent të organizatës jofitimprurëse të huaj sipas legjislacionit të huaj për hapjen e degës në Shqipëri.

Organizatat jofitimprurëse, pasi themelohen duhet të regjistrohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara në ligj, për t’u regjistruar më pas edhe pranë organeve tatimore. Regjistrimi në organet tatimore dhe pajisja me NIPT bëhet duke u paraqitur në zyrat rajonale tatimore ku OJF-ja do të zhvillojë veprimtarinë e saj.

Organizatat jofitimprurëse, pasi themelohen duhet të regjistrohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara në ligj, për t’u regjistruar më pas edhe pranë organeve tatimore. Register of Beneficiary Owners (RPP). Regjistrimi fillestar dhe regjistrim tjetër i organizatave jofitimprurëse kryhet nëpërmjet paraqitjes së kërkesës për regjistrim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, brenda afatit 30 ditë nga dita e themelimit.

Dokumentacioni që paraqitet për regjistrim në Administratën Tatimore sipas Ligjit nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është si më poshtë:

  • Vendimi i Gjykatës, Statuti dhe Akt-Themelimi i noterizuar;
  • Fotokopje e Kartës së Identitetit ose Pasaportës së administratorit apo përfaqësuesit ligjor;
  • Të dhënat për pronësinë e selisë (kontratë qiraje/ huapërdorje ose akt pronësie);
  • Formulari i regjistrimit i plotësuar.

Pas marrjes së certifikatës së NIPT-it, subjekti pajiset dhe me fjalëkalimin që do të shërbejë për deklarimin online.

Për më shumë informacion mbi regjistrimin e OJF lexoni këtu.

Procesi i themelimit dhe regjistrimi i OJF-ve ka kosto. Kostot mund variojnë nga 7,000 deri në 35,000 Lekë (këtu përfshihen kosto printimi, noterizime, tarifa e gjykatës, transport, kosto pune, etj).

Çdo OJF që kryen regjistrimin fillestar mbart edhe detyrimin që të regjistrojë çdo ndryshim në të dhënat e njoftuara dhe në dokumentet shoqëruese që depozitohen në regjistrin elektronik të OJF. Në rast ndryshimi të aktit të themelimit ose statutit, depozitohet edhe teksti i plotë i tyre, që pasqyron ndryshimet e mëpasshme. Për degët e organizatave jofitimprurëse të huaja depozitohet statuti dhe akti i themelimit i organizatës jofitimprurëse të huaj ose dokumenti ekuivalent i krijimit, sipas legjislacionit të huaj, me tekstin e plotë që pasqyron ndryshimet e bëra. Sipas Ligjit nr.80/2021 “Për regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse”, organizatat jofitimprurëse duhet të regjistrojnë dhe të depozitojnë aktet përkatëse, si më poshtë:

  • çdo ndryshim në statut; pasqyrat financiare vjetore të mbajtura sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme; emërimin e likuidatorit, si dhe të dhënat e tij të identifikimit;
  • aktet e prishjes, të mbylljes ose të shpërndarjes, aktet e transformimit, të bashkimit, të ndarjes, hapjes së procedurave të administrimit, likuidimit ose riorganizimit, si dhe aktet e tjera të ndërmjetme, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Për degët e organizatave jofitimprurëse të huaja regjistrohen edhe aktet e transformimit, të bashkimit, të ndarjes, të hapjes dhe të mbylljes së procedurave të likuidimit ose të falimentimit të organizatës jofitimprurëse të huaj; vendet e tjera të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga selia;
  • kompetencat e përfaqësimit të organeve drejtuese ose të likuiduesve; emri, mbiemri, datëlindja dhe vlera e kontributeve pasurore të fondit themelues (nëse ka të tilla);
  • çdo regjistrim tjetër të detyrueshëm sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Ndryshimet që depozitohen / kryhen pranë Administratës Tatimore përkatëse (Drejtoria Rajonale Tatimore dhe Seksioni i Taksave Vendore në Bashkinë përkatëse) janë:

  • Reflection of changes made by Court Decision; Pasqyrimi i ndryshimeve të kryera me Vendim Gjykate;
  • Hapja/mbyllja e adresave dytësore dhe lëshimi i çertifikatave përkatëse;
  • Ndryshimi i përgjegjësive tatimore (shtimi/heqja).

Lexoni për më shumë: Formulari i Ndryshimeve.

Nëse OJF-ja nuk deklaron për një periudhë më të gjatë se 12 muaj të njëpasnjëshëm, ose ka vendosur të ndërpresë aktivitetin për një periudhë më të gjatë se 12 muaj ose pa afat, dhe këtë vendim e njofton zyrtarisht, OJF kalon në status pasiv.

Kalimi në status pasiv i OJF-ve bëhet me kërkesë të OJF ose nga Administrata Tatimore përkatëse kur përmbushen kushtet ligjore:

  • Me kërkesë zyrtare të subjektit – kur ky i fundit vendos të ndërpresë aktivitetin për një periudhë më të gjatë se 12 muaj ose pa afat;
  • Nga Administrata Tatimore – në rast se subjekti dorëzon deklarata pa aktivitet (me zero) ose kur nuk deklaron për një periudhë më të gjatë se 12 muaj të njëpasnjëshëm.

Për të gjithë periudhën që subjekti OJF ndodhet në status “Pasiv”, ai nuk ka detyrimin për të dorëzuar deklaratat tatimore (gjenerimi i deklaratave ndërpritet automatikisht).

Bazuar në nenin 44 të Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, administrata tatimore transferon regjistrimin e tatimpaguesit nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:

  • a) nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
  • b) nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; c) deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore.

Kur tatimpaguesi rifillon veprimtarinë, administrata tatimore automatikisht transferon regjistrimin nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv. Bazuar në Udhëzimin nr.24, datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, personat e tatueshëm të kaluar në regjistrin pasiv, nëse do të rifillojnë aktivitetin ekonomik, në çdo kohë, mund të kërkojnë të kalojnë në regjistrin aktiv. Aktivizimi i tatimpaguesit dhe kalimi i tij nga regjistri i tatimpaguesve pasiv në regjistrin e tatimpaguesve aktivë bëhet me kërkesë të tatimpaguesit, por edhe nga administrata tatimore bazuar në të dhëna të konstatuara dhe informacione të administruara nga ana e saj. Në të gjitha rastet dhe për të gjitha kategoritë e tatimpaguesve, kalimi nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv (riaktivizimi) bëhet menjëherë, pa u kushtëzuar nga detyrimet tatimore të papaguara dhe/ose deklarata të padorëzuara të tatimpaguesit. Për detyrimet e papaguara dhe/ose deklaratat e padorëzuara zbatohen të gjitha procedurat dhe ndërmerren të gjitha hapat ligjore deri në përmbushjen e këtyre detyrimeve. Për tatimpaguesit që kërkojnë të riaktivizohen pranë DRT-ve, si rezultat i rifillimit të veprimtarisë/aktivitetit aktivizimi do të bëhet menjëherë në sistem nga Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse, sipas procedurave të miratuara nga DPT. Si datë e aktivizimit të tatimpaguesit do të jetë data e kërkesës për riaktivizim dhe përgjegjësitë tatimore do të jenë ato që ka pasur tatimpaguesi në datën kur ka kaluar në statusin pasiv. Për rastet kur tatimpaguesi ushtron aktivitet edhe pse është në status “Pasiv”, legjislacioni për procedurat tatimore parashikon se subjekti tatimpagues do të jetë subjekt i penaliteteve përkatëse (shih Ligji nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe udhëzimi përkatës i Ministrit të Financave).

Bazuar në Ligjin nr.80/2021 “Për regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse”, çregjistrimi i organizatave jofitimprurëse kryhet: 1. në mënyrë vullnetare me iniciativën e vetë organizatës jofitimprurëse; 2. në bazë të një vendimi gjyqësor; 3. sipas parashikimit të ligjeve të posaçme. Çregjistrimi i organizatave jofitimprurëse nga regjistri elektronik i OJF ka si pasojë humbjen e personalitetit juridik të subjekteve. Për çregjistrimin e një OJF-je ndiqen hapat si më poshtë:

  • OJF-ja aplikon në Gjykatë për fillimin e procedurës së ç’regjistrimit;
  • Pas marrjes së njoftimit nga Gjykata, për fillimin e procedurës së çregjistrimit, Administrata Tatimore verifikon situatën e tatimpaguesit OJF në lidhje me përmbushjen e detyrimeve ligjore nga ana e tij (deklarimet dhe pagesat e detyrimeve tatimore dhe kontributeve te sigurimeve shoqërore dhe shëndetësorë);
  • Administrata Tatimore njofton Gjykatën për sa më sipër (konfirmon ose kundërshton çregjistrimin). NOTE: Sipas Vendimit të KLGJ, regjistri elektronik i OJF, nuk do të jetë gati para muajit Dhjetor 2023. Ndërkohë, të gjitha procedurat për depozitimet nga OJF do të vazhdojnë të ndiqen fizikisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila administron edhe Regjistrin e OJF.
Skip to content