E miratuar gjatë Asamblesë së fundit vjetore të Kodit të Standardeve për OJF-të në Shqipëri, mbajtur në Tiranë më 19 maj 2025, kjo deklaratë pasqyron angazhimin e përbashkët të organizatave anëtare për të mbrojtur integritetin, transparencën dhe qeverisjen e përgjegjshme në një kohë sfidash në rritje për shoqërinë civile, si në nivel lokal ashtu edhe global.
Bazuar në dinamikat lokale dhe në përputhje me vlerat globale, kjo deklaratë thekson vullnetin kolektiv të anëtarëve të Kodit për të ngritur standardet e brendshme, për të forcuar besimin publik dhe për të kontribuar në një sektor jofitimprurës më të qëndrueshëm dhe të besueshëm në Shqipëri.
Llogaridhënia ndërton besimin e publikut. Ajo forcon besueshmërinë e shoqërisë civile dhe fuqizon rolin tonë në promovimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe transparente. Kodi i Standardeve përfaqëson angazhimin tonë të përbashkët ndaj këtyre vlerave, duke ofruar një kornizë praktike për organizatat që duan të udhëheqin me shembull.
Në një kohë kur shoqëria civile në Shqipëri operon në një mjedis sfidues — i karakterizuar nga bashkëpunim institucional i dobët, mbështetje në rënie nga donatorët, financime publike të pamjaftueshme dhe jotransparente, si dhe narrativa publike të udhëhequra nga dezinformimi dhe shpifjet — këto kushte vijojnë të përbëjnë kërcënime serioze. Ato dëmtojnë qëndrueshmërinë e sektorit dhe zvogëlojnë kontributin e tij në jetën publike dhe në proceset demokratike.
Përballë kësaj situate, ne, anëtarët e Kodit të Standardeve, rikonfirmojmë angazhimin tonë për integritet, transparencë dhe qeverisje të përgjegjshme.
Ne e pranojmë se llogaridhënia nuk është një listë teknike kontrolli, por një praktikë e përbashkët që ndërton besimin publik, mbron hapësirën dhe forcon zërin tonë.
E mbështetur në parimet e Standardit Global për Llogaridhënien e OSHC-ve, Kodi ynë pasqyron një qasje të udhëhequr në nivel lokal dhe të lidhur globalisht për të forcuar shoqërinë civile në Shqipëri. Përmes këtij mekanizmi, synojmë të:
- Nxisim një komunitet organizatash të besueshme që udhëheqin me shembullin e tyre;
- Ofrojmë mjete praktike dhe mbështetje mes kolegësh për të përmirësuar qeverisjen e brendshme dhe besueshmërinë e jashtme;
- Avokojmë për njohjen e llogaridhënies si një shtyllë legjitimiteti në marrëdhëniet midis shoqërisë civile dhe shtetit;
- Integrojmë transparencën financiare dhe qëndrueshmërinë si elementë thelbësorë të një shoqërie civile të përgjegjshme dhe të besueshme;
- Mobilizojmë më shumë OSHC që t’i bashkohen kësaj nisme kolektive, jo nga detyrimi, por për një qëllim të përbashkët dhe solidaritet të gjerë sektorial.
Ne u bëjmë thirrje kolegëve tanë në Shqipëri dhe më gjerë të vazhdojnë të rrisin standardet, jo vetëm për të përmirësuar veten, por për të mbrojtur dhe forcuar rolin e shoqërisë civile në demokraci.
Si pjesë e një lëvizjeje globale për llogaridhënie dinamike, ne e sjellim këtë iniciativë vendase në nivel lokal në skenën ndërkombëtare, duke treguar se standardet e udhëhequra nga komuniteti mund të shërbejnë si një themel për qëndrueshmëri, legjitimitet dhe përtëritje kolektive.
Ky angazhim pasqyron vlerat e promovuara nga Standardi Global për Llogaridhënien e OSHC-ve dhe përputhet me Udhëzimet e BE-së për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (2021–2027), të cilat theksojnë rëndësinë e mjediseve mundësues, dialogut kuptimplotë dhe qëndrueshmërisë së sektorit.
Në këtë frymë, ne vlerësojmë rolin e donatorëve, veçanërisht të Bashkimit Evropian dhe Delegacionin e tij në Shqipëri, në nxitjen jo vetëm të mbështetjes financiare, por edhe të promovimit të qasjeve që ndërtojnë llogaridhënie të ndërsjellë dhe standarde të përbashkëta si pjesë përbërëse të një shoqërie civile aktive dhe të pavarur.
(Në rend alfabetik)
- COSV në Shqipëri
- Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar
- Fondacionit “Fryma e Dashurisë” – Diakonia Agapes
- Forumi i Gruas Elbasan
- Instituti per Demokraci dhe Ndermjetesim
- Instituti për Kontratën Shoqërore
- Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza
- Nisma për Ndryshim Shoqëror, ARSIS
- Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
- Përtej Barrierave
- Qendra Act for Society
- Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
- Qendra Burimore e Mjedisit, Shqipëri (REC Albania)
- Qendra Psiko-Sociale “Vatra”
- Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
- Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin
- Qendra Streha
- Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri – Birn Albania
- Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)
- Shoqata Internacionale për Solidaritetin (SHIS)
- Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën
- Të Ndryshëm dhe të Barabartë
- Udhëtim i Lirë