• Rruga e Elbasanit, PARK GATE, kati 10te, Ap. 73, Tirana
  • +355 4 2254881
  • info@resourcecentre.al
In News

Distancimi fizik dhe solidariteti shoqëror

Të nderuar kolegë, bashkëpunëtorë, institucione partnere dhe mbështetës të Partnerëve Shqipëri,
Ky është një mesazh i veçantë në kohë pasigurish të mëdha. Sot, kombi ynë dhe bota mbarë po përballen me një kërcënim të paimagjinueshëm që po sfidon sistemet e kujdesit shëndetësor dhe shoqëror në nivel global, dhe po prek ekzistencën tonë në kaq shumë drejtime. Ndërsa bota është mbledhur bashkë si kurrë më parë për të luftuar pandeminë COVID-19, qeveria, punonjësit e shëndetit, forcat e policisë dhe të ushtrisë, bizneset dhe shoqëria civile po punojnë së bashku për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve.
Distanca fizike (më shumë sesa sociale) konsiderohet thelbësore në ndalimin e përhapjes së virusit, dhe për këtë është me rëndësi jetike për secilin prej nesh që të respektojë dhe zbatojë masat shtetërore në këtë drejtim. Megjithatë, ajo nuk mund të ndalojë solidaritetin shoqëror, dhe ne kemi parë atë të zhvillohet në kaq shumë forma novatore dhe frymëzuese. Rregullat e reja të jetesës na kanë bërë të gjejmë mënyra të reja për të bashkëvepruar, për të qëndruar në komunikim dhe për të mbështetur njëri-tjetrin në këto kohë të vështira.
Sektori i shoqërisë civile ka një rol të madh për të luajtur gjatë kësaj periudhe në misionin e tij për të ndihmuar grupet dhe komunitetet të cilave u shërben. Në këtë pandemi, njerëzit në nevojë dhe grupet vulnerabëldo të ndjehen edhe më të rrezikuara ndaj ne duhet të bëjmë çmos, me mbështetjen e donatorëve tanë bujarë, për të zbutur këtë rrezik sa më shumë të jetë e mundur.
Do të duhet që grupet e shoqërisë civile të bëjnë ndryshime në strategjitë e tyre, të riorientojnë programet dhe aksionet e tyre në adresimin e nevojave dhe çështjeve që lidhen me situatën COVID-19. Vazhdimësia e aktiviteteve, në një moment kur përparësia numër një është siguria dhe mirëqenia e stafit tonë, do të kërkojë adaptim dhe inovacion.
Do të duhet që donatorët, qoftë ata qeveritarë (kombëtarë dhe ndërkombëtarë), apo biznese private dhe individë, të vazhdojnë të mbështesin sektorin dhe të tregojnë fleksibilitet dhe adaptim në përputhje me situatën. Kjo është një situatë urgjente e cila kërkon një reagim urgjent. E gjithë infrastruktura e shoqërisë civile është nën kërcënim për shkak të paqartësive financiare, me projekte të ngrira, mungesë likuiditeti financiar apo fondesh rezervë për të mundësuar mbajtjen e stafit si dhe të operacioneve minimale për të vazhduar punën.
Partnerët Shqipëri si një organizatë që i shërben sektorit të organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri, dhe mbështet nevojat e tij të zhvillimit përmes Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, bashkohet me thirrjen e rrjeteve ku aderon dhe apelin e CIVICUS për komunitetin donator:
• Për të dëgjuar grant-marrësit dhe së bashku të hulumtojnë se si mund t’i ndihmojmë ata të përballen si duhet me krizën, duke besuar se ata e dinë më mirë se çfarë është e nevojshme në kontekstet e tyre.
• Për të inkurajuar ri-hartimin dhe ri-skedulimin e aktiviteteve dhe detyrimeve të planifikuara, dhe ofruar udhëzime të qarta se si të kërkojnë miratim për këto ndryshime.
• Për të mbështetur mënyra të reja dhe kreative të krijimit të një kulture solidariteti dhe bashkëveprimi, duke respektuar distancën fizike dhe masat e tjera parandaluese.
• Për të ofruar një fleksibilitet më të madh duke rishqyrtuar këstet e pagesave bazuar në nevojat aktuale, duke shndërruar grantet e projekteve ekzistuese në fonde të pakufizuara, ose duke shtuar fonde të tjera për të ndihmuar në ngritjen e rezervave ose mbulimin e kostove të paparashikuara.
• Për të thjeshtuar procedurat e raportimit dhe aplikimit, dhe afatet kohore në mënyrë që grupet e shoqërisë civile të mund të përqendrojnë më mirë kohën, energjinë dhe burimet e tyre në mbështetjen e atyre më në nevojë, sesa në përmbushjen e kërkesave të gjata dhe voluminoze të raportimeve.
Ndërkohë, ne Partnerët Shqipëri dhe Qendra Kombëtare Burimore vazhdojmë punën me programet dhe shërbimet tona, të cilat janë transferuar tërësisht online. Gjatë këtyre dy javëve të fundit kemi parë me kënaqësi se megjithë shqetësimin dhe frikën e përgjithshme, interesi dhe angazhimi i përfituesve tanë mbetet i lartë. Ne përgëzojmë të gjitha organizatat dhe individët, por edhe trajnerët, konsulentët e ofruesit e shërbimeve për angazhimin dhe fleksibilitetin e tyre.
Përveç aktiviteteve tona të planifikuara, Partnerët Shqipëri po punon:
1. Për mbajtjen e kontakteve të ngushta me përfituesit e granteve për të diskutuar mënyrën më të mirë të mundshme për t’iu përshtatur situatës dhe për t’i mbështetur ata.
2. Për të vlerësuar me shpejtësi efektin e situatës tek organizatat e shoqërisë civile në vend. Organizatave u është dërguar një pyetësor që e gjeni këtu https://www.surveymonkey.com/r/PSM9W95
3. Për të ofruar informacione të rëndësishme për sektorin në lidhje me COVID-19. Për këtë mund të vizitoni dritaren e re në faqen tonë të internetit, të etiketuar COVID-19 ku mund të gjeni informacione mbi masat e qeverisë, masat dhe udhëzimet që prekin OJF-të, lidhjet kryesore në faqet e internetit që raportojnë mbi pandeminë, histori frymëzuese dhe novatore që po ndodhin në Shqipëri dhe në botë.
4. Për të ofruar shërbime falas për grupet e shoqërisë civile. Ne jemi duke punuar për të siguruar përdorim falas të platformave online për grupet e shoqërisë civile, për të mbështetur veprimtarinë e tyre.
5. Për të ofruar trajnim mbi përdorimin e platformave të tilla.
6. Për të lehtësuar mobilizimin e vullnetarëve dhe përpjekjet për ngritjen e fondeve.
Ju lutemi, vazhdoni të na shkruani dhe të na telefononi! Ne jemi të përkushtuar të bëjmë çmos për t’ju ndihmuar në përpjekjet tuaja fisnike për të adresuar situatën.
Jemi të gjithë të bashkuar në këtë situatë! Ne jemi të bashkuar jo vetëm në ankthin dhe frikën tonë, por gjithashtu në nevojën për njëri-tjetrin për të krijuar shpresë për të ardhmen.