Gjatë këtyre muajve, Qendra Kombëtare Burimore ka vijuar punën për Hartimin e Kodit të Standardeve për OSHCtë, një iniciativë e hershme e Partnerëve Shqipëri, që u ri-prezantua në sektor vitin e kaluar, me qëllim krijimin e një mekanizmi vet-vlerësues që do të kontribuojë në rritjen e standardeve të veprimtarisë së OSHC-ve, transparencën, përgjegjshmërinë dhe mirëqeverisjen e tyre.
Pas organizimit të një serie takimesh informuese dhe konsultuese, rreth 200 OSHC-të pjesëmarrëse në takime, u ftuan të bëhen pjesë e një grupi pune për zhvillimin e mëtejshëm të Kodit. 18 organizata që shprehën interes I’u bashkuan Qendrës Burimore dhe Partnerve Shqipëri e u bënë pjesë e grupit nismëtar të Kodit të Standardeve.
Bazuar fillimisht në përvojën e Rrjetit Ballkanik të Zhvillimit të Shoqërisë Civile (BCSDN) dhe OSHC-ve të tjera në të gjithë globin, pjesë e Nismës të Standardit Global, Kodi i Standardeve u zhvillua dhe punua më tej nga ekspertët dhe grupi nismëtar, në përshtatje me dinamikën e zhvillimit të sektorit në Shqipëri.
Kodi është strukturuar në 4 parime kryesore dhe 7 angazhime që OSHC-të anëtare duhet të përmbushin dhe ruajnë. Paralelisht me Kodin, grupi i punës ka punuar për zhvillimin e një Pyetësori Vet-Vlerësues, me tregues të matshëm, që do të shërbejë si Kornizë vlerësuese për përmbushjen e angazhimeve të Kodit.
Kodi i Standardeve, do të prezantohet dhe ndahet gjerësisht me sektorin jofitimprurës dhe aktorë të tjerë të interesuar përgjatë një serie takimesh online që Qendra do të organizojë në vijim.