Përgjatë datave 7-17 maj 2022, Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me rreth 100 organizata dhe institucione në mbarë vendin, organizuan Javën e Shoqërisë Civile në Shqipëri, një seri eventesh dhe hapësire promovimi dedikuar punës dhe veprimtarisë së organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile në vend.
Java e Shoqërisë Civile organizohet për herë të parë këtë vit në Shqipëri, me synimin për ta kthyer në një event të përvitshëm të sektorit. Java krijon hapësirë për të gjithë aktorët e shoqërisë civile, institucionet partnere dhe mbështetëse, për t`u bërë bashkë, diskutuar dhe gjeneruar iniciativa e veprime të përbashkëta në të ardhmen për tematika të ndryshme në fokus të punës së sektorit e për të cilat ai jep një kontribut të rëndësishëm.
Në linjë dhe me vendimin e Bashkimit Evropian për përcaktimin e vitit 2022 si Viti i Rinisë, me qëllim promovimin e të rinjve dhe të gjithë iniciativave që mbështesin pjesëmarrjen e të rinjve në politikëbërje, integrimin social dhe fuqizimin ekonomik të tyre, tematika e përzgjedhur për këtë vit të parë të Javës së Shoqërisë Civile ishte pikërisht RINIA!
Nën moton dhe hashtags #JavaeShoqërisëCivile2022 #TëRinjtëNëVeprim mbi 60 aktivitete u organizuan në 22 qytete dhe njësi administrative në mbarë vendin nga organizata të shoqërisë civile, aktivistë, institucione akademike etj. të cilët ju bashkuan Javës.
Aktivitetet e larmishme si forume diskutimi, evente rrjetëzimi, shkëmbime praktikash të mira, trajnime dhe workshope, panaire, aksione mjedisore, performanca artistike, aktivitete sportive, konkurse, fushata advokimi, etj., ofruan mundësi për të gjithë të rinjtë e përfshirë të shprehin mendimin dhe ngrenë ‘zërin e tyre” si dhe të zhvillojnë kapacitetet në advokim, aftësim për jetën, punësim etj. Gjeni këtu një përmbledhje të aktiviteteve të Javës së Shoqërisë Civile.