In News

Adresimi i problematikave mbi projektligjin “Për Regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse”

Në vijim të angazhimit për lehtësimin e procesit të konsultimit me sektorin për Projekt Ligjin “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, NRC organizoi një takim me donatorë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në vend.

Takimi erdhi edhe në përgjigje të interesit të madh të këtyre institucioneve lidhur me projekt ligjin dhe reagimin e organizatave të shoqërisë civile, për t’u njohur më nga afër me çështjet problematike identifikuar nga OShC-të dhe rekomandimet e tyre. Ata shprehën mbështetjen e tyre për organizatat dhe këtë çështje, duke e konsideruar si shumë të
rëndësishme për mjedisin mundësues të avancimit të shoqërisë civile.

Projekt ligji është tashmë në procedurë në Parlament. Pavarësisht adresimit të problemeve dhe paqartësive të projekt ligjit, nga organizatat e shoqërisë civile, që në fazën e mëparshme të konsultimit në një takim me Ministrinë e Drejtësisë, me keqardhje u konstatua që vetëm 15% e sugjerimeve ishin marrë parasysh në draft ligjin e dërguar për miratim në parlament.

Në këtë situatë dhe në vijim të takimit, grupi i OJF-ve, i`u drejtua përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për organizimin e një seance dëgjimore me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile mbi projektligjin. Kjo seancë do të shërbejë për parashtrimin e të gjitha problematikave të identifikuara, rezervave dhe sugjerimeve të sektorit si dhe krijimin e mundësive për vendosjen e urave të vazhdueshme të komunikimit me qëllim që të gjitha këto probleme dhe sugjerime ti nënshtrohen një debati të mirëfilltë parlamentar, dhënies së argumenteve reciproke dhe të bazuara në standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Kërkesa është pranuar nga ana e Kuvendit dhe ditët në vijim presim organizimin e seancës dëgjimorë.