• Rruga e Elbasanit, PARK GATE, kati 10te, Ap. 73, Tirana
  • +355 4 2254881
  • info@resourcecentre.al
In News

Event Rrjetëzimi – Qendrueshmëria e organizatave rinore në periudhën e pandemisë dhe pas pandemisë

Nisur nga çështjet e ngritura nga OJF-të në Konferencën Kombëtare të Shoqërisë Civile në dhjetor 2020 si dhe nga interesi i organizatave pjesëmarrëse në workshopet tematike të konferencës, më 10 Mars 2021, Qendra Kombëtare Burimore dhe Partnerët Shqipëri organizuan online eventin e rrjetëzimit “Qendrueshmëria e organizatave rinore në periudhën e pandemisë dhe pas pandemisë”.

Mbi 80 përfaqësues të OJF-ve, donatorë, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore në vend, institucioneve akademike dhe medias morën pjesë në event dhe diskutuan mbi sfidat, adresimin e tyre dhe strategji të sigurimit të mbështetjes për OShC-të rinore në vend.

Situata e Covid-19 është shoqëruar me ndryshime në programet dhe aktivitetin në terren të OSHC-ve si dhe ka ndikuar në qendrueshmërinë financiare të tyre, veçanërisht të organizatave lokale. Pjesëmarrësit në eventin e rrjetëzimit sollën një panoramë të situatës përgjatë vitit të fundit të organizatave rinore dhe aktivitetit të tyre, prezantuan disa modele suksesi si dhe ndanë informacion mbi programe dhe strategji të institucioneve dhe organizatave e rrjeteve rinore.

Të ftuar në event ishin edhe përfaqësues të qeverisë në nivel qendror e vendor, znj. Aspasiana Kongo, zëvendës ministre, Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, znj. Anisa Subashi, Drejtore e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës dhe Z. Engjëll Gjugja, Bashkia Shkodër, ndanë me pjesëmarrësit disa nga strategjitë e ndërmarra nga institucionet shtetërore në vend në mbështetje të të rinjve, organizatave rinore, të ndikuar nga situata e pandemisë Covid – 19.

Aktiviteti krijoi mundësi rrjetëzimi për OShC-të dhe institucionet e tjera pjesëmarrëse, duke u ofruar mundësinë për të gjeneruar kontakte, prezantuar punën e tyre si dhe diskutuar konkretisht për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit të të gjithë aktorëve dhe grupeve të interesit në krijimin e një mjedisi mundësues mbi këtë çështje .