In News

Deklaratë për Media – Kuvendi miraton ndryshime të rëndësishme të reformës në drejtësi në mungesë të një procesi konsultimi dhe transparence

Shoqëria civile shpreh shqetësimin për procesin e miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të dhjetë projektligjeve të lidhura me paketën e reformës në drejtësi. Kuvendi ka miratuar në seancën e fundit plenare dhjetë projektligje në shkelje të procedurës sipas neneve 26, 27 dhe 28 të Rregullores së Kuvendit, për zhvillimin e seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare, të cilat kryhen sipas një programi pune të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve.
Dje, me propozim të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kuvendi, vendosi të fusë në rendin e ditës diskutimin dhe miratimin e dhjetë projektligjeve që sjellin 154 ndryshime dhe shtesa në Kodin Penal, Kodet e Procedurës Penale dhe Civile, ligjet organike të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë, ligjet për organizimin e sistemit gjyqësor dhe institucionet e reja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shoqëria civile shpreh shqetësimin se procesi i ndjekur për shqyrtimin dhe miratimin e këtyre projektligjeve krijon precedent negativ, pasi bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe Rregulloren e Kuvendit.
Neni 83, pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndalon zbatimin e procedurës së përshpejtuar në shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Gjithashtu, e gjithë procedura e ndjekur, nga Komisioni i Ligjeve deri në miratimin e këtyre projektligjeve në seancë plenare, është kryer në mungesë të transparencës me publikun dhe konsultimit me të gjitha organet e sistemit të drejtësisë dhe shoqërinë civile, si dhe në kushte urgjence, në më pak se 30 ditë nga depozitimi në Kuvend më 25 shkurt 2021. Mungesa e një procesi konsultimi gjithëpërfshirës krijon klimë mosbesimi ndaj kësaj pakete ndryshimesh ligjore të reformës në drejtësi.
Historia e ndryshimeve të shpeshta në legjislacion, të miratuara me urgjencë, ka shfaqur jo pak probleme, sidomos në qëndrueshmërinë afatgjatë të tyre.
Shoqëria civile ka shprehur prej kohësh publikisht nevojën për një analizë të plotë dhe të kujdesshme të ecurisë së reformës në drejtësi, tashmë katër vite pas miratimit të saj. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet nxitja e zhvillimit cilësor dhe të shpejtë të sistemit të drejtësisë, duke rritur efiçencën e sistemit gjyqësor dhe aksesin e qytetarëve.
Çdo nismë e ndërmarrë për këtë qëllim duhet të vijë në përputhje me standardet e duhura të proceseve ligjbërëse, në transparencë dhe konsultim të plotë, për të garantuar rritjen e besimit të publikut ndaj sistemit të drejtësisë.
Organizatat nënshkruese:
  1. Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT
  2. Balkan Investigative Reporting Network Albania, BIRN Albania
  3. Civil Rights Defenders
  4. Center for Bridging Communities
  5. CRCA/ECPAT Shqipëri
  6. Fondacioni Down Syndrome Albania
  7. Fondacioni “Mary Ward Loreto”
  8. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (ADRF)
  9. Fondacioni Joscelyn
  10. Fondacioni “Së bashku”
  11. Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë
  12. Fondacioni Raf
  13. Fondacioni “Partneritet për Zhvillim”
  14. Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut
  15. Gratë në Fokusin e Zhvillimit
  16. Instituti i Studimeve Politike (ISP)
  17. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
  18. Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri
  19. Instituti për Studime Ligjore dhe Publike
  20. Instituti i Zhvillimit të Habitatit (Co-Plan)
  21. Këshilli Shqiptar i Medias
  22. Komiteti Shqiptar i Helsinkit
  23. Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome
  24. Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve
  25. Organizata “Të ndryshëm dhe të barabartë”
  26. Organizata “Gruaja tek Gruaja”
  27. Organizata YMCATirana/Albania
  28. Organizata “People in Focus”
  29. Organizata “Well Point – Kujdes për të gjithë”
  30. Organizata “Ndihmoni Jetën”
  31. Organizata Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar – MEDPAK
  32. Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
  33. Platforma Kombëtare për Gratë
  34. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
  35. Qendra Europiane
  36. Qendra Konsumatori Shqiptar
  37. Qendra “TREJA”
  38. Qendra “Community Reporters Albania”
  39. Qendra për zhvillim komunitar “Sot për të ardhmen”
  40. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes
  41. Qendra Shqiptare e Kërkimeve Ekonomike (ACER)
  42. Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara
  43. Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë
  44. Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
  45. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
  46. Qendra ALTRI
  47. Qendra Rinore “Perspektiva”
  48. Qendra “Të Drejtat e Njeriut në Demokraci”
  49. Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes
  50. Qendra për Shëndetin Mendor – Mental Health Albania
  51. Qendra për Promovimin e Konkurrueshmërisë
  52. Qendra “Res Publica”
  53. Qendra e këshillimit të grave dhe shërbimeve sociale (Kukës)
  54. Roma Active Albania
  55. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
  56. Rrjeti për Demokraci i Grave – WDN Albania
  57. Rrjeti i Profesionistëve të Rinj
  58. Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive
  59. Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)
  60. Shoqata Kombëtare e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare
  61. Shoqata “Në dobi të Gruas Shqiptare”
  62. Shoqata “Dora Prindërore”
  63. Shoqata “Intelektualët e rinj, Shpresë”
  64. Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë
  65. Shoqata e Grave “Refleksione”
  66. Shoqata “Voice of Roma in Albania”
  67. Shoqata Lushnja
  68. Shoqata “Përtej Barrierave”
  69. Shoqata “Zejtarët e Veriut”
  70. Shoqata “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit” Ksamil
  71. Shoqata e Përfitimit Fizik Korçë