• Rruga e Elbasanit, PARK GATE, kati 10te, Ap. 73, Tirana
  • +355 4 2254881
  • info@resourcecentre.al
In News

Hapen aplikimet për “Akademinë e OJF-ve 2021”

Akademia e OJF-ve është një hapësirë edukimi dhe zhvillimi joformal për përforcimin e aftësive dhe kompetencave të drejtuesve të shoqërisë civile në Shqipëri, nëpërmjet një kurrikule unike, metodave më bashkëkohore të të nxënit si dhe përvojave shumëdimensionale të shkëmbimit të eksperiencave. Në pesë vite organizim, mbi 108 drejtues organizatash jofitimprurëse kanë përfituan njohuri dhe aftësi praktike, mundësi bashkëpunimi, rrjetëzimi dhe partneriteti me organizata të ngjashme brenda dhe jashtë vendit.

Qëllimi i Akademisë është krijimi i brezave të ardhshëm drejtuesish të OJF-ve, profesionistë dhe të angazhuar, që do të jenë aktorë të ndryshimit dhe kontribues në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Akademia e OJF-ve 2021 zhvillohet nga Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, një projekt tre vjeçar i financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri, zbatuar nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin dhe Lëvizjen Evropiane në Shqipëri në kuadër të komponentit të rritjes dhe forcimit të kapaciteteve të OSHC-ve.

Inkurajojmë të aplikojnë në Akademi drejtues të OJF-ve shqiptare në pozicionet: Drejtor Ekzekutiv, Manaxher Programi dhe Kryetar Bordi/Kryesie, të cilët synojnë rritjen e aftësive dhe zhvillimin e tyre profesional në këtë sektor për të ndërtuar organizata efektive në shërbim të publikut dhe grupeve të interesit.

Ju lutemi lexoni Broshurën e Akademisë për t’u informuar rreth përmbajtjes së programit, procesit dhe kritereve të aplikimit.

Afati i fundit për dorëzimin e Formës së Aplikimit është data 8 shkurt 2021!

Për pyetje dhe informacione shtesë, lutemi të kontaktoni Xhoana Zeqo, Koordinatore e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, në info@resourcecentre.al

Forma e Aplikimit Download
Broshura informuese e Akademisë Download