In News

Mbi Vullnetarizmin dhe zhvillimin e tij në Shqipëri

Më datë 21 shkurt, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë I Kuvendit të Shqipërisë, organizoi një seancë dëgjimore me përfaqësues të qeverisë mbi ligjin “Për Vullnetarizmin”. Organizatat e shoqërisë civile u informuan mbi këtë seancë dëgjimore dhe rendin e ditës për diskutim vetëm nga faqja e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.

Diskutimi gjatë seancës u fokusua kryesisht në Nenin 22 të Ligjit “Për vullnetarizmin” duke anashkaluar një seri problematikash të tjera që Ligji ka. Megjithëse kanë kaluar 6 vjet nga miratimi i ligjit, kuptimi dhe zbatimi i tij si nga ana e organizatave të shoqërisë civile, po ashtu dhe e institucion-eve përgjegjëse për zbatimin e tij mbetet problematik.

Në kohën e propozimit dhe miratimit të tij, Ligji nuk u konsultua me grupet e interesit dhe as u mor parasysh zhvillimi i vullnetarizmit në vend. Propozimi nuk ishte mjaftueshëm i bazuar në evidenca dhe i studiuar, duke bërë që edhe pas 6 vitesh të jemi në situatën e pazbatueshmërisë së tij.

Me iniciativë të Organizatës Përtej Barrierave në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile dhe mjaft organizata të tjera në vend, prej më shumë se 2 vitesh është diskutuar në një seri tryezash mes sektorit dhe institucioneve për problematikën e ligjit dhe është kërkuar ngritja e një grupi pune për rishikimin e tij.

Pas seancës dëgjimore, Përtej Barrierave dhe Qendra Burimore, në emër të Grupimit për Vullnetarizmin, ju drejtua sërish institucioneve përgjegjëse me këtë kërkesë. Më datë 29 mars, një takim online u organizua me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zv. min-istren e Financave dhe të Ekonomisë, Olta Manjani, drejtorin e Përgjithshëm të AKPA-s, Klevis Hysa, stafin e MFE-së dhe kolegë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, ku diskutuam mbi problematikën e ligjit dhe ngritjen e një grupi pune të përbashkët për rishikimin e ligjit.

Për tu njohur më shumë me përpjekjet dhe punën grupit për vullnetarizmin gjeni këtu Letra e Hapur dhe Opinioni Ligjor mbi këtë çështje