In News

Prezantimi i raportit vjetor të Matricës së Monitorimit të Mjedisit Mundësues për Zhvillimin e Organizatave të Shoqërisë Civile 2021

Gjatë qershorit 2022, zhvilluam një seri takimesh me OJF-të në mbarë vendin në kuadër të validimit të gjetjeve të raportit vjetor të Matricës së Monitorimit të Mjedisit Mundësues për Zhvillimin e Organizatave të Shoqërisë Civile 2021.

Ndër gjetjet kryesore të raportit përmendim:
(1) Ligji 80/2021 për regjistrimin e OJF-ve u miratua me reagime dhe kritika të forta nga OJF-të.
(2) Kodi Penal u ndryshua duke njohur të drejtën e tubimit pa leje (vetëm njoftim) nga policia e shtetit, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
(3) Pas vitesh diskutime, advokim të sektorit dhe bashkëpunim me institucionet publike përgjegjëse, procedura e rimbursimit të TVSH-së për grantet ka nisur zbatimin me 4 projekte të rimbursuara.
(4) Po përgatitet Metodologjia e Vlerësimit të Riskut të OJF-ve ndaj Financimit të Terrorizmit, e cila do të kontribuojë në një qasje të bazuar në risk për sektorin e OJF-ve mbi masat për Parandalimin e Pastrimit të Parave / Luftës Kundër Terrorizmit.
(5) Konsultimet dhe pjesëmarrja e OJF-ve në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse mbeten joefektive, pavarësisht nga mekanizmat e bashkëpunimit të vendosur nga qeveria.
(6) Një sistem i ri faturimi dhe monitorimi i aktiviteteve të të gjithë tatimpaguesve të regjistruar, përfshirë OJF-të, zbatohet prej 2021-it nga autoritetet tatimore shqiptare, duke çuar në fiskalizimin e sektorit.

Gjatë diskutimit me kolegë të shoqërisë civile, në linjë edhe me rekomandimet kryesore të raportit, u theksua nevoja për më shumë transparencë dhe qasje proaktive në ndarjen e informacionit nga institucionet publike, çka do të kontribuonin në mekanizma bashkëpunimi efektivë me OJF-të në politikëbërje dhe vendimmarrje, si dhe në procesin e negociatave për anëtarësimin në BE.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu lidhur me nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit të OJF-ve, organeve tatimore dhe institucioneve të huaja donatore për zbatimin efektiv të procedurës së rimbursimit të TVSH-së për shpenzimet e aktivitetit të granteve. Për më shumë mbi gjetjet dhe rekomandimet, lexoni raportin e plotë