In News

Program trajnimi “Kuadri fiskal për OJF-të – Procedurat e rimbursimit të TVSH-së”

Nisur nga kërkesat e shumta të OJF-ve për informacion dhe asistencë lidhur me disa aspekte të kuadrit fiskal e në veçanti mbi procedurën e rimbursimit të TVSH, më datë 28 shtator 2021 zhvilluam një program trajnimi mbi ketë temë.

Rreth 30 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga mbarë vendi u informuan, diskutuan dhe rritën njohuritë e tyre praktike mbi zbatimin e procedurës së rimbursimit të TVSH duke u ndalur në  ndryshimet ligjore në Udhëzim nr.34 datë 05.12.2019 “Për një ndryshim në Udhëzimin nr. 6, datë 30.01.2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar që sqaron procedurën e rimbursimit të TVSH-së për grantet që OJF-të marrin nga donatorët e huaj.  Procedura e Aplikimit për Certifikatën e Rimbursimit të TVSH-së, procedura e aplikimit për Rimbursimin e TVSH-së,  dokumentacioni shoqërues dhe afatet kryesore ishin disa nga çështjet e trajtuara përgjatë programit të trajnimit.