In News

Shkëmbim eksperience me organizata nga rajoni mbi ngritjen dhe zhvillimin e mekanizmave vetërregulluese dhe llogaridhënës për sektorin jofitimprurës

Vijon puna e Qendrës për promovimin e Kodit të Standardeve në rajon si një mekanizëm vetërregullues për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes së sektorit jofitimprurës me qëllim rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së OJF-ve dhe besimit të grupeve të interesit. Nën koordinimin e Macedonian Center for International Cooperation – MCIC, më 20 maj u zhvillua një peer to peer virtual event me pjesëmarrjen e 30 organizatave nga Maqedonia e Veriut, pjesë e platformës informale për transparencë dhe llogaridhënie.

Takimi kishte për qëllim ndarjen e eksperiencës shqiptare në hartimin e Kodit të Standardeve për OJF-të, dhe nxjerrjen e mësimeve në kuadër të mbledhjes së sugjerimeve dhe rekomandimeve për hartimin e një dokumenti të tyre mbi standardet rregulluese të veprimtarisë së OJF-ve pjesë e platformës informale. Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri u përfaqësua nga Zj. Arjola Agolli, Drejtore e Programeve pranë Partnerët Shqipëri dhe Menaxhere e Qendrës, e cila ndau dhe informoi pjesëmarrësit mbi fazat e procesit të hartimit dhe zhvillimit të Kodit të Standardeve, bashkëpunimin brenda sektorit për ngritjen e një mekanizmi vetërregullues, format e përzgjedhura për zbatimin e tij, strukturat si dhe mjetin e hartuar për vlerësimin e përmbushjes së standardeve të sektorit sikurse është Korniza e pyetësorit vet-vlerësues të Kodit të Standardeve.

Ajo solli në vëmendje të pranishëmve se Kodi I Standardeve për OJF-të në Shqipëri është një praktikë mirëqeverisjeje e ngritur dhe bazuar në përvojën globale dhe rajonale mbi praktikat më të mira të standardeve sociale si ajo e Global Accountability Standard si dhe Balkan Civil Society Development Network.

Si pjesë e prezantimit Znj. Agolli u ndal gjithashtu në vështirësitë dhe sfidat e hasura përgjatë rrugës si dhe aktivitet e ndërmarra nga qendra në promovimin e nismës me sektorin jofitimprurës në Shqipëri, procesin konsultues si dhe programet e zhvilluara nga Qendra për rritjen e kapaciteteve të OJF-ve kundrejt një kuptimi më të gjerë të angazhimeve të Kodit dhe treguesve në përmbushje të tij.

Të tjera takime do të organizohen në vijim me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal në promovimin e përbashkët të mekanizmave vetërregulluese dhe llogaridhënës për sektorin jofitimprurës në të dy vendet.