THEMELIMI DHE REGJISTRIMI I OJF-ve

Kush mund të krijojë një OJF?

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton të drejtën e kujtdo për t’u organizuar në mënyrë kolektive për çdo qëllim të ligjshëm. Sipas Ligjit Nr.8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse” nenit 46, pika 1 dhe 2, regjistrimi i organizatave ose shoqatave në gjykatë bëhet sipas procedurës së parashikuar me ligj.

Cilat janë format kryesore të organizimit të një OJF-je?

Tre janë format e organizimit të një OJF-je: Shoqata, Fondacioni dhe Qendra.

Lexoni për më shumë:
→ Ligji Nr.8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”

A është Ndërmarrja Sociale një formë organizimi për OJF-të?

Jo, ndërmarrja sociale nuk është një formë e veçantë organizimi për OJF-të, dhe si e tillë nuk regjistrohet si entitet më vete. Ndërmarrja sociale është një status i dhënë nga shteti, sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin Nr.65/2016, datë 09.06.2016 “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”. Njohja e statusit bëhet me urdhër të Ministrit përgjegjës për çështjet sociale.

Cili është dokumentacioni i nevojshëm për themelimin dhe regjistrimin e një OJF-je?

Bazuar në Ligjin Nr. 8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, dokumentat kryesorë të domosdoshëm për regjistrimin janë akti i themelimit dhe statuti, në të cilin duhet të jenë përcaktuar organet vendimmarrëse dhe ekzekutive, kjo sipas formës së organizimit të zgjedhur.

Ku bëhet regjistrimi i OJF-së?

Organizatat jofitimprurëse, pasi themelohen duhet të regjistrohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara në ligj, për t’u regjistruar më pas edhe pranë organeve tatimore. Regjistrimi në organet tatimore dhe pajisja me NIPT bëhet duke u paraqitur në zyrat rajonale tatimore ku OJF-ja do të zhvillojë veprimtarinë e saj.

Cili është dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin e një OJF-je pranë Administratës Tatimore?

Dokumentacioni që paraqitet për regjistrim në Administratën Tatimore sipas Ligjit Nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”  i ndryshuar, është si më poshtë:

  • Vendimi i Gjykatës, Statuti dhe Akt-Themelimi i noterizuar;
  • Fotokopje e Kartës së Identitetit ose Pasaportës së administratorit apo përfaqësuesit ligjor;
  • Të dhënat për pronësinë e selisë (kontratë qiraje ose akt pronësie);
  • Formulari i regjistrimit i plotësuar.

Pas marrjes së certifikatës së NIPT-it, subjekti pajiset dhe me fjalëkalimin që do të shërbejë për deklarimin online. Për më shumë mbi regjistrimin lexoni këtu.

A ka kosto procesi i themelimit dhe regjistrimit të OJF-së?

Po, ka kosto. Kostot mund variojnë nga 7,000 deri në 30,000 Lekë (këtu përfshihen kosto printimi, noterizime, transport, kosto pune etj).

A mund të bëhen ndryshime në dokumentet e OJF-së pasi ajo të jetë regjistruar? Për cilat ndryshime është e nevojshme të njoftohen organet përgjegjëse?

Ndryshimet që kryhen me Vendim Gjykate janë:

  • Adresa e selisë;
  • Drejtuesit (bordi/administratori);
  • Emërtimi;
  • Forma ligjore.

Ndryshimet që kryhen pranë Administratës Tatimore janë:

  • Pasqyrimi i ndryshimeve të kryera me Vendim Gjykate;
  • Hapja/mbyllja e adresave dytësore dhe lëshimi i çertifikatave përkatëse;
  • Ndryshimi i përgjegjësive tatimore (shtimi/heqja).

Lexoni për më shumë:
→ Formulari i Ndryshimeve

Nëse organizata nuk ka aktivitet, a mund të kalojë në status pasiv?

Nëse OJF-ja nuk deklaron për një periudhë më të gjatë se 12 muaj të njëpasnjëshëm, ose ka vendosur të ndërpresë aktivitetin për një periudhë më të gjatë se 12 muaj ose pa afat, ajo kalon në status pasiv.

Si bëhet kalimi në status pasiv?

Kalimi në status pasiv i OJF-ve bëhet me kërkesë të subjektit ose nga Administrata Tatimore kur përmbushen kushtet ligjore:

  • Me kërkesë të subjektit – kur ky i fundit vendos të ndërpresë aktivitetin për një periudhë më të gjatë se 12 muaj ose pa afat;
  • Nga Administrata Tatimore – në rast se subjekti dorëzon deklarata pa aktivitet (me zero) ose kur nuk deklaron për një periudhë më të gjatë se 12 muaj të njëpasnjëshëm.

Për të gjithë periudhën që subjekti ndodhet në status “Pasiv”, ai nuk ka detyrimin për të dorëzuar deklaratat tatimore (gjenerimi i deklaratave ndërpritet automatikisht).

Si bëhet riaktivizimi i OJF-së?

Riaktivizimi i tatimpaguesit bëhet në rastet kur:

  • Kërkohet nga tatimpaguesi për arsye të rifillimit të aktivitetit;
  • Gjendet në punë nga strukturat e terrenit të Administratës Tatimore.

Për rastet kur tatimpaguesi ushtron aktivitet edhe pse është në status “Pasiv”, ai penalizohet nga Administrata Tatimore sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Cilat janë hapat për ç’regjistrimin e një OJF-je?

Për ç’regjistrimin e një OJF-je ndiqen hapat si më poshtë:

  • OJF-ja aplikon në Gjykatë për fillimin e procedurës së ç’regjistrimit;
  • Pas marrjes së njoftimit nga Gjykata, Administrata Tatimore verifikon situatën e tatimpaguesit në lidhje me përmbushjen e detyrimeve ligjore nga ana e tij (deklarimet dhe pagesat);
  • Administrata Tatimore njofton Gjykatën për sa më sipër (konfirmon ose kundërshton ç’regjistrimin).