Më 04 dhjetor 2020, Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri organizoi Konferencën Kombëtare të Shoqërisë Civile në Shqipëri.
Konferenca solli së bashku mbi 130 përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, rrjete dhe aktivistë të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare, për të diskutuar mbi çështje të zhvillimit të sektorit dhe rolit të tij në politikëbërje, forcimin e demokracisë dhe zhvillimin social-ekonomik në vend.
Në fjalën e saj përshëndetëse Znj. Ariola Agolli, Drejtore e Programeve për Partnerët Shqipëri dhe Menaxhere e Qendrës Burimore theksoi se: “Në këtë vit të dytë të veprimtarisë së saj, Qendra Burimore vjen me një rol të rritur në sektor dhe më të konsoliduar si një platformë e shoqërisë civile në nivel kombëtar, që mbështet forcimin e kapaciteteve të sektorit, forcimin e dialogut politik dhe përpjekjet advokuese për një mjedis mundësues e më gjere. Mbështetja e Qendrës është një investim i rëndësishëm strategjik në mbështetje të sektorit jofitimprurëse në vend, jo thjesht dhe vetëm në kuadër të fuqizimit të këtij të fundit për rolin që ai ka dhe vijon të ketë lidhur me forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, zhvillimit ekonomik, përfshirjes sociale dhe ofrimit të shërbimeve, por edhe si mbështetës I dialogut politik të lidhur ngushtë me axhenden e integrimit evropian dhe avancimin e saj.”
Konferenca u përshëndet dhe nga Sh.T. Z. Luigi Soreca , Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri i cili përgjatë fjalës së tij theksoi se: “Përfshirja e shoqërisë civile në hartimin e politikave është thelbësore por aktualisht e pakënaqshme në Shqipëri. Autoritetet publike duhet të sigurojnë pjesëmarrjen e shoqërisë civile në proceset e reformave. Duhen ende përpjekje të rëndësishme për të patur procese efektive konsultimi me shoqërinë civile përpara se të miratohet legjislacioni. Konsultimet që janë nuk bëhet në mënyrë konsistente dhe koherente, mund të kompromentojë cilësinë e ligjeve të reja dhe hapat e ardhshëm në procesin e pranimit”.
E organizuar në dy sesione kryesore, në panelin hyrës, konferenca ofroi një panoramë të përgjithshme të zhvillimit të sektorit mbi tre aspekte:
(1) Tkurrja e hapësirës për shoqërinë civile, mjedisi mundësues dhe rolin e sektorit në rrugën drejt anëtarësimit në BE
(2) Shteti i së drejtës, demokracia dhe pjesëmarrja në hartimin e politikave dhe proceset legjislative dhe
(3) Të drejtat themelore, liria e shprehjes dhe mediave – për të vijuar më pas në 3 diskutime tematike, duke eksploruar më tej problemet kryesore, sfidat dhe perspektivat e çështjeve të paraqitura si pjesë e panelit paraprak hyrës.
Në sesionin e dytë të Konferencës “HAPËSIRË DISKUTIMI”, pjesëmarrësit diskutuan në 8 Workshope tematike, mbi çështje të
propozuara nga vetë organizatat në konferencë. Workshopet u udhëhoqën nga organizatat propozuese me synimin për të gjeneruar diskutim në sektor dhe eksploruar së bashku mënyra bashkëpunimi për avancimin e çështjeve dhe dialogun me institucionet dhe aktorë të tjerë.
Në përfundim të konferencës u hartua një dokument me përmbledhje të fjalëve dhe diskutimeve në panele, si dhe diskutimeve dhe rekomandimeve në grupet e workshopet tematike.
Dokumenti është ndarë gjerësisht me të gjithë aktorët e përfshirë në konferencë dhe aktorë të tjerë në qendër të diskutimeve, si dhe me grupet e interesit dhe publikun e gjerë.
Në vijim, mbi bazën e tij do të diskutohet me aktorë të tjerë dhe institucione për ndjekjen e çështjeve të ngritura dhe rekomandimeve të dhëna.
Lexoni këtu dokumentin e plotë të Konferencës me përmbledhjen e diskutimeve dhe rekomandimeve