Më 10 korrik, Ministria e Drejtësisë publikoi në Regjistrin Elektronik për Njoftimin dhe Konsultimin Publik projektligjin “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”. Në relacionin shoqërues të projektligjit përmenden institucionet që kanë kontribuar në hartimin e tij. Është shqetësues fakti që në këtë grup personash (fizikë/juridikë) nuk përmenden organizatat e shoqërisë civile të cilat u njohën me projektligjin vetëm pas publikimit të tij për konsultim, ndërkohë që duhet t’ ishte kushtuar një vëmendje e veçantë përfshirjes së tyre që në fazat e para të hartimit të kësaj nisme.
Iniciativa për rishikimin e Ligjit, futjen e një procedure regjistrimi më të thjeshtë e efiçente për OJFtë si dhe krijimin e regjistrit elektronik është pozitive, megjithatë, projektligji sjell shumë ndryshime të cilat përbëjnë shqetësim për organizatat e shoqërisë civile, si dhe paqartësi të cilat është e nevojshme të bëhen më të qarta me qëllim funksionimin më të mirë të ligjit.
Qendra Kombëtare Burimore dhe Partnerët Shqipëri inciuan menjëherë një proces konsultues me organizata të shoqërisë civile për diskutimin e projektligjit si dhe daljen me rekomandime konkrete lidhur me të. Përmes një letre të hapur drejtuar institucioneve përgjegjëse për hartimin e projektligjit, si dhe për informacion donatorëve dhe organizatave ndëkombëtare në vend, 27 organizatat e shoqërisë civile, pjesë e procesit të konsultimit, shprehën shqetësimin e tyre lidhur me projektligjin si dhe shprehën opinionin dhe rekomandimet në parim dhe nen për nen lidhur me të. Për më shumë lexoni këtu: Letra e hapur dhe Komente e Sugjerime për Draftligjin.
Në përgjigje të kërkesës të organizatave të shoqërisë civile një takim u organizua në Ministrinë e Drejtësisë me përfaqësues të Drejtorisë së Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit dhe me një përfaqësi nga grupimi i OSHC-ve, ku u prezantuan të gjitha çështjet problematike të ligjit dhe sugjerimet përkatëse. Komentet dhe sugjerimet e OSHCve u pranuan nga përfaqësuesit e Ministrisë, të cilët u anagazhuan për rishikimin e draftit bazuar në sa u diskutua dhe sugjerua.