In News

Hapen aplikimet për “AKADEMIA E OJF-ve 2022”

Akademia e OJF-ve vjen tashmë si një program i konsoliduar, i cili kontribuon në rritjen e kapaciteteve të përfaqësuesve të OJF-ve në nivele ekzekutive dhe manaxheriale mbi çështje të zhvillimit dhe manaxhimit organizativ, qëndrueshmërisë financiare, advokimit për çështje të interesit të përbashkët, forcimit të bashkëpunimit ndërsektorial etj.

Prej vitit 2015, mbi 130 përfaqësues të OJF-ve shqiptare, me një shpërndarje të gjerë gjeografike, sektoriale dhe përfaqësimi gjinor, kanë përfituar njohuri dhe aftësi në drejtimin dhe manaxhimin efektiv të organizatave të tyre duke i ardhur në ndihmë grupeve të interesit për të cilat janë krijuar dhe publikut të gjerë.

Akademia e OJF-ve 2022 organizohet nga Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, zbatuar nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin dhe Lëvizjen Evropiane në Shqipëri, në kuadër të komponentit të rritjes dhe forcimit të kapaciteteve të OSHC-ve në Shqipëri.

Inkurajojmë të aplikojnë në Akademi drejtues të OJF-ve shqiptare në pozicionet: Drejtor Ekzekutiv, Menaxher Programi dhe Kryetar Bordi/Kryesie, të cilët synojnë rritjen e aftësive dhe zhvillimin e tyre profesional në këtë sektor për të ndërtuar organizata efektive në shërbim të publikut dhe grupeve të interesit.

Ju lutemi lexoni Broshurën e Akademisë për t’u informuar rreth përmbajtjes së programit, procesit dhe kritereve të aplikimit.

Afati i fundit për dorëzimin e Formës së Aplikimit është data 21 janar 2022 ora 17.00!

Për pyetje dhe informacione shtesë, lutemi të kontaktoni Xhoana Zeqo, Koordinatore e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, në info@resourcecentre.al

Forma e Aplikimit Download
Broshura informuese e Akademisë Download