Në nëntor, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët hapi procesin e konsultimit publik për Projektligjin “Për Vullnetarizmin”. Projektligji vjen në përgjigje të përpjekjeve shumëvjeçare të shoqërisë civile për përmirësimin e kuadrit ligjor për vullnetarizmin në vend, në kushtet kur ai ekzistues, megjithëse i plotësuar prej vitesh tashmë, nuk ka gjetur zbatueshmëri dhe është bërë barrë për OSHC-të dhe grupet informale duke i penguar në aktivitetin e tyre.
Megjithëse projektligji i propozuar ka si qëllim të ndërtojë një kuadër ligjor të qëndrueshëm dhe të favorshëm për kryerjen e vullnetarizmit, vërejmë që në draftligj ka ende një seri çështjesh problematike, të cila janë adresuar edhe më parë në tryezat e diskutimit me organizata të shoqërisë civile, si dhe në opinionet ligjore dhe rekomandimet e përcjella pranë Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët për përmirësimin e Ligjit Nr. 45/2016 “Për Vullnetarizmin”.
Disa nga çështjet kryesore janë paraqitur si më poshtë vijon:
– Në projektiligj mbetet e nevojshme të përmirësohet neni në lidhje me qëllimin e ligjit: Ligji duhet të synojë, mbi të gjitha, promovimin e shërbimit të vullnetarizimit dhe krijimin e kushteve efektive për dhënien e vullnetarizimit në funksion të interesit publik dhe mbrojtjen e të drejtës së individit për të shërbyer si vullnetar, pa kufizime burokratike të cilat cënojnë ofrimin e vullnetarizmit për interes publik dhe të drejtat e vullnetarit.
– Në mbrojtjen e të drejtave të vullnetarit identifikojmë që ka shumë dispozita për vullnetarin e mitur dhe ka kapërcime edhe të parimeve bazë të legjislacionit që kanë të bëjnë me zotësinë e kufizuar për të vepruar të të miturit dhe me moshën e fitimit të zotësisë së plotë për të vepruar për të miturit. Këto përcaktime thelbësore të legjislacionit duhet të respektohen.
– Projektligji nuk parashikon parime që do të mundësonin efektivisht dhënien e shërbimit të vullnetarizmit nga të huajt, veçanërisht në rastin e emergjencave civile.
– Në lidhje me përkufizimet e projektligjit, vërejmë që nuk ka përkufizim mbi “shërbimin e vullnetarizmit”. Sipas kartave dhe legjislacionit përkatës Evropian që ka të bëjë me vullnetarizmin, ofrimi i vullnetarizmit përkufizohet si “shërbim” dhe kjo të drejton në parimin që vullnetarizmi nuk mund të rregullohet dhe nuk mund të interpretohet si marrëdhënie pune, edhe në rastin kur lidhet kontrata e vullnetarit. Ky përkufizim është i rëndësishëm që të rregullohet në projektligj në menyrë që të qartësohet problemi kryesor që pati zbatimi i ligjit në fuqi, pra, që detyronte subjektet ofruese të vullnetarizimit të konsideronin marrëdhënien e vullnetarizmit si marrëdhënie pune dhe i detyronte për detyrime tatimore dhe sigurime shoqërore e shëndetësore për çdo vullnetar, pa konsideruar përfitimin publik të shoqërisë, etj. Pra, duke përfshirë përkufizimin e “shërbimit të vullnetarit” duhet që me projektligjin e ri të shmangim qasjen për të përfituar sigurime e tatim mbi të ardhurat personale nga marrëdhenia e ofruesit të shërbimit të vullnetarizmit, pa konsideruar e duke dëmtuar përfitimin e pakrahasueshëm të shoqërisë nga angazhimi i vullnetarëve.
– Në lidhje me sa më lart, është e nevojshme që në përkufizimin e kontratës së vullnetarizmit të zëvendësohet fjala “punë” në mënyrë që dispozita të lexohet si kontrata që lidhet për shërbimin e vullnetarizmit. Kjo do të shmangte në mënyrë efektive konsiderimin e kontratës e vullnetarit si kontratë pune.
– Në lidhje me dispozitat për regjistrimin e vullnetarëve, nuk i shërbën asnjë interesi që kjo të përqëndrohet dhe të mbahet nga shteti. Sikurse kemi propozuar, çdo organizatë jofitimprurëse duhet të mbajë regjistrin e vullnetarëve që angazhon dhe strukturat përkatëse shtetërore dhe institucione të tjera të cilave mund tu nevojitet edhe per efekte statistikore, mund ta marrin si informacion nga organizatat jofitimprurëse. Bazuar në këtë regjistrim të mbajtur nga vetë organizatat jofitimprurëse, lëshohen edhe librezat e vullnetarit nga po këto organizata (ofruesi i vullnetarizmit).
– Masat administrative të shtuara i japin projektligjit një natyrë represive dhe në vleresimin e frymës dhe objektit të ligjit, masat e parashikuara me mungesën e proporcionalitetit të kërkuar, si dhe natyrën e përsëritjes së shkeljes apo jo, e çojnë rregullimin e fushës në një regres krahasuar me ligjin në fuqi. Ofruesit e vullnetarizmit në tërësi nuk inkurajohen, nxiten dhe kanë stimul moral dhe ligjor me masa të shtuara administrative dhe burokratike, të cilat të gjitha përkthehen në kosto dhe angazhime ekstra të personelit ekzistues për të reflektuar dhe zbatuar parashikimet e ligjit.
– Projektligji do të ishte mirë të konsultohej dhe miratohej së bashku me paketën e akteve nënligjore në mënyrë që të shmangej që aktet nënligjore të parashikojnë mbi parashikimet dhe lejimet e ligjit për vullnetarizmin, i cili shpresojmë që do të miratohet duke mbajtur në vëmendje TË PAKTËN sugjerimet e mësipërme.
Disa komente më specifike, për disa nga nenet më problematike, janë paraqitur më poshtë:
Neni 2. Qëllimi i ligjit
Projektligji i ri synon dhe aspiron nxitjen dhe mbështetjen e Vullnetarizmit duke ofruar një kuadër rregullator më të favorshëm. Fryma e favorizmit dhe mbështetjes përmendet nominalisht vetëm në hapje të Projektligjit dhe humbet në përmbajtjen e parashikimeve në draft.
Neni 5. Pika 5
Neni 5 përcakton dhe përkufizon vullnetarizmin i cili është një shërbim në dobi të komunitetit për interes të tij. Parashikimi i pikës 5 të nenit 5 ku përmenden vetëm shtetasit Shqiptarë e bën dispozitën të paplotë pasi lihen jashtë pa u përmendur shtetasit e huaj. Shtetasit e huaj janë përmendur në një dispozitë tjetër, por në vijim të definimit të konceptit të shërbimit të vullnetarizmit është i paplotë.
Neni 7. Pika 4
Në vazhdim të sugjerimit përkatës të mësipërm, në mënyrë të veçantë, parashikimi i pikës 4, neni 7, është risia me e madhe tek Ofruesi dhe përfituesi i vullnetarizmit. Teknika legjislative e përdorur në hartimin e dispozitës krijon paqartësi dhe konfuzion. Personi Juridik që kryen veprimtari fitimprurëse mund të jetë ofrues i vullnetarizmit ndërkohë që në ligjin në fuqi është vetëm për subjektet që kryejnë veprimtari jofitimprurëse, subjektet fitimprurëse duhet të synojnë që në ofrimin e vullnetarizmit nuk realizojnë veprimtari fitimprurëse. Ky parashikim në linjën e përgjithshme të frymës së ligjit për të nxitur dhe mbështetur vulletarizmin i shërben në makro fuqizimit, por kërkon një mirëpërcaktim më të gjerë sesa parashikimet e nenit 23.
Neni 7. Pika 7
Pika 7 e Nenit 7, përpos efektit pozitiv të afirmimit të programeve të tilla, paraqet mungesa të një referimi dhe detajimi më të plotë pasi kemi programe që kanë konkurrencë/hierarki dhe rregullime të ndryshme, këto programe janë komplekse me natyra rajonale, kontinentale dhe ndërkombëtare dhe lë vend për shumë interpretime.
Neni 12. Pika 1
Parashikimi mbi parimet bazë të funksionimit të Ligjit të ri është një aspekt pozitiv i sjellë nga draftligji. Megjithatë, teknika legjislative dhe gjuha me terminologjinë e përdorur është problematike dhe ka mungesë konsistence. Përdorja e koncepteve si kryerja “e punëve” në vullnetarizëm vjen në kontradiktë me frymën dhe natyrën e fushës që ligji synon të rregullojë dhe disiplinojë vullnetarizmin “si shërbim”.
“Kryerja e punëve” krijon konfuzion dhe dualizëm pasi është një vazhdim i gjuhës dhe kulturës së legjislacionit të punës që nuk mund të njësohet me vullnetarizmin. Kryerja e shërbimeve dhe veprimtarive vullnetare do të ishte një gjuhë më afër realitetit të fushës së vullnetarizmit pa krijuar keqkuptime dhe interpretime të zhargonit të përgjithshëm me fjalor rreth punës.
Neni 13. Pika g.
Për të shmangur interpretimet e ndryshme duhet të zëvendësohet “pagesa për para xhepi” me kompensimin e vullnetarit për shpenzimet e kryera dhe të dokumentuara gjatë vullnetarizmit. “Pagesë për para xhepi” është totalisht jo në konsistencë me qëllimet dhe parimet e projekt-ligjit, parashikimi mund të jetë marrë nga programe të Bashkimit Evropian, i cili nuk gjen asnjë kontekstualizim me realitetin ekonomiko-social të Shqipërisë. Po kështu, vendosja e një norme 30% të vlerës neto të pagës minimale në shkallë vendi nuk është aspak realiste pasi organizata të caktuara që numërojnë me dhjetra vullnetarë do duhej në rastet e eventualiteteve të rrethanave të parashikimit që bën dispozita, që të kishin nje fond monetar të konsiderueshëm që asnjë organizatë nuk e ka apo do ta kishte.
Neni 43. Pika 1.
Parashikimet mbi Librezën e Vullnetarit janë tepër të centralizuara me natyrë burokratike dhe inputi i subjekteve ofruese të vullnetarizmit është minimal. Ndërkohë do të ishte plotësisht e mundur që institucioni përgjegjës, të mund të miratonte formën dhe plotësimi të bëhej nga Ofruesit e Vullnetarizmit. Vullnetarët lidhjen e drejtpërdrejt e kanë me ofruesit e vullnetarizmit dhe jo në linjën e tërthortë nga institucionet qendrore të linjës apo agjencitë përkatëse. Si pjesë e nenin mund të specifikohet që libreza e vullnetarit duhet të jetë një dokument elektronik.
Neni 46. Pika 1,2
Parashikimet e nenit 46 për kundërvajtjet administrative janë parashikime të reja të projekt-ligji në dallim nga ligji në fuqi. Masat administrative të shtuara i japin projektligjit një fizionomi represive dhe në vleresimin e frymës dhe objektit të ligjit, masat e parashikuara me mungesën e proporcionalitetit të kërkuar, si dhe natyrën e përsëritjes së shkeljes apo jo, e çojnë rregullimin e fushës në një regres krahasuar me ligjin në fuqi.
Ofruesit e vullnetarizmit në tërësi nuk inkurajohen, nxiten dhe kanë stimul moral dhe ligjor, me masa të shtuara administrative dhe burokratike të cilat të gjitha përkthehen në kosto dhe angazhime ekstra të personelit ekzistuese për të reflektuar dhe zbatuar parashikimet e ligjit.
Komentet e mësipërme u janë dërguar për dijeni Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, si koordinator i procesit të konsultimit publik, duke shpresuar në marrjen në konsideratë të tyre, njëkohësisht duke kërkuar një takim një për konsultim më të gjerë me organizatat e shoqërisë civile dhe adresuar të gjitha çështjet dhe problematikat e përmendur si më lart.
Si më poshtë lista e organizatave dhe rrjeteve që i janë bashkuar komenteve dhe sugjerimeve të mësipërme.
(sipas rendit alfabetik)
ACLI – IPSIA, Shqipëri
Act for Society
Act Think Center
Active Mobility
Caritas Shqiptar
Center for Education and Social Advancement
CODE Partners / “ARKA”
Durrësi Aktiv
Erasmus Student Network
Fondacioni “Misioni Emanuel”
Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar
Forumi i Mendimit të Lirë
Grupi i Përdoruesve Wikimedian-ët e Gjuhës Shqipe
Hand to Hand Against Nation Apathy (H.A.N.A)
Impakt Inkubator |Albania
Instituti për Kontratën Shoqërore
Instituti per Studimet Publike & Ligjore
Instituti Shqiptar i Ushqimit dhe Inovacionit (ISHUI)
Kongresi Rinor Kombëtar (organizatë ombrellë e rreth 140 subjekteve rinore nga e gjithë Shqipëria me qëllim fuqizimin e rolit të të rinjve në shoqëri)
Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve
KS Factor
Lëvizja Europiane në Shqipëri
Network Albania
Nisma për Ndryshim Shoqëror, ARSIS
Observatori për të drejtat e fëmijëve
Opportunity Balance and Overcoming
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Për Zhvillimin Psikosocial dhe Kulturore të Fëmijëve e të Rinjve
Përtej Barrierave
Qendra “Aulona”
Qendra “Instituti për Zhvillim Strategjik”
Qendra “Epoka e Re”
Qendra “Streha”
Qendra “Youth Act”
Qendra “Trokitja”
Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC)
Qendra AMAD
Qendra Eden
Qendra ICG Research
Qendra Jonathan
Qendra për Advokim Social
Qendra për Drejtësi Gjinore
Qendra për Zhvillimin Ekonomik dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare
Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin
Qendra Shqiptare për Studime Orientale (Acfos Albania)
Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes
Qendra Trokitja
Qendra YMCA
Rrjeti “Zëri i të Rinjve” (një rrjet kombëtar prej 21 organizatash që punojnë në qarqe të ndryshme në të gjithë vendin, për të rinjtë dhe me të rinjtë)
Rrjeti i Profesionistëve të Rinj
Rrjeti Kombëtar i Edukatorëve Bashkëmoshatarë -Y-PEER Albania
Shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare”
Shoqata “Qendra Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë” Fushë-Arrëz
Shoqata AKS
Të ndryshëm dhe të Barabartë
United Nations Association Albania (UNAA)
Youth Rights & Citizenship Initiative
Nëse dëshironi të dini më shumë mbi përpjekjet tona, gjeni këtu Letrën e Hapur, si dhe Opinion ligjor “Mbi kuadrin ligjor për Vullnetarizmin dhe zbatueshmërinë e tij”.