Në vijim të njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë në platformën konsultimipublik.gov.al të datës 27 dhjetor 2023, në lidhje me konsultimin me palët e interesuara të Dokumentit “Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike”, Partnerët Shqipëri ka paraqitur në platformë një sërë komentesh dhe rekomandimesh lidhur me çështjet që trajton Udhërrëfyesi.
“Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike ” është një dokument politik dhe strategjik i cili paraqet masat kryesore që parashikohen të merren në kuadër të procesit të adresimit të gjetjeve të paraqitura nga Komisioni Evropian në raportin e shqyrtimit (screening report) për Shqipërinë për sa i përket Kriterit Politik kryesisht Funksionimit te Institucioneve demokratike.
Përfshirja e organizatave të shoqërisë civile në krijimin e dokumenteve strategjike, si dhe në mbikëqyrjen dhe implementimin e tyre, është thelbësore dhe një kusht paraprak për një demokraci të qëndrueshme dhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Gjeni në vijim komentet dhe rekomandimet tona për Udhërrëfyesin.
Komente të përgjithshme
Në faqen e konsultimit mungon një relacion shpjegues, si dokument shoqërues i Udhërrëfyesit, i cili të paraqesë një përmbledhje shpjeguese të përmbajtjes, qëllimin dhe objektivat që synohen të arrihen, e të tjera elementë të nevojshëm.
Dokumenti ka një gjuhë shumë të përgjithshme dhe në pjesën më të madhe të tij, përmbajtja nuk është e formuluar sic duhet, në përgjigje të titujve të paraqitur. Mbetet e nevojshme të plotësohet e zhvillohet më tej, me një përmbledhje dhe analizë më specifike për secilën prej prioriteteve të vendosura, si dhe të shtohen rubrika të tjera që e bëjnë dokumentin Udhërrëfyes sa i përket zbatimit të masave (psh. institutionet përgjegjëse, partnerët në zbatim, treguesit e zbatimit, afatet etj.).
Afatet kohore që janë paraqitur, në shumicën e rasteve ose janë shumë të përgjithshme dhe të tejzgjatura në kohë (deri në vitin 2030) ose janë afate të tejkaluara tashmë (brenda 2023) ndërkohë që masat respektive nuk janë realizuar.
Komente lidhur me masat specifike dhe zbatimin
Si më poshtë po paraqesim disa komente dhe rekomandime konkrete sipas masave të paraqitura në udhërrëfyes:
I. Lidhur me masat e përcaktuara në Fushën 2. Funksionimi i Kuvendit, Objektivi 2.1. Amendimi i Kodit të Sjelljes së deputetëve, për të futur detyrimin që takimet e deputetëve dhe stafit të tyre me OSHC-të dhe lobistët të zhvillohen vetëm me ata që janë të regjistruar në Regjistrin e Transparencës në përputhje me përcaktimet e Vendimit të Komisionit të datës 31 janar 2018 mbi Kodin e Sjelljes për Anëtarët e Komisionit Evropian, neni. 7 si dhe publikimin e procesverbalit të mbledhjes deri më 2029.
Koment. Detyrimi për deputetët dhe stafin e tyre nuk mund të limitohet vetëm me ata që janë të regjistruar në Regjistrin e Transparencës. Takimet duhet të jenë të hapura dhe njoftimet duhet të jenë publike në faqen e Kuvendit. Në lidhje me lobistët, mbetet e nevojshme të qartësohet termi lobist dhe të hartohet një ligj apo akte të tjera që përkufizojnë dhe rregullojnë aktivitetin e lobistëve.
II. Sërish lidhur me Objektivin 2.1., në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit, parashikohet hartimi i një plani pune për arritjen e standardeve dhe treguesve të transparencës 2024-2025.
Koment. Rekomandojmë të shtohet “….pas një procesi të gjerë konsultimi publik me organizatat e shoqerise civile dhe grupet e interesit”. Gjithashtu është e nevojshme të shtojmë “Hartimin e raporteve periodike në lidhje me realizimin e planit të punës për arritjen e standardeve dhe treguesve të transparencës. Përfshirja e OJF-ve dhe grupeve të interesit në procesin e monitorimit të planit. Përfshirja e OJF-ve dhe grupeve të interesit në takime konsultuese të raportit të monitorimit të planit, përpara miratimit të tij në Kuvend”.
Po lidhur me Objektivin 2.1, në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit, parashikohet rritja e pjesëmarrjes së OSHC-ve dhe grupeve të interesit në mbledhjet e komisioneve parlamentare gjatë procesit ligjbërës dhe mbikëqyrës si dhe gjatë ushtrimit të funksionit zgjedhor të Kuvendit.
Koment. Përtej rritjes së pjesëmarrjes, mbetet e nevojshme të ketë një angazhim në terma më konkretë që dëshmojnë për efektivitetin dhe impaktin e procesit. Krijimi i një procedure standard që detyron komisionet të japin vlerësimet e tyre mbi rekomandimet që vijnë nga OJF-të dhe grupet e interesit, marrjen ose jo parasysh të tyre së bashku me argumentimet përkatëse, në përputhje edhe me legjislacionin për konsultimin publik.
III. Në lidhje me Fushën 3, Roli i Shoqërisë Civile.
Koment. Afatet kohore të parashikuara për disa nga masat, nuk janë në linjë me të tjerë dokumente strategjikë si “Udhërrëfyesi për politikën qeverisëse drejt një mjedisi mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile 2019–2023, i rishikuar”. Për masa të parashikuara në të dy Udhërrëfyesit, është e nevojshme të unifikohen aktivitetet, treguesit, afatet dhe institucionet përgjegjëse.
IV. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.1. Kuadri ligjor rreth shoqërisë civile, Masa. Korniza legjislative për Këshillin Kombëtar ndryshohet për të përmirësuar funksionimin e tij dhe për të siguruar përfshirje më të madhe të institucioneve publike dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile brenda vitit 2026.
Koment. Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile (KKSHC) është organi këshillues për dialogun dhe bashkëpunimin me OJF-të, funksion i cili mbetet i papërmbushur ndër vite. Përmirësimi i funksionimit nuk ka lidhje aq me ndryshimin e kornizës legjslative, sesa me zbatimin e ligjit. Ndër vite, megjithëse ligji përcakton zhvillimin e mbledhjeve periodike që thirren nga Kryetari i KKSHC, mbledhjet nuk zhvillohen ose dhe në rastet që zhvillohen janë shumë formale dhe limitohen në miratimin e anëtarësisë dhe jo në diskutimin e cështjeve prioritare për sektorin e OJF-ve. Edhe nëse do ketë ndryshime dhe përmirësime në kuadrin ligjor, mbetet i nevojshëm zbatimi i ligjit. Transparenca e veprimtarisë së KKSHC dhe publikimi i veprimtarisë së saj, përfshi mbledhjet periodike, diskutimet dhe monitorimi i masave/aksioneve të propozuara, rritja e bashkëpunimit me sektorin jofitimprurës, mbeten shumë të nevojshme për përmirësimin e funksionimit të KKSHC. Bazuar në sa më lart, përmirësimi i funksionimit nuk është e nevojshme të presë deri në 2026 kur të ndodhin ndryshimet ligjore, por duhen marrë masa të menjëhershme për përmirësim.
V. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.1. Kuadri ligjor rreth shoqërisë civile, Masa. Miratimi i raportit të vlerësimit të monitorimit për udhërrëfyesin 2019-2023.
Koment. Është e nevojshme të shtohet, që miratimi i raportit të bëhet pas bërjes publike të draft raportit dhe konsultimit me shoqërinë civile. Nga praktika ndër vite, rasti është ose që nuk ka fare një raport vlerësimi të Udhërrëfyesit, ose që ka një raport që ndahet nga qeveria, e për të cilin nuk ka asnjë shpjegim si është bërë monitorimi, kush e ka bërë, cilat organizata të shoqërisë civile apo grupe interesi kanë qenë të përfshirë etj. Për rrjedhojë, vlerësimi nuk ka qenë realist dhe ka qenë në kundërshtim edhe me shumë raporte të tjera të organizatave të shoqërisë civile apo dhe raportet e progresit të BE. Ndaj, mbetet e nevojshme të shtohet si detyrim në këtë masë, konsultimi me OJF-të dhe grupet e interesit dhe miratimi i raportit pas konsultimeve.
VI. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.1. Kuadri ligjor rreth shoqërisë civile, Masa. Miratimi i Udhërrëfyesit të ri për mjedisin mundësues për OSHC-të 2024-2027 brenda vitit 2024.
Koment. Është e nevojshme sërish të parashkohet, miratimi i udhërrëfyesit pas një konsultimi të gjerë me OJF-të dhe grupet e interesit. Udhërrëfyesi i ri duhet hartuar bazuar në një vlerësim sa më real të Udhërrëfyesit të mëparshëm, në linjë me dokumente të tjerë strategjikë të miratuar (si ky Udhërrëfyes) dhe në linjë me Udhëzuesin e BE për mbështetjen e shoqërisë civile për vendet e zgjerimit.
VII. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.1. Kuadri ligjor rreth shoqërisë civile, në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit, parashikohet “Procedurat administrative të procesit të dhënies së granteve të AMSHC do të përmirësohen brenda vitit 2025”.
Koment. Në lidhje me AMSHC dhe funksionimin e saj, mbetet e nevojshme të bëhet një transparencë e plotë e veprimtarisë së saj. Nëse parashikohet përmirësimi i procedurave administrative të procesit të grantdhënies, është e nevojshme të paraqitet në mënyrë eksplicite si bëhet transparenca. Përcaktimi i masave si përgatitja e raporteve të impaktit të granteve, publikimi i shumës së grantit, listës së detajuar me projektet dhe organizatat e mbështetura, kontratave etj. mbeten të nevojshme në këtë drejtim.
Gjithashtu, bazuar në gjetjet e raporteve të monitorimit të mjedisit mundësues të sektorit të shoqërisë civile, si dhe në raportet periodike të progresit publikuar nga BE, mbështetja me fonde publike e organizatave të shoqërisë civile mbetet e limituar. Fondi për grante për OJF-të, ka shumë vite që mbetet pothuaj i njëjtë (me një rënie gjatë periudhës së COVID 19), ndërkohë që nuk ka pse të mbetet në të njëjtat nivele. Ky fond duhet të rritet për të reflektuar nevojat e sektorit dhe ndryshimet e ndodhura që nga krijimi i AMSHC. Është e nevojshme të rritet mbështetja e AMSHC me grante për OJF-të, si për mbështetjen e projekteve të reja ashtu edhe për të mbuluar bashkëfinancimin e projekteve të donatorëve të huaj. Mbështetja institucionale e OJF-ve duhet gjithashtu të reflektohet tek shpërndarja e granteve, sepse edhe pse është e parashikuar, nuk është zbatuar asnjëherë.
VIII. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.1. Kuadri ligjor rreth shoqërisë civile, në kolonën e performancës, parashikohet “OSHC-të marrin mbështetje përmes fondeve shtetërore, e mundësuar nga procedura të shpejta dhe të përmirësuara brenda vitit 2030”.
Koment. Fondet shteterore nuk duhet të kuptohen dhe shihen vetëm përmes fondeve të AMSHC. Ka edhe institucione të tjera dhe mekanizma, të cilët duhen përfshirë këtu (si në nivel qendror dhe vendor). Udhërrëfyesi duhet të marrë në konsideratë edhe këto fonde dhe rregullimet e parashikuara duhet të përfshinë të gjitha fondet publike. Është e nevojshme që kjo të parashikohet si në masa edhe në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit.
IX. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.2. Kornizat kombëtare ligjore, rregullatore dhe politike për organizatat e shoqërisë civile (OSHC).
Koment. Si pjesë e objektivit, parashikohen kushtet për regjistrim, zbatimin e lirisë së asociimit, mekanizmat për parandalimin e ndërhyrjeve dhe presionit të panevojshëm mbi aktivitetet dhe anëtarët e OSHC-ve, kushtet për taksimin dhe aksesin në financim/burime, etj.
Ndërkohë, ka edhe shumë çështje të tjera të cilat mbeten problematike në kornizën ligjore dhe rregullatore dhe duhen përfshirë këtu:
X. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.2. Kornizat kombëtare ligjore, rregullatore dhe politike për organizatat e shoqërisë civile (OSHC), në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit parashikohet: “Regjistri elektronik i OSHC-ve pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor është funksional brenda vitit 2023”.
Koment. Viti 2023 u mbyll dhe regjistri elektronik nuk është funksional. Vendimi 35, datë 26.01.2022 I KLGJ ende nuk ka gjetur zbatim praktik dhe as nuk ka ndonje njoftim lidhur me të në përfundim të afatit të parashikuar.
XI. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.2. Kornizat kombëtare ligjore, rregullatore dhe politike për organizatat e shoqërisë civile (OSHC), në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit parashikohet: “Ka kapacitete e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të siguruar funksionimin e sistemit dixhital për regjistrimin e OSHC-ve brenda vitit 2023”.
Koment. Sërish vlen i njëjti koment. Viti 2023 u mbyll dhe regjistri elektronik nuk është funksional. Nuk ka ndonjë informacion publik në lidhje me rritjen e kapaciteteve të KLGJ për të siguruar funksionimin e sistemit dixhital për regjistrimin e OSHC-ve.
XII. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.2. Kornizat kombëtare ligjore, rregullatore dhe politike për organizatat e shoqërisë civile (OSHC), në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit parashikohet: “U rritën kapacitetet e organeve tatimore për të përballuar nevojën për të mundësuar procedura të shpejta të rimbursimit të TVSH-së”.
Koment. Këtu nuk reflektohet kuadri ligjor në fuqi dhe ndryshimet e fundit që kanë ndodhur që prej shtatorit 2023, përderisa i referohet procedurave të shpejta të rimbursimit. Sipas këtyre ndryshimeve, nuk flitet më për rimbursim, po për përjashtim nga TVSH-ja. Për më tej, kuadri ligjor në fuqi, nuk ka afate kohore se kur hyn në fuqi procedura e re për përjashtim nga TVSH. Kjo duhet të reflektohet me ndryshimin se kur duhet të hyjë në fuqi. Më pas, kapacitetet e organeve tatimore duhen rritur në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues.
XIII. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.3. Konteksti më i gjerë për një mjedis mundësues, Masa. “Korniza ligjore e rishikuar për vullnetarizmin miratuar brenda vitit 2027”.
Koment. Sipas Vendim nr. 790, datë 28.12.2023 “Për miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve që do të paraqiten për shqyrtim në këshillin e ministrave gjatë vitit 2024”, rishikimi i Ligjit 45/2016 “Për vullnetarizmin” është parashikuar gjatë Katërmujorit të III-të të vitit 2024. Ndërkohë, prej vitit 2022, është krijuar një grup pune me përfaqësues nga OJF-të, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministrinë e Financave, Agjencinë Kombëtare për të Punësimit dhe Aftësive dhe ekspertë ligjorë, për diskutimin e ndryshimeve dhe përmirësimeve ligjore dhe rregullatore. Nisur nga këto parashikime dhe zhvillime, afati deri në vitin 2027 është shumë i largët dhe i panevojshëm. Ligji që prej miratimit të tij në 2016-ën, nuk është bërë asnjëherë funksional dhe nuk e ka përmbushur objektin e tij. Nuk është e nevojshme që kjo situatë të zgjatet edhe për disa vite të tjera, cka do të ndikonte negativisht në zhvillimin e një mjedisi mundësues për nxitjen e vullnetarizmit në vend.
XIV. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.3. Konteksti më i gjerë për një mjedis mundësues, Masa. “Ndryshim në ligjin nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, dhe në legjislacionin dytësor për konsultimin publik bëhet në mënyrë progresive drejt vitit 2030”.
Koment. Ndryshimet në ligjin nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, dhe në legjislacionin dytësor për konsultimin publik kanë shumë vite që janë ngritur si cështje nga organizatat e shoqërisë civile dhe jo vetëm. Progres Raporti i BE-së në mënyrë periodike thekson nevojën për përmirësimin në këtë drejtim. Në këto kushte, kur kjo çështje është diskutuar shumë dhe prej një kohe të gjatë, afati duhet afruar. Nuk mund të vendoset deri në 2030 sepse është një peruidhë shumë e gjatë, ndërkohë që konsultimi publik duhet të përmirësohet sa më shpejt, dhe kuadri ligjor e rregullator të jetë sa më mundësues dhe efektiv.
Bazuar në Vendim nr. 790, datë 28.12.2023 “Për miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve që do të paraqiten për shqyrtim në këshillin e ministrave gjatë vitit 2024”, Ligji për Konsultimin Publik nuk është parashikuar të përfshihet në axhendën e punimeve gjatë 2024. Mbetet e nevojshme, afrimi i afatit për këtë Ligj kaq të rëndësishëm që garanton përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe grupeve të interesit në politikëbërje dhe që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me procesin e integrimit të vendit në BE.