Më datë 22 Qershor 2022 u zhvillua mbledhja e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile.
Të pranishëm në mbledhje, përveç anëtarëve të KKSHC dhe të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) që luan rolin e Sekretariatit të KKSHC, ishin edhe përfaqësues të katër organizatave që kishin shprehur interes të ndiqnin takimin, mes tyre dhe përfaqësues të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.
Në përputhje me agjendën e mbledhjes, si pjesë e saj u mbajt një prezantim nga Drejtoria e Përgjithshme e Njësisë së Politikave në Kryeministri (KM) mbi monitorimin e udhërrëfyesit për politikën e qeverisë “Për krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile 2019-2023”, dokumenti strategjik që synon fuqizimin e rolit të shoqërisë civile në bashkëqeverisje përmes krijimit të një mjedisi mundësues për shoqërinë civile në vend dhe rritjes së dialogut dhe bashkëpunimit mes sektorit dhe institucioneve qeverisëse.
Ndërkohë që vlerësojmë vullnetin e qeverisë për të monitoruar zbatimin e Udhërrëfyesit dhe ndarë rezultatet e monitorimit, duhet të theksojmë që ky prezantim ishte problematik në disa drejtime:
Së pari, procesi i monitorimit nuk është realizuar në bashkëpunim, me kontributin dhe përfshirjen në shkallë vendi të organizatave të shoqërisë civile (OSHC-ve), sikurse parashikon Vendimi i Këshillit të Ministrave (VKM) Nr. 539, datë 25.7.2019 “Për Miratimin e Udhërrëfyesit për Politikën Qeverisëse Drejt një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile 2019–2023, I Rishikuar”. Gjatë këtyre viteve, nuk është zhvilluar një proces monitorimi me përfshirjen e shoqërisë civile lidhur me këtë dokument kaq të rëndësishëm për të, madje as përfaqësuesit e shoqërisë civile në KKSHC nuk kanë qenë të përfshirë.
Së dyti, ndërkohë që nga prezantimi rezulton se të tre prioritetet strategjike janë realizuar në masën mbi 50%, respektivisht:
– Drejtimi Strategjik 1 i Udhërrëfyesit “Bashkëpunimi i institucionalizuar Qeveri-Shoqëri Civile në politikëbërje dhe në Integrimin Evropian” është realizuar në masën 85%;
– Drejtimi strategjik 2 “Mundësimi i mjedisit ligjor & qeverisjes së të dhënave” është realizuar në masën 64%; dhe
– Drejtimi strategjik 3 “Kuadër fiskal dhe financues i favorshëm” është realizuar në masën 63%;
në të gjitha raportimet e viteve të fundit mbi monitorimin e mjedisit mundësues për shoqërinë civile në Shqipëri (Matrica e Monitorimit mbi Mjedisin Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile – Raporti Përmbledhës për Shqipërinë 2021), në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë dhe raporte te tjera të cilët e kanë në fokus këtë çështje, është theksuar që nuk ka ose ka shumë pak progres në drejtim të zbatimit të udhërrëfyesit dhe realizimit të masave që ai parashikon.
Gjatë tre viteve të fundit ka patur mungesë të vazhdueshme të informacionit publik mbi ecurinë e zbatimit të Udhërrëfyesit nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Që prej fillimit të zbatimit të Udhërrëfyesit, ky është takimi i parë në të cilin jepet informacion mbi monitorimin e Udhërrëfyesit dhe arritjet deri më tani.
Së treti, mënyra e prezantimit duke u fokusuar në % (përqindje) të realizimit të masave dhe jo në tregues konkretë që reflektojnë progresin, nuk ofron transparencën e duhur lidhur me këtë monitorim. Nuk ka asnjë informacion publik si është bërë vlerësimi i këtij progresi dhe cilat janë evidencat për realizimin e masave dhe indikatorëve. Nga prezantimi konstatohet që në disa raste vlerësimi për realizimin bazohet në arritje të cilat nuk lidhen me treguesit e masës përkatëse.
Partnerët Shqipëri prej vitesh tashmë monitorin mjedisin mundësues për shoqërinë civile në vend dhe përgatit raporte vjetore lidhur me të. Bazuar në gjithë informacionin e disponueshëm publikisht dhe atë të deklaruar nga institucionet si pjesë e punës sonë monitoruese, por edhe nga praktika e punës së OSHC-ve, për një pjesë të mirë të masave dhe treguesve nuk rezulton të jetë arritur rezultati i paraqitur.
Gjeni këtu një tabelë në të cilën paraqiten në mënyrë të përmbledhur prioritetet dhe masat respektive, shoqëruar me të dhënat në përqindje për realizimin e tyre prezantuar nga përfaqësuesit e qeverisë, si dhe disa komente nga monitorimi i Partnerëve Shqipëri për këto masa.
Duke vlerësuar rëndësinë e zbatimit të udhërrëfyesit dhe të një procesi periodik monitorimi në bashkëpunim, me kontributin dhe përfshirjen në shkallë vendi të OSHC-ve, ftojmë institucionet përgjegjëse të jenë më transparente në ndarjen e informacionit mbi këtë proces dhe aktorët e përfshirë në të, si dhe në ndarjen e një raporti të plotë dhe të detajuar lidhur me realizimin e masave, në vijim të prezantimit të mbajtur nga përfaqësuesit e qeverisë në mbledhjen e KKSHC-së.