In News

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri

Të nderuar kolegë, bashkëpunëtorë e mbështetës,

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim ka kënaqësinë të ndajë me ju lajmin për ngritjen e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, financuar nga Bashkimi Evropian.

Ngritja e kësaj Qendre, vjen në vijimësi të punës së dedikuar shumëvjeçare të Partnerëve Shqipëri, në mbështetjen dhe fuqizimin e sektorit të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në vend.

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile do të shërbejë si një platformë për shoqërinë civile në nivel lokal, kombëtar, rajonal e më gjerë. Ajo do të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, të pavarur, transparentë e të përgjegjshëm, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, demokracinë pjesëmarrëse dhe proçesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Iniciativa zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Evropiane në Shqipëri (EMA).

Qendra ka zyrën kryesore në Tiranë, si dhe dy zyra të tjera rajonale në Shkodër e Vlorë për të siguruar një mbulim sa më të gjerë territorial në të gjithë vendin, me aktivitetet dhe shërbimet e saj.

Funksionet kryesore të Qendrës janë:

  • Ofrim informacioni dhe shërbimesh (help desk) për sektorin dhe të gjithë aktorët e partnerët e interesuar për zhvillimet në sektorin e shoqërisë civile;
  • Rrjetëzim për organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal, kombëtar, rajonal e më gjerë;
  • Fuqizim i kapaciteteve të shoqërisë civile në Shqipëri përmes programeve të trajnimit, shkëmbimit, etj;
  • Mbështetje për përmirësimin e qeverisjes së organizatave të shoqërisë civile për një funksionim më të mirë të tyre, më të përgjegjshëm e transparent, si dhe për rritjen e besimit të publikut dhe aktorëve e partnerëve ndaj sektorit;
  • Rritje e aftësive rrjetëzuese e advokuese dhe lehtësim i proceseve të advokimit dhe dialogut, për një pjesëmarrje më të madhe e më cilësore në politikëbërje, si dhe në zbatim e monitorim politikash në nivel lokal e kombëtar.

Aktiviteti lançues i Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, do të organizohet më 5 prill 2019 në Tiranë.

Për më shumë informacion për Qendrën dhe aktivitetet, na ndiqni në Website www.resourcecentre.al që do jetë efektiv pas disa ditësh, si dhe na kontaktoni në Qendrën Kombëtare Burimore në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, në adresat si më poshtë.

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile

Rruga e Elbasanit, PARK GATE, Kati i 10të, Ap. 73, Tiranë
(në mjediset e “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim”)
Tel/Fax: +355 4 2254881
E-mail: info@resourcecentre.al

 

Zyra në Shkodër
Lagjja Kongresi i Përmetit, Rr. Oso Kuka,
Kati i 2të, Hyrja 1, Shkoder
(në mjediset e Shoqatës “Gruaja në Zhvillim”)
E-mail: shkodra@resourcecentre.al

 

Zyra në Vlorë
Lagjja 29 Nëntori, Rr. Dede Ahmet Amataj,
Çerdhja 15, Kati i 2të, Vlorë
(në mjediset e Qendrës “Aulona”)
Tel: +355 3 3224531
E-mail: vlora@resourcecentre.al

 

Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri zbatohet në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Evropiane në Shqipëri (EMA).