Programi i asistencës teknike mbështet rrjete, koalicione dhe grupime formale dhe jo-formale me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të tyre dhe të çështjeve e kauzave të cilat duan të çojnë përpara në të gjitha fushat ku OSHC-të kontribuojnë.
Përgjatë vitit të parë të zbatimit të Programit, 4 rrjete organizatash të shoqërisë civile rritën kapacitetet dhe aftësitë e anëtarëve të tyre nëpërmjet programeve të dedikuara të asistencës dhe mentorimit, hartuar specifikisht bazuar në nevojat e tyre.
Rrjeti i Prindërve, Elbasan është një rrjet lokal informal prej 5 OSHC në qarkun e Elbasanit, që punojnë me personat me aftësi ndryshe dhe prindërit e tyre. Si pjesë e Programit rrjeti u asistua në hartimin e një fushate advokimi me qëllim sigurimin dhe ofrimin e shërbimeve për individët me aftësi ndryshe mbi moshën 18 vjeç, në Qarkun e Elbasanit. Gjithashtu gjatë asistencës rrjeti punoi për rritjen e qëndrueshmërisë së tij përmes rishikimit të funksionimit të brendshëm të anëtarëve të tij dhe hartimit të një rregulloreje të rrjetit.
Rrjeti i Vigjilencës “ Një sy për mjedisin” është një rrjet kombëtar, i përbërë prej 6 OSHC në rajone të ndryshme të vendit që punojnë për ruajtjen e mjedisit dhe ekosistemeve. Asistenca u fokusua në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të anëtarëve për rritjen e vizibilitetit të rrjetit, nëpërmjet një programi trajnimi të personalizuar, me qëllim rritjen e ndikimit të punës së tyre tek politikëbërësit dhe mbështetësit. Gjithashtu, rrjeti u asistua në dizenjimin e një fushate advokimi për rritjen e eficensës së energjisë dhe uljes së varfërisë energjetike e cila pritet të zbatohet shumë shpejt.
Rrjeti “Zëri i të rinjve” është një rrjet kombëtar prej 21 OSHC që punojnë për dhe me të rinjtë. Si pjesë e Programit të Asistencës u zhvillua analiza SWOT me anëtarët e Rrjetit, u vlerësua plani strategjik aktual, si dhe u lehtësua diskutimi mes anëtarëve për analizimin e çështjeve prioritare për të ardhmen dhe Plani Strategjik 2021-2024. Rritja e kapaciteteve të anëtarëve të rrjetit në ngritjen e fondeve dhe gjenerimin e të ardhurave ishte një tjetër përfitim i rrjetit përgjatë asistencës.
Rrjeti “Pakti për zhvillimin e rinisë”, Shkodër është një rrjet lokal prej 17 organizatash, institucionesh dhe aktivistësh të rinj që punojnë mbi çështjet e të rinjve. Programi mundësoi rritje të njohurive të anëtarëve të rrjetit në zbatimin e kuadrit aktual ligjor mbi rregullator të vullnetarizmit. Ndarje eksperience dhe praktika të mira, me organizata të tjera si dhe lehtësim dialogu midis institucioneve të përfshira në zbatimin e kuadrit ligjor, u mundësua nëpërmjet tryezave dhe platformave online diskutimi. Rrjeti, u bë një prej mbështetësve të iniciativës lobuese për përmirësimin e mjedisit mundësuaes të vullnetarizmit ndërmarrë nga Qendra dhe organizata Përtej Barrierave. Si pjesë e Programit të Asistencës u zhvillua po ashtu dhe analiza SËOT me anëtarët e Rrjetit dhe u hodhën piketat për një plan veprimi bazuar në çështje prioritare të të rinjve në rajonin e Shkodrës.
Në vijim të planeve të advokimit të dizenjuar nga secili prej Rrjeteve, Qendra do të vijojë mbështetjen përgjatë 2020 me informacion, lehtësim procesi e takimesh, me qëllim adresimin e çështjeve problematike dhe zgjidhjen e tyre.