Mbyllja e programit të Akademisë së OJF-ve, si çdo vit kulmoi me ceremoninë e diplomimit të 23 drejtuesve dhe manaxherëve të organizatave të reja por edhe të konsoliduara nga Tirana, Gjirokastra, Korça, Durrësi, Vlora, Shkodra, Fieri dhe Pogradeci. Akademistët u mblodhën, tashmë si Alumni për të kurorëzuar një vit përpjekje dhe investim në rritjen e njohurive të tyre individuale si dhe konsolidimin e mëtejshëm të organizatës së tyre.
Gjatë ceremonisë, akademistët u shprehën me shumë mirënjohje e vlerësim për programin e Akademisë dhe gjithë mundësitë që ofron jo vetëm përmes leksioneve dhe mentorimeve por edhe aktiviteteve të tjera të rëndësishme për zhvillimin profesional e personal, si aktivitete rrjetëzuese e shkëmbimi eksperiencash mes akademistëve, takime përkrijimin e urave të bashkëpunimit me OSHC, biznese dhe institucione etj.
Pjesë e ceremonisë këtë vit ishin dhe Alumni ndër vite, të cilët shprehën gjithashtu vlerësim e mirënjohje për programin si dhe ndanë një sërë eksperiencash dhe bashkëpunimesh që janë bërë të mundura nga pjesëmarrja në Akademi si dhe të tjera programe të Qendrës Burimore dhe Partnerëve Shqipëri.