In News

PROCESI I NEGOCIATAVE TË ANËTARËSIMIT NË BE

Më 30 dhe 31 mars, 2023 Tacso 3 organizoi në Tiranë eventin rajonal People to People me temë “Procesi i negociatave të anëtarësimit në BE: Shkëmbim përvoje midis OSHC-ve nga Mali i Zi dhe Serbia me OSHC nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”. Në event moren pjesë rreth 35 përfaqësues nga 4 vende të BP si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur tashmë procesin e negociatave, ndërkohë që Mali i Zi dhe Serbia prej disa vitesh vijojnë këtë proces. Gjatë takimit, përfaqësues nga OJF dhe institucione nga Serbia dhe Mali i Zi ndanë në panele të dedikuara eksperiencat e tyre mbi ecurinë e procesit, platformat e bashkëpunimit Shtet-OJF dhe problematikat e ndeshura. Takimi shërbeu edhe si një event rrjetëzimi, për vendosjen e bashkëpunimit mes OSHC-ve dhe institucioneve nga vendet pjesëmarrëse dhe shkëmbime të tjera në të ardhmen për çështje lidhur me integrimin evropian dhe përfshirjen e qenësishme të shoqërisë civile në këtë proces.

Eventi u përshëndet dhe nga Znj. Lenka Vitkova, Drejtuese e Seksionit të Qeverisjes dhe të Drejtave në Njeriut në Delegacionin e BE-së në Shqipëri  dhe Znj. Oriana Arapi, Drejtore e Departamentit të Politikave dhe Integrimit Evropian në Kryeministri. Folësit theksuan rëndësinë e momentit veçanërisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët sapo kanë filluar procesin e negociatave dhe rolin e kontributin që shoqëria civile duhet të luajë në çdo hap të këtij procesi.

Znj. Ariola Agolli Drejtore Programi, Parnerët Shqipëri dhe Manaxhere e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, pjesë e panelit hapës së eventit u ndal në fjalën e saj tek strukturat dhe mekanizmat e bashkëpunimit të ngritur në Shqipëri si dhe nevojën për më shumë transparencë nga institucionet dhe rritje të eficencës së tyre. Ajo theksoi dhe njëherë rolin e Partnerëve Shqipëri në zhvillimin e mjedisit mundësues për shoqërinë civile si dhe në fuqizimin e kapaciteteve të OJF-ve në një sërë drejtimesh duke përfshirë edhe integrimin evropian dhe rolin e OJF-ve në proces, si pjesë e programit të shërbimeve të Qendrës Burimore.