Prej Janarit 2021 ka hyrë në fuqi Ligji “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”. Fusha e zbatimit të ligjit janë institucionet financiare, por me efekt të drejtpërdrejtë ndaj personave juridikë, përfshi edhe OJF-të.
Në tetor 2020, pasi morëm dijeni për projektligjin dhe u njohëm me të, në bashkëpunim me ekspertë dhe një grupim organizatash, analizuam projektligjin dhe ndikimin e tij në sektorin jofitimprurës dhe hartuam një Opinion ligjor që iu përcoll Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me kërkesën për të parë problematikat e ngritura dhe adresuar ato. Opinioni po ashtu u nda gjerësisht me organizata të shoqërisë civile, donatorë dhe institucione të tjera.
Pas miratimit të Ligjit, konstatuam që një pjesë e vogël e rekomandimeve janë reflektuar në ligj, respektivisht:
(1) Neni 8 pika 2 e Ligjit nuk parashikon shprehimisht që llogaritë e OJF-ve dhe të dhënat përkatëse të tyre do të jenë pjesë e Regjistrit. Megjithatë, termi ‘person juridik’ përfshin edhe OJF-të.
(2) Neni 8 pika 4 ka një dispozitë të shprehur e cila mundëson që Regjistri të mos mbajë të dhëna mbi shumat e llogarive bankare.
(3) Termi ‘shumëqëllimor’ në nenin që përcakton Regjistrin si një bazë të dhënash është hequr.
(4) Neni 10 nuk parashikon shprehimisht të drejtën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) për të kryer inspektime në vend apo në distancë.
Këto janë çështjet e pranuara dhe ndryshuara. Ndërkohë, sugjerimet e tjera në lidhje me organin që administron Regjistrin, të drejtat e institucioneve të interesuara për të marrë info, etj, nuk respektojnë garancitë kushtetuese të lidhura me to. Mbajtja dhe administrimi i Regjistrit nga një organ ekzekutiv si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) dhe e drejta e DPT për të dhënë informacione institucioneve të interesuara pa konfirmimin e gjykatës janë pikat më të cënueshme të ligjit.
Veçanërisht për këto pika, ligji mund të jetë subjekt i shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese, e venë në lëvizje nga subjektet që legjitimohen për t’ju drejtuar kësaj gjykate.
Ligji i miratuar ka dhe shumë pika të tjera që janë në kundërshtim me ligjet e tjera dhe parimet bazë të krijimit të strukturave të institucioneve shtetërore (të identifikuara dhe në analizën ligjore të OSHC-ve në tetor 2020). Për më shumë Opinionin e plotë e gjeni këtu