Me kënaqësi ndajmë me të gjithë kolegët e bashkëpunëtorët njoftimin që Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri (QKB) do të vijojë ofrimin e shërbimeve për sektorin dhe të gjithë aktorët e interesuar edhe për tre vitet e ardhshme.
Nisma zbatohet nga Partnerët Shqipëri sërish në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Evropiane në Shqipëri (EMA), me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Nga 2019 deri sot, Qendra ka konsoliduar rolin e saj si një platformë për shoqërinë civile në nivel kombëtar e lokal, në mbështetje të fuqizimit të kapaciteteve të saj, dialogut të politikave dhe përpjekjeve advokuese për një mjedis mundësues. Në tri vitet e ardhshme, përmes zyrave në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, shërbimeve online si dhe aktiviteteve në qytete të ndryshme të vendit, do të vijojmë mbështetjen për të gjitha organizatat e shoqërisë civile, rrjetet e OSHC-ve, grupime informale, aktivistë dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile.
Me një gamë të gjerë shërbimesh të konsoliduara por dhe programe të reja, të ngritura posaçërisht në përgjigje të nevojave të identifikuara, Qendra do të ofrojë:
–Informacion, asistencë individuale dhe shërbime help desk onsite dhe online;
–Rrjetëzim për organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal, kombëtar, rajonal e më
gjerë;
–Lehtësim dhe koordinim dialogu ndërsektorial OSHC-institucione qeveritare- biznes – media dhe aktorë të tjerë mbi çështje me rëndësi për sektorin;
–Lehtësim dhe mbështetje për OSHC-të për rritjen e standardeve të qeverisjes së tyre për një funksionim më të mirë, më të përgjegjshëm e transparent, si dhe për rritjen e besimit të publikut dhe aktorëve e partnerëve ndaj sektorit. Në këtë kuadër QKB do të vijojë të shërbejë si Sekretarit i Kodit të Standardeve për OSHC-të në Shqipëri;
–Fuqizim i kapaciteteve për OSHC-të, përmes programeve si: Akademia e OJF-ve; Programi i mentorimit dhe asistencës për Rrjetet dhe Koalicionet, programi i trajnimeve për sektorin bazuar në vlerësimet e përvitshme të nevojave të tij; por edhe programeve të reja të rritjes së kapaciteteve që do të organizohen nga 2022 e në vijim si: “Manaxhimi dhe monitorimi i granteve”; “Gjenerimi i të ardhurave për OSHC-të, ngritja e shërbimeve me pagesë, produkteve dhe aseteve”; “Vullnetarizmi dhe akreditimi i OSHC-ve për pjesëmarrje në Programet e BE; “EU aquis, angazhimi dhe roli i OSHC-ve në procesin e integrimit të vendit në BE” etj.
Një risi tjetër e programit të QKB në këto vite, është dhe organizimi i “Javës Kombëtare të Shoqërisë Civile” dedikuar sektorit për të promovuar punën dhe kontributin e tij. Me një seri eventesh organizuar nga OSHC-të në të gjithë vendin, Java do të ofrojë më shumë mundësi rrjetëzimi e dialogu ndërinstitucional për çështje me rëndësi për sektorin dhe
zhvillimin e vendit.
Në vijim të këtij numri, ju ftojmë të njiheni me disa nga aktivitetet tona si dhe zhvillimet në sektor për periudhën tetor-dhjetor 2021.