Më 5 prill 2019, Partnerët Shqipëri lançoi iniciativën e saj më të fundit , hapjen e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, një platformë për shoqërinë civile në mbështetje të fuqizimit të kapaciteteve të saj, dialogut të politikave dhe përpjekjeve advokuese të sektorit për një mjedis mundësues dhe zhvillim të qëndrueshëm të OShC-ve.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin 140 përfaqësues të shoqërisë civile nga mbarë vëndi, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, donatorë dhe përfaqësues të medias.
Aktiviteti u organizua me pjesëmarrjen e veçantë të Shkëlqesisë së Tij Z. Luigi Soreca, Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe të Znj. Genoveva Ruiz-Calavera, Drejtore e DG NEAR për Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e saj Znj. Calavera theksoi se: “Qeverisja e mirë është kërkesë kryesore politike për një vend i cili aspiron t’i bashkohet familjes së Bashkimit Evropian dhe qeverisja e mirë matet gjithashtu nga niveli i angazhimit të shoqërisë civile si dhe strukturimit të pjesëmarrjes së saj në dialogun politik dhe reforma”. Më tej Znj. Calavera vuri në dukje rolin kyç që ka patur shoqëria civile në Shqipëri përgjatë 3 dekadave të fundit në sjelljen e ndryshimit, duke i’u referuar më konkretisht kontributit të shoqërisë civile në shtyrjen përpara të reformës në drejtësi. Znj. Calavera veçoi rëndësinë që ka për Bashkimin Evropian përfshirja e të gjithë aktorëve në politikëbërje si dhe forcimi i shoqërisë civile si një aset i vlefshëm në mbrojtjen e demokracisë, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile dhe shërbimeve që do të ofrojë ajo në këtë kuadër.
Në fjalën e saj përshëndetëse Zj. Juliana Hoxha, Drejtore e Partnerëve Shqipëri, ofroi një panoramë të shkurtër analitike të situatës ku ndodhet sektori i shoqërisë civile sot duke theksuar një sërë çështjesh problematike si kuadri ligjor dhe fiskal, mungesa e dialogut dhe bashkëpunimit midis strukturave përfaqësuese të shoqërisë civile dhe institucioneve qeverisëse etj.
Prezantimi i shërbimeve që do të ofrojë Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, u bë nga Znj. Arjola Agolli, Drejtore e Programeve për Partnerët Shqipëri dhe Menaxhere e Qendrës Burimore.
Aktiviteti mundësoi një forum diskutimi midis të gjithë aktorëve pjesëmarrës mbi sfidat për krijmin e një mjedisi mundësues për OShC-të. Në fokus të diskutimit ishin sfidat dhe problematikat e përfshirjes së sektorit të shoqërisë civile në politikëbërje dhe vendimmarrje, mjedisi ligjor mundësues për OShC-të si dhe roli si partner social i sektorit në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe institucionet publike.