Komisioni Evropian ka publikuar raportin e shqyrtimit për Shqipërinë (Screening Report Albania) një vit pas hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe përfundimit të raundit të parë të takimeve. Raporti thekson progresin e Shqipërisë drejt BE-së, sfidat kryesore në vend dhe arritjet në reformat vendimtare. Ndër të tjera, raporti ndalet edhe në rishikimin e kuadrit ligjor rregullator dhe politikat për shoqërinë civile në vend, duke vlerësuar ngritjen dhe zhvillimin e kornizës rregullatore dhe institucionale, por thekson se zbatimi i tij ka nevojë të përforcohet më tej.
Raporti thekson rëndësinë e strukturave si Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, e cila cilësohet si platformë informuese dhe mbështetëse mbi proceset konsultuese dhe politikëbërëse për sektorin dhe partnerë të tjerë.
Gjetjet e raportit të Komisionit Evropian përkojnë me gjetjet e Matricës së Monitorimit për Mjedisin Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile – Raporti për Shqipërinë 2022 përgatitur nga Partnerët Shqipëri, dhe rekomandimet e tij janë në përputhje me një seri çështjesh që qëndrojnë në bazën e përpjekjet tona advokuese për një mjedis sa më mundësues për sektorin, si progresi në ligjin për vullnetarizmin, ngritja dhe funksionimi i rregjistrit elektronik të OJF-ve, lehtësimi i procedurave për rimbursimin e TVSH-së, ngritja e incentivave për dhurimet individuale, etj.