• Rruga e Elbasanit, PARK GATE, kati 10te, Ap. 73, Tirana
  • +355 4 2254881
  • info@resourcecentre.al
In News

Njoftim i rëndësishëm për Organizatat Jofitimprurëse – Regjistrimi i Pronarëve Përfitues!!!

Në zbatim të Ligjit nr. 112/2020 dhe VKM nr. 1088, datë 24.12.2020, sjellim në vëmendje se, çdo subjekt raportues ekzistues, organizatë jofitimprurëse, i regjistruar në Gjykatë dhe organet tatimore dhe identifikuar me NIPT, duhet të regjistrojë pronarin/ët përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP).

Sipas Nenit 15 të Ligjit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit do të krijojnë Regjistrin e Pronarëve Përfitues jo më vonë se data 31.1.2021.

Po sipas këtij Neni, subjektet raportuese ekzistuese duhet të regjistrojnë të dhënat e kërkuara nga ky ligj për pronarët e tyre përfitues jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga krijimi i regjistrit.

Regjistrimi do të duhet të bëhet me aplikim nga personi i autorizuar (përfaqësuesi ligjor) për të përfaqësuar subjektin tuaj, nëpërmjet shërbimit “regjistrim i pronarit përfitues”, në portalin unik të shërbimeve qeveritare e-albania.
https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=14519.

Për më shumë informacion në lidhje me regjistrimin në RPP, hapat e procesit dhe dokumentat e nevojshëm si më poshtë:

Si bëhet regjistrimi i pronarit/ëve përfitues në RPP?

– Personi i autorizuar pasi identifikohet elektronikisht në e-Albania duhet të zgjedhi llojin e regjistrimit që do të bëjë (regjistrim fillestar dhe ose/përditësim ose ndryshim i të dhënave për pronarët përfitues) dhe me pas do i shfaqet formulari përkatës i aplikimit dhe ta plotësoje.

– Në aplikim, duhet të bashkëlidhet dokumentacioni i nevojshëm shoqërues, të tillë si: dokumenti i identifikimit të individit të regjistruar si pronar përfitues dhe ekstrakti i subjektit tuaj; ekstrakti i personit juridik që zotërohet nga individi i regjistruar dhe rezulton themelues në subjektin tuaj, statuti/aktet e brendshme të organizatës jofitimprurëse; kontrata apo çdo dokument tjetër që vërteton se, individi i regjistruar është pronari përfitues i subjektit tuaj.

– Dokumentacioni që depozitohet në Regjistër duhet të jetë hartuar jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga data e regjistrimit fillestar të pronarit përfitues dhe i përkthyer në shqip. Aktet private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të legalizohen.

– Aplikimi dhe dokumentacioni shoqërues, konfirmohet se është i saktë me mjete elektronike që garantojnë autenticitetin e origjinës dhe pacenueshmërinë e përmbajtjes së dokumenteve në format elektronik, të paktën nëpërmjet nënshkrimit elektronik të avancuar të formularit të aplikimit. QKB, shqyrton aplikimin brenda dy ditë pune, sipas kërkesave të VKM-së, pas verifikimit të të cilave vendos miratimin ose refuzimin e tij, vendimmarrje kjo e cila publikohet në RPP dhe gjithashtu njoftohet nëpërmjet postës elektronike të deklaruar nga çdo organizatë jofitimprurëse, në e-albania.

– Aplikimi do të shqyrtohet nga QKB jo më vonë se 2 ditë pune nga marrja e aplikimit nga subjektet raportuese. Vendimi për miratimin ose refuzimin e aplikimit do të njoftohet nëpërmjet publikimit në Regjistër si edhe do t’i dërgohet personit të autorizuar nëpërmjet postës elektronike.

Çfarë informacioni duhet të regjistrohet?

– Informacioni që duhet të regjistrohet konsiston në (i) të dhëna për subjektin raportues (NUIS; emri), (ii) të dhëna të detyrueshme për pronarin përfitues (të dhëna e identifikimit; data e përcaktimit të individit si pronar përfitues; lloji dhe përqindja e pronësisë). Për pronarët përfitues të cilët janë shtetas shqiptar të dhënat që kërkohen janë emri, mbiemri, numri i identifikimit, data e lindjes, shtetësia, adresa e rezidencës së përhershme. Përveç të dhënave të mësipërme, shtetasit e huaj duhet gjithashtu të deklarojnë numrin e pasaportës, datën e lëshimit dhe datën e skadimit të pasaportës.

Si duhet të identifikohen pronari/ët përfitues?

Duhet të mbani në konsideratë se, pronar përfitues i organizatave jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat, si dhe degët e organizatave jofitimprurëse, është:

– Themeluesi ose
– përfaqësuesi ligjor ose
– individi që ushtron kontrollin e fundit efektiv në administrimin dhe kontrollin e organizatave jofitimprurëse.

Kontroll i fundit efektiv është marrëdhënia në të cilën një person:

– përcakton vendimet e marra nga organizata jofitimprurëse;
– kontrollon në çdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive të organizatës jofitimprurëse.

Ndërkohë, me kontroll, do të kuptohet, kontrolli ose pronësia në një person juridik, trust ose marrëveshje të tjera ligjore.
Në rast se kontrolli ushtrohet me anë të një trust-i, duhet të identifikoni dhe regjistroni si pronar përfitues:

– Krijuesin;
– kujdestarin/të mirëbesuarin;
– mbrojtësin, nëse ka, dhe
– përfituesit ose kur personat që përfitojnë nga marrëveshja ligjore ose entiteti ende nuk janë përcaktuar, klasa e personave për interesin kryesor të të cilëve marrëveshja ligjore ose entiteti është krijuar ose operon;
– ose çdo individ tjetër që ushtron kontrollin e fundit mbi trustin me anë të pronësisë direkte ose indirekte ose me mjete të tjera.

KUJDES! Mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda afatit të përcaktuar në Nenin 15 të këtij ligji përmendur si më lart, dënohet me gjobë në vlerën 500 000 (pesëqind mijë) lekë.

Për sqarime të mëtejshme mund të na shkruani në info@resourcecentre.al

Gjeni këtu prezantimin gjatë sesionit informues

Pyetjet më të shpeshta si dhe përgjigjet

Video udhëzuese nga sesioni informues mbi Ligjin “Regjistrimi i Pronarëve Përfitues”