Akademia e OJF-ve tashmë në vitin e 9-të organizimit, është një program i konsoliduar, nga më të kërkuarit në sektor pasi vlerësohet nga OJF-të si një ndër programet e vetme që mbështet formimin e drejtuesve dhe stafit të organizatave në të gjitha aspektet e zhvillimit dhe manaxhimit organizativ e më gjerë. Për më shumë informacion, gjeni këtu programin.
Pas një thirrje të hapur për shprehje interesi, 26 përfaqësues të OSHC-ve u zgjodhën për të marrë pjesë në Akademinë e këtij viti. Programi i Akademisë, konsiston në ofrimin e 11 leksioneve nga lektorë vendas e ndërkombëtarë si dhe diskutimeve me ekspertë të ftuar, sesione mentorimi përgjatë gjithë vitit për akademistët dhe organizatat e tyre, pjesëmarrje në vizita studimore në biznese dhe institucione, si dhe pjesëmarrje në evente të ndryshme dhe aktivitete rrjetëzimi të Qendrës Burimore e më gjerë.
Gjatë muajve shkurt dhe mars janë zhvilluar dy leksionet e para respektivisht mbi “Kuadri Ligjor për OJF-të në Shqipëri” dhe “Anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe roli i OSHC-ve”.
Leksioni 1 u drejtua nga Av. Ardjana Shehi, eksperte me një përvojë pune profesionale mbi 25 vjet në legjislacionin për sektorin jofitimprurës dhe veçanërisht me legjislacionin mbi regjimin tatimor të OJF. Leksioni 2 u drejtua nga Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i European Movement Albania (EMA) dhe hulumtues dhe ekspert mbi çështje lidhur me procesin e antarësimit në BE, pjesë e ekipeve të punës për hartimin e dokumenteve strategjikë si Plani Kombëtar i Përafrimit të Legjislacionit, Plani Kombëtar për zbatimin e MSA-së, etj., si dhe pjesëtar i grupeve të punës Shqipëri – BE.