In News

VULLNETARIZMI NË BALLKANIN PERËNDIMOR DHE TURQI

Përgjatë 28-29 mars, EU TACSO 3 organizoi në Tiranë eventin People to People “Vullnetarizmi në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi: Axhenda për Veprim”.

Eventi kishte si qëllim promovimin e vullnetarizmit si një mjet për zhvillim social dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, si dhe adresimin e sfidave që lidhen me njohjen, mbështetjen dhe qëndrueshmërinë e vullnetarzimit në rajon. Si pjesë e tij, 34 përfaqësues të OSHC-ve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor pjesëmarrëse në këtë event, ndanë eksperiencat në punën me vullnetarët, diskutuan mbi sfidat në nivel organizate dhe mjedisi ligjor e rregullator në vendet e tyre, si dhe adresimin e sfidave lidhur me njohjen, mbështetjen dhe qëndrueshmërinë e vullnetarzimit në rajon.

Eventi u përshëndet dhe nga Manaxherja e Programit të Shoqërise Civile në Delegacionin e BE në Shqipëri, Znj.Valerie Covic.

Pjesë e panelit të eventit, Ariola Agolli, Menaxhere e Qendrës Kombëtare Burimore, Partnerët Shqipëri prezantoi një përmbledhje të kuadrit ligjor për vullnetarizmin në vendet e Ballkanit Perëndimor, problematikat dhe sfidat në zbatim, duke vijuar specifikisht me rastin e Shqipërisë. Ajo risolli në vëmendje të pjesëmarrësve nismën advokuese të ndërmarrë tashmë prej dy vitesh nga Qendra Burimore dhe një grupim organizatash për ndryshimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor në Shqipëri si dhe rolin e Qendres Burimore në fuqizimin e kapaciteteve të OJF-ve dhe programeve të dedikuara për Vullnetarizmin.

“Axhendë për Veprim” ishte përmbledhja e përgatitur në mbyllje të eventit, e cila përfshin rekomandime mbi përmirësimin e politikave, strategjive dhe kornizës ligjore; mbështetjes nga komuniteti i donatorëve, BE-ja, qeveritë në rajon dhe agjenci të tjera; si dhe mbështetjes që vetë OSHC-të mund të japin në zhvillimin e vullnetarizmit.