In News

Njoftim për Shtyp nga Avokati i Popullit

Mbi verifikimin e organizatave të shoqërisë civile që kanë shprehur interes për të qenë anëtarë në komisionin e shoqërisë civile që do të kryejnë verifikimin paraprak të kandidaturave për Anëtarin që përfaqëson Shoqërinë Civile në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë

Me përfundimin e afatit të shprehjes së interesit nga Organizatat e Shoqërisë Civile për anëtar të komisionit të shoqërisë civile që do të kryejnë verifikimin paraprak të kandidaturave për anëtarin që përfaqëson shoqërinë civile në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Avokati i Popullit nisi procesin e verifikimit të plotësimit të kritereve nga Organizatat që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e komisionit të shoqërisë civile.
Në përputhje me pikën 1, të nenit 54 dhe pikën 1, të nenit 152 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, procesi i verifikimit u bazua në tre kriteret e mëposhtme:
  • Regjistrimi sipas legjislacionit përkatës;
  • Të punuarit në fushën e sistemit të drejtësisë ose të të drejtave të njeriut, dhe
  • Të kenë zbatuar projekte në këtë fushë të paktën pesë vitet e fundit.
Pas përfundimit të këtij procesi verifikimi, Avokati i Popullit njofton se organizatat e shoqërisë civile të cilat plotësojnë kriteret e përcaktuara ligjore janë si më poshtë:
  • Komiteti Shqiptar i Helsinkit
  • Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë
  • Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”
  • Qendra “Qëndresa Qytetare”
  • Fondacioni “Kontribut për Edukim”
  • Qendra Shqiptare për një Zhvillim të Qëndrueshëm
Në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, duke qenë se janë më shumë se 5 organizata që plotësojnë kriteret ligjore për të qenë pjesë e komisionit të shoqërisë civile, në mbledhjen e parë të këtij komisioni do të përzgjidhen me votim të fshehtë organizatat që do jenë anëtarë të tij. Pesë organizatat që do marrin më shumë vota, do të konsiderohen të përzgjedhura si anëtarë të komisionit të shoqërisë civile.
Avokati i Popullit do të bëjë publike në ditët në vazhdim datën e zhvillimit të mbledhjes së parë të komisionit të shoqërisë civile si dhe organizatat që do të përzgjidhen për të qenë anëtarë të tij.