In News

Informacion lidhur me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”

Sikurse jeni në dijeni, në datën 17/08/2021, hyri në fuqi Ligji Nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”. Ashtu siç është bërë e ditur në të gjitha deklaratat publike të sektorit për më shumë se një vit, por edhe raportet[1] e hartuara nga organizata në sektor për këtë qëllim, prej kohësh është kërkuar me forcë krijimi i regjistrit elektronik për organizatat jofitimprurëse në vend.

Në thelb nisma ligjore është përshëndetur dhe regjistri elektronik është parë si një mekanizëm që do të sjellë një seri zhvillimesh pozitive për sektorin. Pavarësisht këtyre, nxitimi me këtë nismë ligjore, mungesa e konsultimit të duhur dhe në kohë me sektorin dhe ekspertë të fushës, përfshi edhe ato të teknologjisë së informacionit, patën si produkt një projektligj tejet të debatueshëm.

E gjithë nisma ligjore, që nga momenti që u bë publik në Regjistrin Elektronik për Njoftimin dhe Konsultimin Publik më 10 qershor 2020, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, e deri sa u aprovua nga Parlamenti në seancën e datës 24/06/2021, u shoqërua nga një debat i nxehtë midis sektorit jofitimprurës dhe institucioneve në nivel ekzekutiv e më pas legjislativ.

Kritikat e sektorit kanë qenë gjithmonë dy planëshe. Së pari, të lidhura me procesin konsultues dhe transparencën e tij, veçanërisht për atë pjesë të procesit që udhëhiqej nga qeveria. Së dyti, lidhur me përmbajtjen e ligjit. Për këtë pikë, shqetësimet kanë qenë të mëdha dhe të shumta. Një ndër pikat më të nxehta ka qenë kërkesa për regjistrimin e detyruar të grupeve informale, gjë e cila është parë si shkelje e rëndë e të drejtës së organizimit. Përveç saj, projektligji fillestar ka pasur një seri momentesh kontradiktore me kuadrin ligjor në fuqi, përfshi këtu paqartësinë e institucionit përgjegjës për dizenjimin, financimin dhe manaxhimin e regjistrit si dhe afatet kohore për vënien e tij në funksionim. Kjo paqartësi dhe moskoordinim në nivel institucional u pasqyrua dhe në njoftimin për shtyp të datës 26 gusht 2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili u shpreh për pamundësinë e marrjes së një vendimi mbi përcaktimin e datës së funksionimit të regjistrit elektronik të OJF-ve, për shkak të mungesës së fondit buxhetor të parashikuar nga Ministria e Financave për këtë qëllim.

Në këto kushte, as Këshilli i Ministrave nuk do të jetë në gjendje të nxjerrë aktet nënligjore sipas përcaktimeve në ligj, të cilat do të përcaktojnë kushtet, afatet dhe procedurat për ofrimin e shërbimeve nga sekretaria e regjistrit elektronik.

Duke mos pasur asnjë plan për zgjidhjen teknike të krijimit të regjistrit për OJF-të, asnjë buxhet të planifikuar në mbështetje të tij dhe asnjë afat detyrues ligjor për krijimin e regjistrit, ky ligj mbetet nul. Të gjitha këto, janë evidentuar si mangësi të rënda të kësaj nisme ligjore që në krye të herës dhe gjatë gjithë procesit konsultues për këtë ligj. E gjithë nisma ligjore, e cila u “motivua” nga qeveria si një ndërhyrje për të mundësuar shqyrtimin elektronik të kërkesave për regjistrimin e OJF-ve dhe sigurimin e transparencës së nevojshme publike, nuk arriti të prodhojë asgjë. Përkundrazi, pasja e dy ligjeve në fuqi që adresojnë regjistrimin e OJF-ve në vend, ka kontribuar në rritjen e konfuzionit.

Ishte falë angazhimit dhe propozimeve të dërguara nga sektori jofitimprurës që ky projektligj pësoi ndryshime në përmbajtje dhe saktësime, ndonëse të pjesshme, të përgjegjësive institucionale të strukturave përgjegjëse për zbatimin e tij. Si rezultat i këtij procesi 32 nene, të ligjit tashmë të aprovuar, janë ndryshuar. Këto propozime kanë adresuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me:

  1. Garantimin e të drejtës për organizim, duke shmangur ndërhyrjen e shtetit në ushtrimin e kësaj të drejte.  Ne konstatojmë me kënaqësi se parashikimi ligjor për regjistrimin e detyruar të grupeve informale, ka rënë nga artikulimi fillestar. Kjo përbënte edhe çështjen më të mprehtë për sektorin, që sipas vlerësimit tonë, cënonte drejtëpërdrejtë të drejtën e organizimit dhe liritë kushtetuese të shtetasve.
  2. Më shumë garanci në ligj kundrejt mbrojtjes së të dhënave personale.
  3. Ruajtjen e pavarësisë së pushteteve duke korrigjuar institucionet vendimmarrëse dhe tejkalimin e kompetencave të ekzekutivit kundrejt atij gjyqësor, në zbatim të këtij ligji.

Pavarësisht të gjitha këtyre përmirësimeve, ligji i ri vazhdon të paraqesë një seri problematikash të rëndësishme për veprimtarinë e sektorit jofitimprurës në vend, të cilat vlerësohen se cënojnë funksionimin e lirë të tyre dhe trajtimin e ndershëm. Ato kanë të bëjnë kryesisht me:

  1. Nivelin e lartë të gjobave për shkelje administrative, të cilat janë në shkelje flagrante të ligjit 10279, “Për kundravajtjet administrative” (neni 10 dhe 18). Ambiguiteti në përcaktimin e masës dhe kritereve të këtyre gjobave (nga 0.1% deri në 1% të buxhetit vjetor) si dhe shkelja e rëndë e parimit të proporcionalitetit në vendosjen e tyre, vlerësohen si një masë ligjore që cënon drejtëpërdrejtë lirinë e organizimit dhe krijon hapësirë për intimidim nga ana e institucioneve.
  2. Procedurën që do të ndiqet për çregjistrimin e OJF-së në gjykatë dhe autoritetin përgjegjës që do ta bëjë këtë, në rast të mos regjistrimit të OJF-së në organet tatimore. Kjo mbetet një çështje e nxehtë dhe ende e paqartësuar në ligj, pavarësisht reagimit të fortë kundërshtues të sektorit jofitimprurës.
  3. Nevojën urgjente për vlerësimin dhe amendimin e gjithë kuadrit ligjor që rregullon regjistrimin dhe funksionimin e sektorit jofitimprurës në vend, për të siguruar harmonizimin e tij dhe adresuar kontradiktat ligjore që kanë rrjedhur nga hyrja në fuqi e ligji të ri për regjistrimin e OJF-ve.

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim nëpërmjet Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, vazhdon të mbetet e angazhuar për të bërë të gjitha përpjekjet e saj, në bashkëpunim me sektorin e OJF-ve në vend, për të adresuar nevojën për përmirësimin e këtij ligji, para se ai të bëhet efektiv.

Ne vazhdojmë të mbetemi të angazhuar në përpjekjet tona për një kuadër ligjor dhe praktik, që është mundësues për sektorin e OJF-ve në vend, në linjë me parimet e Udhërrëfyesit për Mbështetjen e BE-së për Shoqërinë Civile dhe Matricën e Monitorimit të Mjedisit Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile.

[1]Partners Albania (2016), “Matrica e Monitorimit te Mjedisit Mundesues per Zhvillimin e Shoqerise Civile, Raporti per Shqiperine 2015”, fq. 8  [Online] https://partnersalbania.org/wp-content/uploads/2016/03/Raporti_matrices_monitorimit_Shqiperi2015.pdf