Me kënaqësi duam të ndajmë me ju momente nga takimi vjetor i Asamblesë së Kodit të Standardeve për OJF-të në Shqipëri, organizuar nga Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërine Civile në Shqipëri, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, në cilësinë e Sekretariatit të Kodit.
Takimi solli bashkë anëtarët e Kodit për të diskutuar mbi punën e deritanishme dhe zhvillimet gjatë vitit të fundit, duke u fokusuar në rëndësinë e arritjes dhe ruajtjes së standardeve të Kodit, si dhe promovimit të mëtejshëm të kësaj praktike në vend, rajon dhe më gjerë, si pjesë e një angazhimi të organizatave në Shqipëri që i bashkangjitet përpjekjeve të OSHC-ve në nivel global.
Gjatë këtij viti të fundit, Kodi i Standardeve është njohur dhe mirëpritur nga institucione dhe struktura të rëndësishme ndërkombëtare si Komisioni Evropian dhe Task Forca për Veprimin Financiar (FATF), respektivisht si pjesë e “Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2022” dhe e “Dokumentit të Praktikave më të Mira” në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimit të pastrimit të parave.
Me zgjerimin e anëtarësisë së Kodit në 24 anëtarë, u bashkuan në këtë takim vjetor edhe organizatat e reja anëtare, të cilat ndanë reflektimet e tyre mbi këtë anëtarësim dhe theksuan rëndësinë e tij për rritjen e standardeve organizative, forcimin e partneriteteve si dhe rritjen e besimit të anëtarëve, përfituesve dhe publikut më gjerësisht.
Gjithashtu, në përfundim të mandateve të para dyvjeçare të dy anëtareve të Komitetit të Kodit, Kristina Voko dhe Mirela Arqimandriti, Asambleja e Kodit të Standardeve organizoi edhe zgjedhjet për dy anëtarët e rinj nga ku u zgjodhën, Ana Dervishi dhe Milaim Demnushaj.
Si më poshtë, lista e plotë e Komitetit të Kodit të Standardeve.
Gjatë takimit u diskutuan dhe miratuan disa propozime për shtesa dhe ndryshime në disa prej angazhimeve dhe treguesve në Kodin e Standardeve, ndryshime të cilat reflektojnë edhe zhvillimet e viteve të fundit në Evropë dhe më gjerë, mbi marrjen e masave lidhur me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me angazhimin për më shumë vemendje dhe mbështetje për burimet njerëzore në organizatë, me qëllim kontributin në mirëqenien e stafit.
Asambleja theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit dhe ndërmarrjen e nismave të përbashkëta, në shërbim të sektorit të shoqërisë civile në vend.
Kodi i Standardeve është një mekanizëm vetërregullues që ndërmerret me vullnetin e lirë të OJF-ve dhe përfshin një tërësi parimesh dhe angazhimesh mbi mënyrën se si organizatat zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Ai është një mjet që nxit të mësuarit dhe ndryshimin, forcon marrëdhënien me partnerët e grupet e interesit si dhe rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e OSHC-ve.
Konceptuar si kontribut i sektorit për sektorin, me iniciativë të Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, Kodi është një një praktikë e ngritur dhe bazuar në përvoja dhe modele ndërkombëtare e rajonale të standardeve për organizatat e shoqërisë civile sikurse ajo e Standardit Global për Përgjegjshmërinë e OSHC-ve dhe Rrjetit Ballkanik të Zhvillimit të Shoqërisë Civile (BCSDN).
Për më shumë informacion dhe zhvillime na ndiqni në platformën e dedikuar të Kodit.
Anëtarët e Asamblesë së Kodit: