In News

Njoftim i Këshillit të Larte Gjyqësor_ Mbi Pozicionin e KLGJ në Lidhje me Ligjin “Për Regjistrimin e OJF-ve”

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dalë me një njoftim për shtyp në të cilin ka shprehur pozicionin e tij në lidhje me detyrimet e krijuara nga Ligji nr.80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë nga neni 52/3 i tij, i cili brenda datës 30 Gusht 2021 kërkonte përcaktimin e datës për funksionimin e sistemit të regjistrimit të OJF-ve bazuar në komunikimin dhe shqyrtimin elektronik të kërkesave për regjistrimin e tyre.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka analizuar dhe diskutuar në lidhje me detyrimet e krijuara nga Ligji dhe në përfundim, nuk ka mundur të realizojë vendimmarrje në lidhje me përcaktimin e datës së funksionimit të regjistrit elektronik të OJF-ve për shkak të mungesës së fondit buxhetor të parashikuar nga Ministria e Financave për këtë qëllim. Këshilli ka kërkuar bashkëpunimin e aktorëve përgjegjës publikë, për respektimin e detyrimeve ligjore, aktit nënligjor të miratuar me Vendimin nr.539, datë 25.07.2019, i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e udhërrëfyesit për politikën qeverisëse drejt një mjedisi mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile 2019 – 2023”, për të mundësuar krijimin dhe funksionimin e regjistrimit elektronik si shprehje e përpjekjeve për të garantuar dhe promovuar transparencën, llogaridhënien, integritetin dhe besimin publik në administrimin dhe menaxhimin e OJF-ve.

Sa më lart, konfirmon edhe njëherë atë çka kemi artikuluar gjatë gjithë vitit të fundit si pjesë e diskutimeve dhe konsultimeve me institucionet, që procesi për hartimin dhe miratimin e ligjit ka qenë i nxituar, jo mirë planifikuar dhe pa përfshirjen e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tij, në ketë rast konkretisht lidhur me krijimin dhe menaxhimin e regjistrit elektronik të OJF-ve.

 

Për më shumë, deklarata e plotë http://klgj.al/njoftim-per-shtyp-date-26-gusht-2021/