Më datë 24 qershor, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë u miratua Projektligji “Për regjistrimin e Organizatave
Jofitimprurëse”, megjithë rezistencën e organizatave të shoqërisë civile dhe thirrjen publike për të mos miratuar projektligjin e për të hapur një diskutim të gjerë e gjithëpërfshirës në përgjigje të kërkesave dhe rekomandimeve të ardhura nga sektori i shoqërisë civile në vend.
Ky ligj përbën një hap pas në rrugën drejt demokratizimit të Shqipërisë. Organizatat e shoqërisë civile i kanë kërkuar Presidentit të kthejë ligjin për rishqyrtim në parlament. Nëse Presidenti do të dekretojë projektligjin, organizatat do ta kundërshtojnë ligjin për antikushtetutshmëri në Gjykatën Kushtetuese. Lexo më shumë
Një ditë para diskutimit në seancë plenare, 124 organizata të shoqërisë civile iu drejtuan Kuvendit dhe secilit prej deputetëve personalisht me një thirrje publike! Në vijim të deklaratës iu bashkuan edhe organizata të tjera. Lexoni deklaratën e plotë këtu
Procesi për hartimin e këtij projektligji që ka zgjatur për më shumë se sa një vit nga momenti kur projektligji u bë publik nga Ministria e Drejtësisë e deri në aprovimin e tij në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, pavarësisht angazhimit të ekspertizës së huaj, nuk ka respektuar parimet dhe kuadrin ligjor të konsultimit publik në
Republikën e Shqipërisë. Përqasja e institucioneve nuk ka qenë gjithëpërfshirëse për të mundësuar uljen e gjithë aktorëve në një diskutim të hapur për një projektligj tepër të rëndësishëm për funksionimin e sektorit. Komunikimi me grupet e interesit ka qenë jotransparent, duke cënuar mundësinë e përfshirjes dhe dhënies së kontributit domethënës nga ana e tyre.
Pavarësisht sa më lart, organizatat e shoqërisë civile nën lehtësimin e Qendrës Kombëtare Burimore kanë qenë aktivisht të përfshira në fazat e konsultimit si në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Kuvend duke dhënë rekomandimet e tyre dhe shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në një proces të riformatuar e me pjesëmarrje të gjerë të të gjithë institucioneve kryesore dhe grupeve të interesit.
Pas seancës dëgjimore zhvilluar në Shkurt të këtij viti, ka vijuar komunikimi me Komisionin e Ligjeve, me kërkesën e vazhdueshme për të mos ta miratuar projektligjin në kushtet e urgjencën dhe për zhvillimin e një konsultimi efektiv me OSHC-të si grupi kryesor interesi. Bazuar në shqetësimet e ngritura nga organizatat projektligji pati disa ndryshime, por sërish një seri çështjesh problematike mbetën të paadresuara.
Në datën 15 qershor, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, miratoi projektligjin “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” me 11 vota pro dhe asnjë kundër, apo abstenim.
Gjatë diskutimit, vetë anëtarë të Komisionit si dhe përfaqësues të instititucioneve u shprehën që nuk ka një plan buxheti për zbatimin e ligjit dhe një zgjidhje teknike për ngritjen e regjistrit elektronik shoqëruar me të gjithë elementët e nevojshëm dhe afatet kohore. Po ashtu, autoriteti i Kuvendit ndaj gjyqësorit për zbatimin e ligjit, mbetet një çështje e hapur dhe shqetësuese. Për më shumë rreth diskutimeve, mund të ndiqni këtu takimin e plotë të Komisionit të Ligjeve.